Të fundit | Narrativat e zyrtarëve rusë për situatën në Kosovë: “spastrim etnik” i serb… Të fundit | Bajrami nuk ka deklaruar se Kurti i ka rikthyer dinjitetin Kosovës Të fundit | Narrativa serbe për hapjen e urës së Ibrit: nga fajësimi i Perëndimit te ri… Të fundit | Titulli nuk e tregon se tenderi përfshin edhe institucione që nuk janë pjes… Të fundit | Narrativat për projektin turistik të Kushnerit në Shqipëri Të fundit | Grenell nuk tha se “në shtator do të ketë zgjedhje pas kthimit të Thaçit” Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere…
[ ARTIKULLI ]

Semaforët në video nuk janë të shkrirë nga moti ekstrem

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

PËRMBAJTJE E PAVERIFIKUAR

Nuk është e vërtetë se vala e të nxehtit në Itali e Gjermani shkriu semaforë. Dëmtimet u shkaktuan nga zjarret.

Në portale e media sociale kanë qarkulluar tituj që pretendojnë se në Itali e Gjermani ka pasur raste të shkrirjes së semaforëve si pasojë e të nxehtit ekstrem që ka mbizotëruar ditë më parë (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Bëhet fjalë për një video në të cilën shihen dy semaforë të deformuar.

Publikimet kanë marrë mijëra reagime në të gjitha platformat.

Çka nuk shkon me këto publikime?

Semaforët në video nuk janë të shkrirë nga moti ekstrem. Bëhet fjalë për raste të mëhershme. Dëmet ishin shkaktuar nga zjarri që ka kapluar një veturë në Itali dhe një lokal në Gjermani.


Trajtimi i videos së parë – rasti i Italisë:

Një kërkim në “Google” përmes fotografive të shkëputura nga videoja çon në artikuj që lidhen me djegien e një veture në provincën e Veronas.

Mediumi lokal “tgverona.telenuovo.it” ka shkruar për videon e famshme. Sipas shkrimit, publikimi fillimisht u bë nga llogaria në Instagram “Johnny Puttini” më 24 qershor. Ai e ka bërë publikimin satirik me pretendimin  se “është aq nxehtë në Verona sa që edhe semaforët po shkrihen”. Videoja e tij i ka marrë më shumë se 1.5 milionë shikime (shih këtu). E 35-vjeçari ka thënë me shaka se kurrë më herët nuk ka pasur kaq shumë vëmendje të mediave. 

Për të konfirmuar se bëhet fjalë për zjarr që nuk lidhet me motin ekstrem, ka raportuar edhe media tjetër italiane “Il Baco da Seta”. Siç ka shkruar kjo medie, më 23 qershor në rrugën në Lugagnano të Veronas është djegur një veturë e se si pasojë e djegies së saj temperatura tejet e lartë ka dëmtuar semaforin. Në raportimin e datës 23 qershor të “Il Baco da Seta” shihen videot që tregojnë veturën në zjarr fare afër semaforit.

Fotografia dhe videot e publikuara nga kjo medie (shih poshtë) përkojnë edhe me pamjet e “Google Maps” të lokacionit në fjalë, çka dëshmon për vendin e supozuar të ngjarjes.

Kërkimi me pamje nga videoja e publikuar tregon se ajo është reale dhe nuk është gjeneruar me inteligjencë artificiale, sipas vlerësimit të platformës për detektimin e përmbajtjeve me IA “Hivemoderation”.


Trajtimi i videos së dytë – rasti i Gjermanisë:

Sa i përket pjesës së dytë të videos, kërkimi në “Google” me sekuenca të videos çoi në një publikime edhe në gjuhë të tjera në media sociale (shih këtu). Pati komente që pretenduan se videoja nuk shfaq semafor të shkrirë si pasojë e motit ekstrem tash, por se bëhet fjalë për dëmtime të verës së shkuar si pasojë e zjarrit që kishte dëmtuar një lokal në qytetin e Berlinit.

Duke marrë këto për bazë, Hibrid.info arriti të gjente artikujt që konfirmonin se në qershor 2025 ka pasur zjarr në pjesën e jashtme të lokalit të muzikës “Wild Renate”. Pamjet tregonin afërsinë e semaforëve e shkrimi i “Berliner Morgenpost” i datës 19 qershor 2025 theksonte se ka pasur dëmtime te semaforët dhe se ka qenë i detyrueshëm ndërrimi i tyre.

Edhe një video e asaj kohe e publikuar nga “rbb24.de” konfirmonte zjarrin në këtë lokal. Pamjet e përdorura në material tregojnë edhe ndërtesat përreth lokalit. Bazuar në to, dhe gjetjen e lokacionit me “Google Maps”, është vërtetuar se bëhet fjalë për semaforët e njëjtë si në videon që pretendohet se semaforët janë dëmtuar si pasojë e temperaturave ekstreme të ditëve të fundit. Kjo tregon se videoja mund të jetë bërë atë kohë.

Pamjet e 19 qershorit 2025:

Pamjet nga “Google Maps” tregojnë se bëhet fjalë pikërisht për të njëjtin vend si pretendimi se semaforët janë shkrirë nga i nxehti (shih ndërtesat përreth):

Videoja që po trajtohet, e që tregon në prapavijë ndërtesën e bardhë si në fotografitë më lartë:

As imazhet e ndara nga kjo video nuk kanë rezultuar të jenë të gjeneruara me IA.


Hibrid.info ka kërkuar edhe në “Google” për artikuj ndërkombëtarë nëse ka pasur shkrirje të semaforëve si pasojë e nxehtit në Gjermani dhe Itali. Nuk është hasur publikim nga ndonjë medie kredibile. Janë hasur videot e njëjta si ato që po trajtohen.


Ditëve të fundit, disa shtete evropiane kanë njoftuar për temperatura rekorde të larta (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se moti ekstrem që ka mbizotëruar këto ditë në Gjermani e Itali ka shkrirë semaforë, nuk mbështetet në fakte.

Verifikimet tregojnë se në Itali dëmtimi u shkaktua nga zjarri i një veture në Verona, ndërsa në Gjermani nga zjarri në lokalin “Wild Renate” në Berlin vitin e shkuar.

Nuk ka dëshmi as nga media kredibile për shkrirje semaforësh si pasojë e valës së të nxehtit.

Arsyetimi

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere