Të fundit | Videoja ku Tërnava premton shërimin e diabetit për 24 orë është e gjeneruar… Të fundit | S’ka marrëveshje për 1 mijë ushtarë izraelitë në veri të Kosovës Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime politike të rreme, narrativa dezinformuese pë… Të fundit | Fabrika e qumështit s’u mbyll nga Qeveria, por nga bordi i kompanisë Të fundit | Trump nuk ka bërë thirrje publike për anëtarësimin e Kosovës në NATO Të fundit | Faktet rreth gjykimit “Thaçi dhe të tjerët” dhe keqinformatat ndër vite Të fundit | Rikthehet pretendimi i rremë për “deklaratë” të Rifat Jasharit ndaj Edi Ram… Të fundit | Shtrenjtimi i biletave vs. digjitalizimi i shërbimeve Të fundit | NATO nuk tha se Kosova nuk u ftua në Samitin e Ankarasë për shkak të rrezik… Të fundit | Konferenca përmbyllëse e projektit “Bashkëpunimi me Media në Kosovë”
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Pretendime politike të rreme, narrativa dezinformuese për armatimin në veri të Kosovës dhe manipulime mbi qëndrimet e NATO-s për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samit

FESTIM RIZANAJ

Nga analiza e përmbajtjeve të monitoruara gjatë periudhës 29 qershor – 4 korrik, rezulton se lajmet e rreme ishin forma më e përhapur e keqinformimit.

Gjatë periudhës së monitorimit, lajmet e rreme u identifikuan kryesisht në rrjetet sociale Facebook dhe TikTok, ku u shpërndanë pretendime të fabrikuara që lidheshin me figura politike dhe kombëtare. Njëra nga temat kishte të bënte me një citim të rremë që i atribuohej Rifat Jasharit, sipas të cilit ai i drejtohej kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me akuza për raportet e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Tema tjetër lidhej me politikën e jashtme dhe sigurinë, ku në TikTok u pretendua në mënyrë të rreme se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kishte bërë thirrje NATO-s që ta pranonte Kosovën si anëtare. Në të dyja rastet, verifikimi tregoi se bëhej fjalë për pretendime tërësisht të fabrikuara, pa asnjë bazë faktike, të cilat synonin të manipulonin opinionin publik duke shfrytëzuar tema me interes të lartë politik dhe kombëtar.

Dezinformatat dhe dezinformatë/manipulim i fakteve u përhapën kryesisht në TikTok dhe në disa portale informative, duke trajtuar tema të sigurisë dhe ekonomisë. Në TikTok u publikua një video që pretendonte se tri vetura me armatim nga Serbia ishin futur gjatë javës në Leposaviq dhe se KFOR-i ishte vënë në ndjekje të tyre. Faktet tregonin se videoja ishte e vjetër. Ndërkohë, disa media online në Kosovë dhe Shqipëri publikuan artikuj me pretendimin se një fabrikë e qumështit ishte mbyllur me vendim të Qeverisë së Kosovës. Verifikimi tregoi se ky pretendim ishte manipulues, pasi fabrika ishte inspektuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa vendimi për mbylljen e përkohshme ishte marrë nga vetë kompania. Këto raste ilustrojnë përdorimin e dezinformatave dhe manipulimit të fakteve për të krijuar perceptime të rreme mbi çështje me interes të lartë publik.

Gjatë periudhës së monitorimit u identifikuan edhe raste të përmbajtjeve të paverifikuara dhe manipulimit të fakteve, të shpërndara në portale informative dhe rrjete sociale. Njëra prej tyre pretendonte se semaforë në Itali dhe Gjermani ishin shkrirë nga temperaturat ekstreme, ndërsa verifikimi tregoi se pamjet ishin të vjetra dhe dëmet ishin shkaktuar nga zjarre, jo nga vala e të nxehtit. Një rast tjetër lidhej me artikujt e publikuar nga disa media në gjuhën shqipe, të cilët, përmes një titulli manipulues (clickbait), krijonin përshtypjen se NATO nuk e kishte ftuar Kosovën në Samitin e Ankarasë për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit. Në fakt, deklarata e NATO-s për sigurinë ishte një qëndrim i përgjithshëm dhe nuk përbënte arsyetim për mosftesën e Kosovës, duke e bërë titullin një interpretim të pasaktë të fakteve.

