“Lajmi i Fundit: Rriten pensionet per kete kategori per 134 euro me shume” mban përshkrimin një postim i publikuar në Facebook nga faqet “Post Lajmee” dhe “Trendi.info”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas klikimit në vegëzat e përfshira në këto postime, përkatësisht “trend.ballkantoday.com” dhe “post.infofirst.net”, bëhet e qartë se lajmi i referohet pensionistëve në Kroaci.
FAKTET
Në artikujt e publikuar në këto ueb-faqe, detajet e lajmit sqarohen vetëm pasi përdoruesi të klikojë në vegëz. Në përmbajtjen e artikujve bëhet e ditur se bëhet fjalë për rritjen e pensioneve për veteranët e luftës në Kroaci, të cilët pas përfundimit të luftës janë rikthyer në tregun e punës (shih këtu dhe këtu).
Për ta verifikuar më tej se lajmi i referohet Kroacisë, Hibrid.info gjeti edhe artikullin përkatës të publikuar nga mediumi kroat “Index.hr” (shih këtu).
Duke qenë se faqet “Post Lajmee” dhe “Trendi.info” publikojnë kryesisht përmbajtje që lidhen me Kosovën, mënyra se si është paraqitur ky lajm mund t’i çorientojë lexuesit, duke krijuar përshtypjen se rritja e pensioneve vlen për pensionistët në Kosovë.
Transparenca e faqeve “Post Lajmee” dhe “Trendi.info”
Faqja “Post Lajmee” në platformën Facebook ka mbi 91 mijë ndjekës. Sipas të dhënave të transparencës, faqja është krijuar më 11 maj, 2013, menaxhohet nga Kosova dhe ka tre administrator. Historiku i faqes tregon se ajo ka ndryshuar emrin nga “Rugova press” në “Rugova press Post Lajme” në vitin 2013 dhe pastaj në “Post Lajmee” në vitin 2017 (shih këtu).
Faqja “Trendi.info” në Facebook ka mbi 63 mijë ndjekës. Sipas të dhënave të transparencës, faqja është krijuar më 26 qershor, 2015, menaxhohet nga Kosova dhe ka tre administrator. Historiku i faqes tregon se ajo ka ndryshuar emrin disa herë (shih këtu).
Rreth ueb-faqeve “trend.ballkantoday.com” dhe “post.infofirst.net”
Në këto dy ueb-faqe nuk gjenden të dhëna të mjaftueshme për identitetin dhe funksionimin e tyre. Ato nuk përmbajnë rubrika apo informacione bazë që do të mundësonin identifikimin e autorëve ose subjektit që qëndron pas tyre, siç janë emri i personit apo organizatës përgjegjëse, adresa fizike, të dhënat e kontaktit apo një faqe “Impressum” (shih këtu dhe këtu).
Analiza
Postimet e faqeve “Post Lajmee” dhe “Trendi.info” për rritjen e pensioneve me 134 euro janë çorientuese. Në përshkrimin e postimeve nuk bëhet e qartë se lajmi lidhet me Kroacinë, ndërsa pas klikimit në vegëzat e publikuara kuptohet se bëhet fjalë për rritjen e pensioneve për veteranët e luftës në Kroaci, të cilët pas luftës janë rikthyer në punë.
Duke qenë se këto faqe publikojnë kryesisht përmbajtje që lidhen me Kosovën, mënyra e paraqitjes së këtij lajmi mund t’i bëjë lexuesit të mendojnë se rritja e pensioneve vlen për pensionistët në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.