Të fundit | Sondazhi i rremë paraqitet si i realizuar nga një televizion Të fundit | Vazhdon publikimi i videove të gjeneruara me IA lidhur me zgjedhjet Të fundit | Kurti nuk tha se studentët shqiptarë gabuan që protestuan në Shkup dhe se M… Të fundit | Dëmtimi i një ambulance serbe në një fshat të Vushtrri paraqitet pa prova s… Të fundit | Postimet nuk sqarojnë se rritja e çmimit të bukës ka ndodhur në Maqedoninë… Të fundit | Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani, krerë të PDK-së dhe Baton Haxhiu ja… Të fundit | Pretendim i rremë se janë konfirmuar rastet e para të hantavirusit në Kosov… Të fundit | Si ndikojnë influencuesit politikë në zgjedhje? Të fundit | Video të gjeneruara me IA të ndërlidhura me zgjedhjet po qarkullojnë në med… Të fundit | Sondazh i rremë në emër të një kolegji universitar
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh në Prishtinë për partitë politike

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

LAJM I RREMË

Sondazh është i rremë, i mungon burimi, metodologjia dhe ka kundërthënie për numrin e të anketuarve.

Faqja “Kosova e Re” në Facebook, ka publikuar të dielën (10 maj) një përmbajtje me pretendimin se gjatë ditës është realizuar një sondazh në Prishtinë për partitë politike.

Në këtë përmbajtje pretendohet se një sondazh e rendit Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, në vendin e parë me 40% të mbështetjes. Sipas të njëjtit pretendim, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka 30%, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 26%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 4%.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Fillimisht, përmbajtja përmban kundërthënie lidhur me numrin e pjesëmarrësve në sondazh. Në përshkrim pretendohet se janë intervistuar 300 qytetarë, ndërsa në imazh thuhet se janë anketuar vetëm dhjetëra qytetarë.

Po ashtu, nuk bëhet e ditur se cila kompani e ka realizuar sondazhin dhe mungojnë të dhënat për metodologjinë e përdorur. Përmbajtja gjithashtu nuk përfshin ndonjë vegëz (link) që do të dërgonte te një burim kredibil apo dokument mbështetës.


Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “Sondazhi i ditës – Prishtinë”, siç pretendohet në këtë përmbajtje, por rezultatet nuk shfaqin asnjë publikim nga media apo burime të besueshme që e konfirmojnë këtë sondazh (shih këtu).

Pse trajtohet kjo përmbajtje?

Përmbajtja e publikuar nga faqja “Kosova e Re” në Facebook, deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 1 mijë e 200 reagime, e afër 600 komente. Bazuar në komentet e lexuesve që paraqiten në këtë përmbajtje, vërehet se një numër i madh i tyre e kanë marrë këtë përmbajtje si të mirëqenë (shih fotografinë më poshtë).


Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Prandaj, lexuesi që has në një përmbajtje të tillë, për ta verifikuar atë nëse është sondazh kredibil apo jo, duhet të kontrollojë:

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 


Analiza

Një përmbajtje e publikuar në Facebook pretendon se është realizuar një sondazh në Prishtinë për partitë politike, ku LDK-ja me Vjosa Osmanin renditet e para me 40% të mbështetjes.

Megjithatë, përmbajtja përmban mospërputhje lidhur me numrin e të anketuarve, pasi në përshkrim pretendohet se janë intervistuar 300 qytetarë, ndërsa në imazh thuhet se janë anketuar dhjetëra persona. Po ashtu, nuk bëhet e ditur se kush e ka realizuar sondazhin, mungojnë të dhënat për metodologjinë dhe nuk ofrohet asnjë burim kredibil apo dokument mbështetës.

Pas kërkimit në Google, nuk është gjetur asnjë publikim i besueshëm që e konfirmon këtë sondazh.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere