[email protected]
Reagime nga ndryshimi i deklaratës së Tolajt
shape
shape
shape

Infektologu kosovar, Ilir Tolaj, gjatë një prononcimi për gazetën Blic, tha se numri i të vdekurve nga virusi Korona në Kosovë është si pasojë e një sistemi jo adekuar të kujdesit ndaj pacientëve në kujdesin intensiv. Këtë prononcim e keq cituan disa media online, duke lënë të kuptohet që Tolaj akuzoi kolegët e tij mjekë. Kjo nxiti reagime tek mjekët e angazhuar në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) të cilët i reaguan menjëherë.


Deklarata origjinale e Ilir Tolajt për gazetën Blic:

“Problem është numri i rasteve të vdekjes që vjen si pasojë e një pakujdesie të shërbimeve në Qendër Klinike Universitare, ku ka sistem jo adekuat të kujdesit ndaj pacientëve në kujdesin intenziv, por kjo nuk mund të ndërrohet shpejt prandaj do kemi akoma të vdekur nga virusi”, deklaroi ai për Blic.


Disa media online që shpërndanë deklaratën e Tolajt, arritën ta shtrembërojnë e ndryshojnë kontekstin, kryesisht përmes titujve duke ndikuar që të keq informohet audienca, në mesin e të cilëve kishte punonjës mjekësorë në SHSKUK.

Artikujt e disa mediave që keq cituan deklaratën e Tolajt:

Tolaj akuzon rëndë kolegët e tij në QKUK: Vdekjet po ndodhin nga pakujdesia

Tolaj me akuza të rënda: Vdekjet në QKUK nga pakujdesia


Të nxitur nga këta tituj të mediave, që kishin shtrembëruar deklaratën e Tolajt, SHSKUK publikuan një reagim në Facebook, ku e quajtën infektologun si njërin nga përgjegjësit për dështimin e sistemit shëndetësor.

Reagimi i SHSKUK ndaj Ilir Tolajt:

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës reagon ndaj deklaratës së Dr. Ilir Tolaj, i cili ka akuzuar stafin shëndetësor se nuk bën trajtimin e duhur të pacientëve me Covid.

ShSKUK njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se trajtimi i pacientëve me Covid nga profesionistët shëndetësorë po bëhet konform protokollit për trajtim të rasteve Covid, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe shoqatat profesionale mjekësore që kanë hartuar protokolle specifike për trajtim të rasteve të tilla.

Akuzat vijnë nga një njeri që për vjet të tëra nuk është i kyçur në sistemin shëndetësor në vend dhe nuk ofron shërbime për pacientët.

Ai akuzon mjekët, në vend se të mbështesë punën e tyre të mbingarkuar, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, në çdo moment të punës, madje disa nga mjekët kanë vdekur në shërbim të pacientëve.

ShSKUK siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të marrë shërbime shëndetësore, duke respektuar protokollet që janë në fuqi.


Pas reagimit të SHSKUK-së, Tolaj është detyruar të sqarohet duke thënë se disa media e kanë keq-cituar deklaratën e tij. Në sqarimin e tij, Tolaj thotë se nuk ka akuzuar mjekët për vdekjet nga virusi Korona, por sistemin shëndetësorë.

Sqarimi i plotë i Tolajt:

Një deklaratë e imja e djeshme rreth kujdesit intenziv për pacientët më Covid 19 u keqcitua nga mediat. Kështu, fjalëve të mija ju dha një tjetër kuptim. Kjo bëri që të reagojë QKUK. Shihet që reagimi i QKUK ëhtë bazuar në titujtë që mediet ja dhanë deklaratës time, sesa vet përmbajtjes së deklaratës.  Deklarat nuk ishte akuzë e as fajsim kundër askujtë, e më së paku ndaj mjekëve e infermireve që me vetëmohim po i mjekojnë këto raste, por një konstatim profesional e dashamirës, për gjendjen e një segmenti të shënetësisë siç është kujdesi intenziv.

Të gjithë në Kosovë, njerëz të rëndomtë e mjekë, e dijmë se sistemi jonë shëndetësorë është shumë prapa sistemeve shëndetësore të të gjitha vendeve të rajonit. Për më largë nuk po flas. Po të mos ishte kështu, me mijëra e dhjetra mijëra pacientë gjatë vitit nuk do të kërkonin ndihmën mjekësore në vendet për rreth Kosovës, duke e përfshirë edhe Serbinë, e shumë të tjerë në Turqi e vende të Europës. Nuk kam dëgjuar ende ndonjë rast që dikush nga vendet fqinje të Kosovës të ketë ardhur për mjekim tek ne.

E kam thënë dhe po e përsëris prap; për këtë gjendje çfarë është në shëndetësi nuk e kanë fajin mjekët e as personeli ndihmës shëndetësor. Në paraqitjet e mia asnjëherë nuk i kam fajësuar mjekët për këtë gjendje në të cilën jemi. Madje disa herë e kam potencuar se anesteziologët, që janë shumë të paktë në numër, po e bëjnë punën e madhe, jasht mundësive të tyre fizike, në mjekimin e rasteve me Covid 19 në kujdesin intenziv. Ata pra, mjekët në përgjithësi, e bëjnë punën e tyre sipas edukimit specialistik i cili ju është dhënë, kushteve të cilat ju ofrohen, pajisjes të cilën e kanë dhe udhëheqjes që duhet t’iu prijë. Dhe shumica e tyre ate e bëjnë me përkushtim të madh duke mos kursyer asgjë  nga dija dhe mundësia fizike e tyre. Ata nuk janë fajtor pse askush deri tash nuk ka përcaktuar kritere se çfarë pune duhet të bëjë një institucion si QKUK, për shembull. Kështu, nga dita në ditë, nga viti në vit, distanca mes nesh dhe fqinjëve bëhet edhe më e madhe, kurse udheqja e institucioeneve shëndetësore, cilado qoftë ajo, strehohet në vetkënaqësinë e vet dhe të mentorëve të tyre politik.

Edukimi specialistik fitohet me shkollimin adekuat, në qendrat me renome në vendet e Europës. Unë e kam bërë në Qendrën Klinikë Universitare të Lubjanës në Slloveni. Dhe këtë s’mund të ma marr askush. Ashtu siç muk mund ti mohojë askush aftësitë e mija shkencore, mjekësore e pedagogjike. As punën me decenie në QKUK. Zatën, a nuk i vërtetoi koha gjithë ato që i kam thënë që nga fillimi i pandemisë? Fakti se tash nuk jam në QKUK pa fajin dhe dëshirën time duhet ta turpërojë QKUK-në e MSh-në, e jo mua. Unë jam ofruar publikisht e pa kushte që të ndihmojë në këtë pandemi, që nga fillimi. Gadishmëria ime u hesht pa asnjë shpjegim, kurse zëri profesional i imi po tentohet të  heshtet me deklarime të padenja nga individë pa dinjitet. Ragimet e tilla  nuk më bëjnë përshtypje.


Analiza:

Me qenë se deklarata e Tolajt është ndryshuar nga disa media, ka bërë që ngjarja të dal jashtë kontekstit dhe audienca të dezinformohet. Pas analizës së bërë del që shkrimet e publikuara nga këto media të hyn në kategorinë “dezinformatë”, dhe të pasojë edhe demantimi i infektologut drejtuar mediave dhe SHSKUK-së.


Vlerësimi:

Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Demantimi – Vlerësimi “Demantim” është një vlerësim shtesë, i cili jepet në rastet kur media përcakton se përmbajtja e publikuar është në njërën prej kategorive të mësipërme të vlerësimeve negative, dhe në përputhje me këtë njohuri e mohon atë 1) në përputhje me faktet 2) në mënyrë të dukshme, në përputhje me parimet e botimit të mohimeve.

Media që kanë publikuar përmbajtjen origjinale të kontrolluar, nëse ata kanë publikuar informacione të kontaktit në faqet e tyre, gjithmonë do të kontaktohen për të komentuar pretendime që dëshmojnë të diskutueshme, duke i dhënë secilit prej tyre mundësinë për të korrigjuar gabimet në këtë mënyrë. Në raste të tilla, analiza e publikuar në platformën hibrid.info do të tregojë më tej se përmbajtja e vlerësuar u mohua më pas.

Share With Others

Translate »