Të fundit | Titulli lë të kuptohet se lirimi i Thaçit me kusht është i sigurt Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin qershor 2026 Të fundit | Imazhet dhe videot e manipuluara që qarkulluan gjatë Botërorit 2026 Të fundit | Rishikimi i javës: Clickbait për rezultatet e AUV për “Vita”; mashtrim me I… Të fundit | Një llogari në TikTok me dhjetëra keqinformata me implikime fetare Të fundit | Pretendime të rreme se Edi Rama ka kërcënuar Kosovën dhe Albin Kurtin Të fundit | Jo projekti zyrtar, fotot e “stadiumit të ri të Kosovës” janë nga një konce… Të fundit | Si mund të dëmtohet reputacioni i një figure publike përmes pretendimeve të… Të fundit | Tituj çorientues mbi analizat e qumështit “Vita” Të fundit | Videoja ku Tërnava premton shërimin e diabetit për 24 orë është e gjeneruar…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Clickbait për rezultatet e AUV për “Vita”; mashtrim me IA për shërimin e diabetit; lajme të rreme për angazhimin e ushtarëve izraelitë në veri të Kosovës

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës së monitorimit 6–11 korrik, lajmet e rreme ishin forma dominuese e keqinformimit, duke përbërë kategorinë më të shpeshtë të rasteve të identifikuara.

Gjatë periudhës së monitorimit, lajmet e rreme u publikuan kryesisht në TikTok, duke u përqendruar në tema politike dhe të sigurisë. Pretendimet e identifikuara përfshinin dezinformata për një marrëveshje të supozuar sipas së cilës 1,000 ushtarë izraelitë do të angazhoheshin në ruajtjen e veriut të Kosovës, si dhe pretendime të pabazuara se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte kërcënuar Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me protestat në Tiranë. Verifikimi i fakteve tregoi se këto pretendime nuk mbështeteshin nga asnjë burim zyrtar apo dëshmi e besueshme dhe ishin ndërtuar mbi interpretime të rreme ose manipulim të përmbajtjeve ekzistuese.

Po ashtu, u identifikuan edhe raste të clickbait-it dhe përmbajtjeve të paverifikuara. Një rast clickbait lidhej me njoftimin e kompanisë “Vita”, e cila përmes titullit “EKSKLUZIVE: DALIN REZULTATET E AUV – VITA 100% QUMËSHT” krijoi përshtypjen se ishin publikuar rezultatet e inspektimeve më të fundit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa në të vërtetë bëhej fjalë për analiza të kryera disa muaj më parë. Ndërkohë, u identifikuan edhe pretendime të paverifikuara të shpërndara në media dhe rrjete sociale lidhur me pamjen e stadiumit të ri të futbollit në Kosovë, ku një koncept arkitekturor i realizuar si temë masteri u paraqit gabimisht si projekti zyrtar i stadiumit që pritet të ndërtohet për Lojërat Mesdhetare 2030, ndonëse autoritetet nuk kanë prezantuar ende një dizajn zyrtar.

Gjatë kësaj periudhe u identifikua edhe një rast mashtrimi i shpërndarë në Facebook, ku u publikua një video që shfaqte kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, duke promovuar një metodë të supozuar për shërimin e diabetit. Verifikimi tregoi se përmbajtja kishte gjasa të ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA) dhe ishte përdorur për të mashtruar publikun duke i atribuar në mënyrë të rreme deklarata një figure publike.

Lajm i rremë

Në TikTok ka qarkulluar një video me pretendimin për marrëveshje që 1 mijë ushtarë izraelitë do të ruajnë veriun e Kosovës. Nuk ka njoftim zyrtar apo burim kredibil që e konfirmon këtë pretendim. Pamjet në video janë të vizitës së ish-ministres së Jashtme të Kosovës nga viti 2022. Aty nuk ishte përmendur ndonjë çështje si në pretendim. NATO-ja ka mision sigurie në Kosovë, përmes KFOR-it. E Izraeli s’është pjesë e NATO-s. (këtu)

Dy publikimet në TikTok pretendojnë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërcënuar Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me protestat në Tiranë. Nga verifikimi i fakteve rezulton se nuk ka dëshmi në formën e një videoje, audioje apo deklarate zyrtare që Rama të ketë bërë deklarata të tilla. Kontrolli në llogaritë e tij zyrtare në rrjete sociale dhe në burimet e Qeverisë së Shqipërisë nuk ka konfirmuar pretendimet e paraqitura. Gjithashtu, në lidhje me Albin Kurtin, Rama ka deklaruar se ai nuk duhet të lidhet me veprimet e disa anëtarëve apo mbështetësve të Vetëvendosjes që morën pjesë në protesta, duke e përjashtuar atë nga përgjegjësia për këto veprime. (këtu)

Mashtrim

Publikohet një video-material që shfaq Naim Tërnavën, kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ku ai dëgjohet duke paraqitur një mundësi shërimi të diabetit. Video-materiali është publikuar në Facebook nga një faqja me emrin “Satslospejo Flantsperpro”. Përmbajtja në fjalë ka mundësi të lartë të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). (këtu)

Clickbait

Më 2 korrik të këtij viti, inspektorë të AUV kryen inspektime në fabrikën e qumështit “Vita”, ku morën mostra të produkteve të kësaj fabrike. Rezultatet e këtyre mostrave nuk janë publikuar ende, ndërsa kompania “Vita” ka publikuar një informacion më 6 korrik ku thuhet “EKSKLUZIVE: DALIN REZULTATET E AUV – VITA 100% QUMESHT”. Megjithatë, rezultatet për të cilat flet kompania në këtë rast janë të mostrave të marra në prill, analizat e të cilave janë përfunduar në maj, siç mund të shihet në dokumentet e bashkëngjitura në njoftim. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Nëpërmjet titujve në media të rajonit, por edhe në shqip në media sociale, kanë qarkulluar pretendime për pamjen se si do të duket stadiumi i ri i futbollit në Kosovë. Pretendimi i të gjithëve është se ky stadium do të ndërtohet për “Lojërat Mesdhetare 2030” që pritet të organizohen në kryeqytetin e Kosovës. Fotot paraqesin një koncept të arkitektit Ardit Hamza, pjesë e temës së tij të masterit, e jo projektin zyrtar. Nuk ka informacione zyrtare se është përzgjedhur ndonjë dizajnin për stadiumin e planifikuar për Lojërat Mesdhetare 2030. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere