info@hibrid.info
Fillimi i procesit mësimor nuk është shtyrë për 19 janar
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet një publikimi në TikTok, është pretenduar se nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkollat në Kosovë është shtyrë deri më 19 janar.

Sipas publikimit nga “bbvip.Kosova4” më 7 janar, shtyrja është bërë “për shkak të grevave të mësuesve dhe reshjeve të shiut”.

Pretendimi i plotë:

Kjo llogari ka publikuar një imazh ilustrues të një klase me mbishkrimet “Njoftim i rëndësishëm” dhe “Gjysmëvjetori i dytë shtyhet deri më 19.01.2026 te gjitha komunat e Kosoves pershkak grevave te mesuesve dhe reshjeve te shiut!”

Ndërkaq në përshkrim, llogaria ka shkruar se shtyrja e mësimit vlen për të gjitha shkollat e mesme dhe të ulëta. Aty është thënë se kjo do të bëhet për shkak të grevave për paga të mësuesve, por edhe për shkak të reshjeve të shiut. E në fund është thënë se “ky vendim esht bere si kerkes por ende nuk eshte realizuar, por shansa te medha ka qe do realizohet!!!”

Ndonëse me gabime drejtshkrimore dhe logjike, publikimi për më pak se 24 orë i ka marrë më shumë se 120 mijë shikime, që dëshmon audiencën e madhe.


E vërteta?

Pretendimi është i pasaktë.

Nisja e gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më 12 janar për shkak të gjendjes së krijuar nga vërshimet. Deri tash nuk ka njoftim të ri zyrtar, nëse është vendosur që nisja e gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë edhe për një javë tjetër, për më 19 janar.

Po ashtu, pretendimi se ka greva nga mësimdhënësit për çështjen e pagave nuk është i bazuar në faktet zyrtare.


Faktet për shtyrjen e nisjes së mësimit:

Në një njoftim të publikuar më 7 janar, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) bëri të ditur se ka vendosur që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri më 12 janar për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit. Mësimi ishte paraparë të niste më 8 janar (sot, e enjte).

Në të njëjtën faqe ku ishte bërë njoftimi për shtyrjen për dy ditë, nuk ka pasur njoftim tjetër që thekson se mësimi është shtyrë për 19 janar.

Një kërkim në “Google” me fjalët “Nisja e mësimit shtyhet për 19 janar” nuk rezulton në artikuj të mediave reale që konfirmojnë pretendimin e publikuar në TikTok.


Faktet për grevën e supozuar të mësimdhënësve:

Në një reagim të publikuar më 7 janar, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se e mbështet shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar. Megjithatë, ka vlerësuar se kjo nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete, duke kërkuar urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat.

“PARALAJMËRIM SINDIKAL: SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj”, thuhet në reagim.

Edhe nëse kërkohet me fjalët “SBASHK paralajmëron greva” në “Google”, në javën e fundit nuk shfaqen artikuj që mund ta mbështesin pretendimin në TikTok.

Pra, në njoftimin e fundit deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info, SBASHK nuk ka përmendur mundësinë e grevave për shkak të pagave të mësimdhënësve.


Analiza:

Është i pasaktë pretendimi i llogarisë “bbvip.Kosova4” në TikTok se nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkollat në Kosovë është shtyrë deri më 19 janar.

Edhe pretendimi se një prej arsyeve për shtyrje të nisjes së mësimit është greva e mësimdhënësve për paga, është i pavërtetë.

Ministria e Arsimit ka njoftuar shtyrjen për deri më 12 janar për shkak të vërshimeve. Nuk ka vendim zyrtar për shtyrje tjetër e as greva të mësimdhënësve për paga.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Leave a Reply