Përmbajtje e paverifikuar

Në portale e media sociale kanë qarkulluar tituj që pretendojnë se në Itali e Gjermani ka pasur raste të shkrirjes së semaforëve si pasojë e të nxehtit ekstrem që ka mbizotëruar ditë më parë. Bëhet fjalë për një video në të cilën shihen dy semaforë të deformuar. Semaforët në video nuk janë të shkrirë nga moti ekstrem. Bëhet fjalë për raste të mëhershme. Dëmet ishin shkaktuar nga zjarri që ka kapluar një veturë në Itali dhe një lokal në Gjermani. (këtu)

Dezinformatë

“Lajm i fundit: 3 vetura me armatime nga Serbia u futen ne Leposavic mbremjen e sotit, KFOR ne ndjekje SI U FUTEN VALLE?” është përshkrimi i vendosur në një video të publikuar në TikTok në orët e para të 30 qershorit. Për rreth 12 orë nga publikimi, videoja e llogarisë “albinii33” ka marrë më shumë se 260 mijë shikime, mbi 3000 reagime e dhjetëra komente. Përderisa postimi pretendon për ngjarje “të sotme” dhe për futjen e “armatimit”, kjo nuk mbështetet në fakte. (këtu)

Dezinformatë / Manipulim i fakteve

Publikohen përmbajtje në të cilat pretendohet se një fabrikë e qumështit është mbyllur me vendim të Qeverisë së Kosovës. Artikujt me këtë pretendim janë publikuar të enjten (2 korrik) në mediat “GazetaBlic.com” “GazetaTema.net”, “Shqiptarja.com”, “Report-tv.al”  dhe në portalin e dyshimtë “infofirst.net”. Pretendimi në titull nuk është i saktë. Fabrika u inspektua nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ndërsa vendimi përmbyllje të përkohshme të saj është marrë nga vetë kompania. (këtu)

Manipulim i fakteve / Clickbait

Publikohet një artikull i titulluar “NATO tregon pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Ankarasë: S’lejojmë të rrezikohet siguria e rajonit”. Tekstet me këtë titull janë publikuar të hënën (29 qershor) nga disa media në gjuhën shqipe. Në këtë titull lihet të kuptohet se NATO e justifikoi mosftesën e Kosovës me nevojën për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit. Deklarata për sigurinë e rajonit ishte një qëndrim i përgjithshëm mbi rolin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe u vendos në titull pas dy pikave, duke krijuar një ndërlidhje të pasaktë shkak-pasojë me mosftesën e Kosovës. (këtu)

Lajm i rremë

Në mediat sociale Facebook dhe TikTok po qarkullon një imazh me fotografinë e Rifat Jasharit, vëllait të Adem dhe Hamëz Jasharit, i shoqëruar me mbishkrimin se ai i është drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me fjalët: “Përqafimet e puthjet me Vuçiqin do i paguash shtrenjtë nga Kosova, mbaje mend”. Publikimet e paraqesin këtë citim si deklaratë autentike të Jasharit ndaj Ramës. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi është i rremë. (këtu)

Në një postim në TikTok është pretenduar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje NATO-s që ta pranojë Kosovën si anëtare. “Ekskluzive, presidenti i SHBA-së, Donald trump, i bën thirrje NATO-s ta pranojë Kosovën që të bëhet anëtare”, është mbishkrimi në një video në të cilën shihet Trumpi duke folur para një turme. Trumpi nuk ka dhënë deklaratë të tillë. Një deklaratë e tillë nuk është dhënë as në fjalimin mbi të cilin është bërë pretendimi e as nuk mund të gjendet online që është bërë ndonjëherë deri tash. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere