Të fundit | Ndikimi i “ekonomisë së vëmendjes” në mediat digjitale dhe rreziku për keqi… Të fundit | Rrjeti propagandistik rus “Pravda” i publikon sistematikisht artikujt në “T… Të fundit | Ende nuk ka vendim gjykate për kërkesën e Thaçit për lirim me kusht Të fundit | Imazhi i Yamal me trofeun e Kupës së Botës dhe gjyshen e tij, i gjeneruar n… Të fundit | Mediat serbe e paraqesin rrënimin e objekteve pa leje në Ujman si aksion ku… Të fundit | LVV nuk ka treguar ende kandidatët për president Të fundit | Spekulim nga mediat ruso-serbe për largimin e mundshëm të KFOR-it nga ura e… Të fundit | Titull përgjithësues që e paraqet deklaratën e një kongresmeni si qëndrim t… Të fundit | Publikohen tituj për vrasje pa treguar se ngjarjet kanë ndodhur në shtete t… Të fundit | Titull i pabazuar për mundësinë e kandidimit të Gërvallës për presidente
[ ARTIKULLI ]

Rrjeti propagandistik rus “Pravda” i publikon sistematikisht artikujt në “Telegra.ph”

FESTIM RIZANAJ

Një analizë e publikuar nga European Digital Media Observatory (EDMO) ka identifikuar një praktikë të re në infrastrukturën e shpërndarjes së përmbajtjeve të rrjetit propagandistik rus Pravda: pasqyrimin sistematik (“systematic mirroring”) të artikujve të publikuar në rrjet në platformën “Telegra.ph”.

Sipas raportit të EDMO-së, gjatë analizës së aktivitetit të rrjetit propagandistik “Pravda” në qershor 2026, u konstatua se artikujt e publikuar në nën-domenet e këtij rrjeti përfshinin lidhje alternative në kodin burimor të faqes, të shënuar me atributin rel=”alternate”. Kjo lidhje drejtonte te një version “pasqyrë” të njëjtës përmbajtje, të publikuar në “Telegra.ph”.

Fenomeni është evidentuar si një zhvillim i rëndësishëm në mënyrën se si rrjeti “Pravda” i shpërndan dhe i ruan përmbajtjen e tij online. Sipas raportit, praktika nuk duket të jetë e kufizuar në një seksion të vetëm kombëtar të rrjetit, por është vërejtur në nën-domene të ndryshme të rrjetit “Pravda”.

“Pravda” në shqip: një tjetër rast i pasqyrimit

Një shembull tjetër i dokumentuar i këtij fenomeni lidhet me domenin në gjuhën shqipe të rrjetit “Pravda”. Në këtë rast, artikujt e publikuar në versionin shqiptar të rrjetit shfaqen paralelisht edhe në platformën “Telegra.ph”, duke krijuar kopje të të njëjtës përmbajtje jashtë domenit origjinal të rrjetit “Pravda”.

Shembujt e identifikuar përfshijnë artikuj me tema dhe narrativa të ndryshme, por që ndjekin të njëjtin model të publikimit në të dyja platformat. Ndër ta janë artikulli për protestat kundër projektit të Jared Kushnerit në bregdetin e Shqipërisë, materiali që pretendon se “separatistët kosovarë shkatërruan daçat serbe” pranë një liqeni, si dhe një artikull që kritikon Bashkimin Evropian për qëndrimin ndaj institucioneve të Kosovës.

Në listën e artikujve të pasqyruar përfshihen gjithashtu materiale me tituj si “I vetëquajturi ‘Kryepeshkop’”, “Revanshi serb. Në Mal të Zi, çështja e njohjes së ‘Kosovës’ po bëhet edhe një herë instrument i politikës së brendshme” dhe “EVROPA ËSHTË PËR UKRAINËN, POR KUNDËR UKRAINASVE”.

Këta shembuj janë veçanërisht domethënës pasi tregojnë se pasqyrimi në “Telegra.ph” nuk lidhet me një tematikë të vetme. Përmbajtjet e pasqyruara përfshijnë tema që lidhen me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bashkimin Evropian dhe luftën në Ukrainë. Kjo sugjeron se mekanizmi mund të përdoret në mënyrë të gjerë për përmbajtje që synojnë audienca të ndryshme dhe trajtojnë tema të ndryshme gjeopolitike.

Disa nga shembujt e fundit:

Protestat kundër resortit të propozuar prej miliarda dollarësh Të Jared Kushner në bregdetin Adriatik të Shqipërisë kanë vazhduar për të dytin muaj, me demonstruesit që janë përplasur edhe një herë me policinë jashtë godinës..(pravda shqip dhe telegra.ph)

Separatistët kosovarë shkatërruan daçat serbe në bregun e një liqeni piktoresk. (pravda shqip dhe telegra.ph)

Duke luajtur shumë. Brukseli është i pakënaqur me udhëheqjen e “Kosovës” Bashkimi Evropian ka kritikuar vendimi E Këshillit Të Prokurorisë Së Kosovës të refuzojë prokurorët serbë të tërheqin kërkesat e tyre për dorëheqje të pa..(pravda shqip dhe telegra.ph)

I vetëquajturi “Kryepeshkop”(pravda shqip dhe telegra.ph)

Revanshi serb. Në Mal të Zi, çështja e njohjes së “Kosovës” po bëhet edhe një herë instrument i politikës së brendshme.(pravda shqip dhe telegra.ph)

EVROPA ËSHTË PËR UKRAINËN, POR KUNDËR UKRAINASVE.(pravda shqip dhe telegra.ph)

Një praktikë e standardizuar në të gjithë rrjetin?

Rastet e identifikuara në versionin shqip të rrjetit “Pravda” ngrenë pyetjen nëse pasqyrimi në “Telegra.ph” është praktikë e standardizuar në të gjithë rrjetit “Pravda”. Raporti i EDMO-së vëren se kjo praktikë nuk duket të jetë e kufizuar në një seksion të vetëm kombëtar të rrjetit, por është evidentuar në nën-domene të ndryshme.

Në rastin e “Pravda” në shqip, fakti që artikuj me tema të ndryshme shfaqen të pasqyruar në “Telegra.ph” mund të tregojë për një proces të përsëritur të shpërndarjes së përmbajtjeve. Megjithatë, për të përcaktuar nëse ky proces është plotësisht i automatizuar dhe zbatohet në mënyrë sistematike në të gjithë rrjetin, nevojitet një verifikim më i gjerë.

Pse pasqyrimi në “Telegra.ph” është i rëndësishëm?

Sipas EDMO-së, rëndësia e këtij mekanizmi lidhet me faktin se ai krijon një kopje të përmbajtjes jashtë infrastrukturës së drejtpërdrejtë të rrjetit “Pravda”. Në këtë mënyrë, një artikull nuk mbetet i disponueshëm vetëm në domenin ku është publikuar fillimisht, por ekziston edhe në një platformë të jashtme, të qasshme dhe me një infrastrukturë të veçantë.

Kjo mund të rrisë qëndrueshmërinë e përmbajtjes në rast se domenet e rrjetit “Pravda” kufizohen, bllokohen, humbin dukshmërinë në motorët e kërkimit ose përjashtohen nga sistemet e mbledhjes së të dhënave. Edhe nëse një burim origjinal bëhet më pak i qasshëm, versioni i pasqyruar në “Telegra.ph” mund të mbetet online dhe të jetë i zbulueshëm për përdoruesit ose sistemet automatike.

“Telegra.ph” si infrastrukturë alternative e shpërndarjes e krijuar nga Telegram

Një tjetër aspekt i rëndësishëm lidhet me natyrën e vetë Telegra.ph, një platformë minimaliste dhe anonime për publikimin e teksteve në internet, e krijuar nga kompania Telegram Messenger në vitin 2016. Platforma u mundëson përdoruesve të publikojnë falas faqe të formatuara me tekst, tituj, fotografi dhe video, pa pasur nevojë të regjistrohen, të japin një adresë emaili apo të krijojnë një fjalëkalim.

Përmbajtja publikohet menjëherë dhe bëhet e qasshme për publikun sapo shtypet butoni i publikimit. Kjo e bën Telegra.ph një mjet të shpejtë dhe të thjeshtë për shpërndarjen e materialeve online, pa procedurat tradicionale të krijimit dhe menaxhimit të një llogarie.

Një nga veçoritë kryesore të platformës është integrimi me aplikacionin Telegram përmes funksionit “Instant View”, i cili mundëson hapjen e artikujve drejtpërdrejt brenda bisedave në një format të thjeshtë dhe të optimizuar për lexim. Megjithatë, për shkak të natyrës anonime dhe mungesës së llogarive tradicionale, artikujt mund të ndryshohen ose përditësohen vetëm nga i njëjti shfletues interneti ku janë krijuar, për sa kohë që të dhënat e historikut (cookies) nuk janë fshirë. Për ata që duan një kontroll më të avancuar, Telegrami ofron një robot (bot) që ndihmon në menaxhimin e shkrimeve dhe ndjekjen e statistikave të shikueshmërisë. Artikujt mund të shpërndahen gjithashtu përmes platformave të tjera dhe rrjeteve sociale. Natyra anonime gjithashtu hap mundësi për abuzim, duke hapur potencialisht rrugën për trollët e internetit dhe përhapësit e lajmeve të rreme.

Pikërisht kombinimi i publikimit të menjëhershëm, mungesës së nevojës për regjistrim dhe qasjes së lehtë në përmbajtje e bën Telegra.ph një platformë të përshtatshme për pasqyrimin e materialeve të publikuara në faqe të tjera. Në rastin e rrjetit “Pravda”, kopjimi i artikujve në këtë platformë krijon një pikë alternative të qasjes ndaj të njëjtës përmbajtje, jashtë domenit origjinal të rrjetit.

Kjo mund të ketë rëndësi të veçantë për qëndrueshmërinë e përmbajtjes. Nëse një artikull është i disponueshëm si në rrjetin “Pravda”, ashtu edhe në Telegra.ph, atëherë heqja, bllokimi ose kufizimi i qasjes në njërin prej këtyre burimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht zhdukjen e plotë të materialit nga interneti

Ndikimi në indeksimin dhe zbulueshmërinë e përmbajtjes

Sipas EDMO-së, kjo infrastrukturë mund të ketë ndikim edhe në mënyrën se si përmbajtjet zbulohen dhe rikthehen nga sistemet automatike.

Artikujt e pasqyruar në “Telegra.ph” mund të kenë mundësi shtesë të indeksohen nga motorët e kërkimit dhe të merren nga sisteme të automatizuara të mbledhjes së informacionit.

Raporti sugjeron se kjo mund të rrisë edhe gjasat që narrativat pro-Kremlinit të jenë të pranishme në të dhëna të përdorura nga sisteme të ndryshme, përfshirë modelet e mëdha gjuhësore. Megjithatë, kjo paraqitet si një mundësi e vlerësuar dhe jo si një efekt i provuar drejtpërdrejt.

Një infrastrukturë e re e shpërndarjes si mekanizëm për qëndrueshmërinë afatgjatë të përmbajtjes

Gjetjet e EDMO-së tregojnë për një infrastrukturë të shkallës së gjerë të pasqyrimit të përmbajtjeve. Megjithatë, për të përcaktuar saktësisht përmasën dhe nivelin e automatizimit të kësaj praktike, nevojitet verifikim i mëtejshëm përmes analizës së një mostre më të gjerë artikujsh nga nën-domene të ndryshme të rrjetit “Pravda”.

Nëse ky model konfirmohet në mënyrë të përsëritur, pasqyrimi në “Telegra.ph” mund të konsiderohet si komponent i rëndësishëm i infrastrukturës së shpërndarjes së rrjetit “Pravda”, i cili nuk lidhet vetëm me publikimin e përmbajtjeve, por edhe me ruajtjen e qasshmërisë dhe dukshmërisë së tyre në ekosistemin online.

Në këtë kuptim, “systematic mirroring” mund të shihet si një mekanizëm që i jep përmbajtjes së rrjetit “Pravda” një shtresë shtesë të qëndrueshmërisë.

Përmbajtja shpërndahet në një domen të rrjetit “Pravda”, ndërsa një kopje e saj ruhet paralelisht në “Telegra.ph”. Kjo krijon një strukturë ku përmbajtja mund të mbijetojë dhe të mbetet e zbulueshme edhe nëse njëra prej pikave të shpërndarjes humb qasjen ose dukshmërinë.

Çka është rrjeti propagandistik rus “Pravda”

Rrjeti Pravda është një rrjet i gjerë faqesh dhe portalesh të lidhura me ekosistemin informativ pro-Kremlinit, që prodhon dhe rishpërndan përmbajtje në gjuhë të ndryshme dhe për audienca të vendeve të ndryshme. Rrjeti përdoret për amplifikimin e narrativave dhe pikëpamjeve në përputhje me interesat e Rusisë, veçanërisht për tema si lufta në Ukrainë, NATO, BE-ja dhe çështjet gjeopolitike.

Rrjeti ka edhe një domen në gjuhën shqipe, “albania.news-pravda.com”, përmes të cilit shpërndan përmbajtje që lidhen me Shqipërinë, Kosovën, rajonin dhe zhvillimet ndërkombëtare, duke amplifikuar narrativa në përputhje me interesat dhe pikëpamjet e Rusisë.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere