[email protected]
Nga fotografia mund të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga Ramush Haradinaj
shape
shape
shape

Portali informativ “Korrespodenti.com” ka publikuar dje (8 dhjetor) një artikull me titull “Albin Kurti të jep dorëheqje – na e rregullojmë veriun bashkë me Radoiçiqin”.

Në fotografinë e përdorur në këtë artikull shihet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Me anë të titullit dhe fotografisë, lë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ky është vetëm një postim në Facebook nga analisti politik, Imer Mushkolaj, i cili në llogarinë e tij në këtë rrjet social shkruan: “Albin Kurti të jep dorëheqje – na e rregullojmë veriun bashkë me Radoiçiqin🤦‍♂️”. (shih këtu)


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “Korrespodenti”:

https://korrespodenti.com/lajme/albin-kurti-te-jep-doreheqje-na-e-rregullojme-veriun-bashke-me-radoiciqin/?fbclid=IwAR3FpVr2sJH1glHJztWbhQQcAl6H-BHgwAJh-4mRPHsUoJF19ztxSlTvOJA


Ky artikull është publikuar më pas edhe nga portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe si “dogoodness.info” dhe “gazetaalba.info”.

Përveç në këto portale të lartcekura, artikulli është shpërndarë edhe në Facebook nga faqet “Korrespodenti”, “Kosova jonë” dhe “Gazeta Prishtina”.


Mushkolaj këtë status në llogarinë e tij në Facebook, rezulton ta ketë bërë pas shkrimit të Haradinajt në këtë rrjet social, duke i kërkuar kryeministrit Albin Kurtit që të jap dorëheqje. (shih këtu)


Fotografia e përdorur në artikullin e publikuar nga portali “Korrespodenti.com” e më pas e shpërndarë edhe nga portalet e dyshimta i përket ngjarjes së muajit korrik të vitit 2018-të, kur kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, kishte zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin e këtij subjekti Milan Radojiçiq. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali “Korrespodenti.com” ka publikuar një artikull me titull të paqartë dhe fotografi jo adekuate, duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga Ramush Haradinaj.

Lajmi qartësohet në përmbajtje, ku shpjegohet se artikulli është i ndërtuar nga një status i analistit politik, Imer Mushkolaj, i bërë në profilin e tij në Facebook.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others