[email protected]
Pretendohet pa fakte se përmes mbishkrimit “UÇK” në fshatin Uglarë, synohet të kërcënohen fëmijët serbë
shape
shape
shape

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, me datë 25 maj ka lëshuar një komunikatë me pretendimin se, përmes një mbishkrimi “UÇK” në këndin e lojërave për fëmijë në fshatin Uglarë afër Fushë Kosovës, është përhapur mesazh kërcënues nga, siç e quan kjo zyre, “politika shoviniste e Albin Kurtit”.

Përmes këtij mbishkrimi, kjo zyre vazhdon me pretendime të pabazuara se, “serbët në Uglarë prej vitesh jetojnë në një mjedis jo mikpritës dhe qëndrimi ndaj tyre është treguesi më i mirë i intolerancës ekstreme të shoqërisë që po ndërton Albin Kurti me bashkëmendimtarët e tij ideologjikë”.

Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka ngritur një teori se, sipas asaj që thuhet në komunikatë, ky veprim ka për qëllim kërcënimin ndaj fëmijëve serbë.


Pjesë të komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të përkthyera në shqip:

Mesazhe kërcënuese politike në orenditë e fëmijëve gdhendin vetëm frikacakë dhe të poshtër të llojit më të keq dhe me këtë rast themi qartë dhe pa mëdyshje se askush nuk do të lejohet të rrezikojë sigurinë e fëmijëve në Kosovë, qofshin ata serbë apo të ndonjë kombësie tjetër.

Politika shoviniste e Albin Kurtit filloi të kumbonte në këndet e lojërave për fëmijë dhe vetëm ata që shtiren si injorantë mund të mohojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes politikës së tij të terrorit dhe kërcënimeve ndaj fëmijëve serbë.

Serbët në Uglarë prej vitesh jetojnë në një mjedis jo mikpritës dhe qëndrimi ndaj tyre është treguesi më i mirë i intolerancës ekstreme të shoqërisë që po ndërton Albin Kurti me bashkëmendimtarët e tij ideologjikë.


Vegëza e komunikatës së bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://www.kim.gov.rs/v5183.php


Në komunikatën për media të këtij institucioni serb ngritët pretendimi se mbishkrimi “UÇK” është bërë si lloj kërcënimi ndaj banorëve serbë në këtë vendbanim afër Prishtinës.

Mirëpo, përpos fotografisë, në këtë komunikatë nuk jepen detaje shtesë që mbështesin pretendimin e bërë.

Pra, në përmbajtje të komunikatës nuk paraqiten as fakte që dëshmojnë se ku gjendet lokacioni i këtij parku lojërash për fëmijë.

Gjithashtu, nuk paraqitet asnjë fakt që dëshmon identitetin, përkatësinë etnike e, aq më pak, qëllimin e personit/ve apo palës së përfshirë në këtë akt.

I gjithë pretendimi se ky akt është pjesë e ndonjë, siç thuhet, “ndërlidhjeje të drejtpërdrejt të politikës së terrorit dhe kërcënimeve”, që thuhet se “udhëhiqen nga Albin Kurti”, bazohet vetëm në një fotografi.


Kjo  komunikatë e kësaj zyre është publikuar edhe në media në gjuhën serbe “Politika.rs”, si dhe në median ruse “Russia Today” në seksionin në gjuhën serbe. (shih këtu dhe këtu)


Pretendime të tilla nga kjo zyre ishin ngritur edhe më herët, të cilat po ashtu janë verifikuar nga hibrid.info. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një fotografi ku shihet një mbishkrim i akronimit të  “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” (UÇK) i vendosur në këndin e lojërave për fëmijë në fshatin Uglarë afër Fushë Kosovës.

Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka krijuar një teori të pa bazuar në asnjë fakt se  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka krijuar një politikë shoviniste, si dhe përmes këtyre veprimeve synohet të kërcënohen popullata serbe në Uglarë, e në këtë rast edhe fëmijët serbë.  

Pra, në komunikatë, përpos fotografisë që paraqet një imazh të një mbishkrimi “UÇK”, nuk ofrohen fakte tjera që dëshmojnë pretendimin për një akt që kishte qëllim frikësimin apo kërcënimin e komunitetit serb.

Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe në bazë të metodologjisë së punës e ka vlerësuar si “Përmbajtje e pa verifikuar” dhe “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others