info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Përmbajtje të paverifikuara lidhur me deklaratën e Vuçiqit për Kosovën dhe djegien e Qendrës Tregtare në Breg të Diellit; mashtrime për dhënie kredish dhe punësim; dhe lajme të rreme për rritjen e shtesave për fëmijë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale gjatë javës së kaluar ka nxjerrë në pah se përmbajtjet e paverifikuara kanë qenë forma dominuese e çrregullimit informativ.

Gjatë javës së kaluar janë publikuar disa përmbajtje të paverifikuara në media dhe rrjete sociale, të cilat përbëjnë shembuj të qartë të çrregullimit informativ. Më 6 qershor, disa media në gjuhën serbe, përfshirë nezavisne.com dhe standard.co.me, raportuan se në një hartë të ekspozuar në Danimarkë, emri i Serbisë ishte zëvendësuar gabimisht me “Kosova”. Ky pretendim është i pabazë, pasi përmbajtja ka qarkulluar që nga viti 2017 dhe nuk është konfirmuar kurrë nga ndonjë burim i besueshëm se një hartë e tillë ka qenë realisht e ekspozuar në Danimarkë. Më 12 qershor, portali GazetaInfokus.com publikoi në Facebook dhe Instagram një video me pretendimin se “është djegur komplet Qendra Tregtare në Breg të Diellit”, por pas verifikimit u konstatua se zjarri kishte përfshirë vetëm një pjesë të kulmit të objektit, e cila ishte lokalizuar dhe vënë nën kontroll për pak minuta, pa dëme të tjera të konsiderueshme. Një tjetër përmbajtje e paverifikuar u përhap lidhur me një deklaratë të supozuar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë Forumit GLOBSEC, ku pretendohej se ai kishte thënë se “Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Verifikimi i kryer nga hibrid.info tregoi se kjo fjali nuk është artikuluar nga Vuçiq, por është një ndërhyrje e moderatores së panelit.

Në javën që shkoi, janë përhapur edhe disa lajme të rreme në rrjetet sociale, të cilat pas verifikimit rezultuan të pabazuara në fakte. Një prej tyre ishte një video e publikuar në TikTok nga llogaria “forca.kosovesfsk”, ku pretendohej se Turqia i kishte dhuruar Kosovës një helikopter ushtarak. Pas një hulumtimi të detajuar, u vërtetua se helikopteri i shfaqur në video është prodhim amerikan dhe se Turqia nuk posedon një model të tillë, çka përjashton mundësinë që ajo ta ketë dhuruar atë. Po ashtu, më 5 qershor, në faqet “Kosova Report” dhe “Gazeta 17 Shkurti” në Facebook, u publikua një përmbajtje ku pretendohej se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se për çdo të porsalindur nga ky muaj do të ofrohen 2,176 euro gjatë vitit të parë. Edhe ky pretendim rezultoi i rremë, pasi nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare nga kryeministri që ta konfirmojë një iniciativë të tillë financiare. Këto raste ilustrojnë se si përmes videove dhe postimeve tërheqëse mund të përhapen me shpejtësi informacione të pavërteta, duke krijuar pritshmëri të rreme te publiku.

Gjatë javës është evidentuar përhapja e rasteve të mashtrimit, kryesisht përmes postës elektronike (email) dhe rrjeteve sociale, të cilat synojnë të manipulojnë përdoruesit dhe të keqpërdorin të dhënat e tyre personale. Një prej rasteve përfshinte një email të dërguar në gjuhën angleze nga adresa “messaging-service@post.xero.com”, me pretendimin se kompania Red Bull po kërkon punëtorë. Mesazhi përmbante një vegëz për aplikim, e cila, nëse klikohet, mund të rrezikojë të dhënat personale të përdoruesve. Pas analizës, u vërtetua se ky ishte një rast mashtrimi që nuk ka lidhje me kompaninë Red Bull. Një tjetër rast mashtrimi u identifikua në Facebook, në faqen “Kredi Personale e Sigurt”, e krijuar më 27 mars 2025, e cila pretendon se ofron kredi të ndryshme. Hulumtimi ka zbuluar se kjo faqe keqpërdor materiale promocionale të institucioneve bankare në Kosovë, duke hequr logot zyrtare të tyre dhe duke i paraqitur si përmbajtje të vetën.

Një teori konspirative është publikuar në rrjetin social X, ku pretendohej se më 7 qershor shqiptarët kishin dëmtuar dhe përdhosur varrezat ortodokse serbe në Rahovec. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, u konstatua se ky pretendim nuk mbështetet në asnjë fakt konkret dhe nuk ofrohet asnjë provë që dëshmon përfshirjen e shqiptarëve në këtë incident.

Një rast manipulimi i fakteve është evidentuar më 5 qershor, kur në Facebook u publikua një imazh i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, i shoqëruar me një mbishkrim që pretendon se ajo e ka quajtur të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e shtesave për lehonat. Megjithatë, pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është konstatuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga deputetja Hoxha dhe as nga PDK.

Përmbajtje e paverifikuar

Publikohen disa artikuj që raportojnë se në një hartë të Evropës, e ekspozuar në Danimarkë, emri i Serbisë është zëvendësuar gabimisht me “Kosova”. Këto përmbajtje me këtë pretendim janë publikuar nga disa media në gjuhën serbe si “nezavisne.com” dhe “standard.co.me” më 6 qershor. Lajmi është i vjetër dhe ka qarkulluar të paktën që nga viti 2017 dhe nuk është konfirmuar asnjëherë se ka ndodhur në Danimarkë. (këtu)

Më 12 qershor u publikua një video nga portali “GazetaInfokus.com” në faqet zyrtare në Facebook dhe Instagram, me pretendimin se “është djegur komplet Qendra Tregtare në Breg të Diellit”. Ky pretendim rezulton të jetë i pavërtetë. Pas hulumtimit të kryer online dhe verifikimit të burimeve zyrtare, u konstatua se zjarri ka përfshirë vetëm një pjesë të kulmit të objektit, e mbuluar me material pleksiglas, e që më pas zjarri është lokalizuar shpejt dhe është vënë nën kontroll brenda pak minutash, pa u shpërndarë në pjesë të tjera të objektit. (këtu)

Në media po qarkullon pretendimi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në Forumin GLOBSEC se “Beogradi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Megjithatë, pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se kjo fjali nuk është thënë shprehimisht nga Vuçiq, por ishte një formulim i moderatores së panelit. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një video-materiali në të cilin shfaqet një helikopter, pretendohet se i njëjti i është dhuruar Kosovës nga Turqia. Ky pretendim u publikua në formë postimi në TikTok nga llogaria “forca.kosovesfsk”. Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se helikopteri që shfaqet në pamje është prodhim amerikan dhe se një model të tillë nuk e posedon Turqia. (këtu)

Në media sociale është publikuar një përmbajtje me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar që për çdo të porsalindur nga ky muaj do të ofrohen 2,176 euro gjatë vitit të parë. Kjo përmbajtje me këtë pretendim është publikuar (5 qershor) në Facebook nga faqet “Kosova Report” dhe “Gazeta 17 Shkurti”. Pretendimi është i pasaktë, pasi nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare e kryeministrit Albin Kurti që konfirmon pagesën e pretenduar për të porsalindurit. (këtu)

Mashtrim

Është hasur një email në përmbajtjen e të cilit pretendohet se kompania Red Bull po kërkon punëtor. Ky mesazh elektronik është dërguar në gjuhën angleze nga një email adresë “messaging-service@post.xero.com” dhe përmban një vegëz ku mund të klikohet dhe të aplikohet për këtë vendin e pretenduar të punës. Ky mesazh është mashtrim dhe mund të rrezikojë të dhënat tuaja nëse klikohet në vegëzën të cilën e përmban. (këtu)

Një faqe në Facebook me emrin “Kredi Personale e Sigurt”, e krijuar më 27 mars 2025, pretendon se ofron kredi të ndryshme, por pas hulumtimit është vërtetuar se ajo keqpërdor materiale të institucioneve bankare në Kosovë, duke ua hequr logot dhe i paraqet ato si përmbajtje të sajat. Dy nga rastet e identifikuara janë kampanja të Bankës NLB dhe ProCredit Bankës, të cilat kjo faqe i ka kopjuar dhe prezantuar në mënyrë të rreme. Përveç keqpërdorimit të përmbajtjes, faqja e lartcekur nuk ka ueb-faqe zyrtare, nuk ofron asnjë informacion në seksionin “About” dhe komunikimin e bën vetëm përmes Messenger-it, çka e bën edhe më të dyshimtë. (këtu)

Teori konspirative

Përmes një postimi në X, u pretendua se më 7 qershor shqiptarët kishin dëmtuar dhe përdhosur varrezat ortodokse serbe në Rahovec. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, u konstatua se ky pretendim nuk mbështetet në fakte dhe nuk ofrohet asnjë provë që vërteton përfshirjen e shqiptarëve në këtë incident. Për këtë rast, më 7 qershor kishte raportuar edhe mediumi serb në Kosovë “radiokim.net”, ku sulmin e paraqet si pjesë e një “serie sulmesh” ndaj varrezave serbe në Rahovec, por pa përmendur kryes konkretë. Ndërsa në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës (7 qershor) nuk përfshihet kjo ngjarje. (këtu)

Manipulim i fakteve

Është publikuar një imazh ku shfaqet Eliza Hoxha, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me mbishkrimin që pretendon se ajo e ka vlerësuar si të kundërligjshëm vendimin e 5 qershorit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e shtesave për lehonat. Kjo fotografi është publikuar (5 qershor) në Facebook nga një llogari me emrin “Fleta Press”, me përshkrimin që pretendon se PDK me anë të deputetes Hoxha janë shprehur kundër rritjes së shtesave për nënat lehona duke kërkuar që këto shtesa duhet të ndalen sa më parë ose vendimi do të dërgohet në instanca gjyqësore. Hibrid.info ka gjetur se në fakt PDK nuk janë deklaruar se do të dërgojnë vendimin për rritjen e shtesave në ndonjë institucion gjyqësor. (këtu)

Share With Others