info@hibrid.info
Sqarim lidhur me reagimin e ministrit në detyrë Hekuran Murati ndaj artikullit të publikuar nga Hibrid.info
shape
shape
shape

Më 26 qershor 2025, Hibrid.info publikoi një artikull të verifikimit të fakteve me titull “Deklarata e ministrit Murati se opozita refuzoi votimin e marrëveshjes për kredinë 90 milionë euro nuk është plotësisht e saktë”. Në të njëjtën ditë, ministri në detyrë i Financave, z. Hekuran Murati, reagoi përmes një postimi në Facebook me titullin “Kur edhe ‘fact-checkers’ rrejnë!”, duke hedhur akuza të pabazuara ndaj Hibrid.info dhe stafit të tij.

Për hir të transparencës ndaj publikut, dëshirojmë të sqarojmë si më poshtë:

  • Deklarata e ministrit është cituar saktë në artikull. Vlerësimi si “gjysmë i vërtetë” nuk është bërë mbi ndonjë shtrembërim të deklaratës, por mbi faktin se ministri e ka përgjithësuar qëndrimin e opozitës pa specifikuar se vetëm LDK-ja nuk mori pjesë në votim.
  • Nuk ka kontradiktë në pohimet tona. Artikulli përmend se deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim, dhe njëkohësisht thekson se nuk dihet me saktësi se sa deputetë të tjerë ishin fizikisht në sallë, bazuar në deklaratat zyrtare. Të dy këto informata janë të sakta dhe ndihmojnë të kontekstualizohet situata.

Ekipi i Hibrid.info vlerëson të drejtën dhe hapësirën për reagim, njëjtë sikurse që e mirëpret bashkëpunimin nga të gjitha palët. Mirëpo, është tërësisht kundër keqpërdorimit të saj dhe shfrytëzimit të kësaj të drejte për të shpifur. Ministri në detyrë, Murati në postimin e tij e bëri këtë. Për këtë vlerësojmë se:

  • Akuzat për anim politik janë të pabazuara dhe cenojnë etikën e komunikimit publik. Hibrid.info është një platformë e pavarur që operon sipas standardeve ndërkombëtare për verifikimin e fakteve, si anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) dhe Rrjetit Evropian të Kontrolluesve të Fakteve (EFCSN). Ne nuk jemi të lidhur me asnjë subjekt politik dhe i qëndrojmë besnik metodologjisë sonë profesionale.
  • Tentativa për personalizim të kritikës është veprim i ulët dhe joetik – përmes përmendjes së autorit të artikullit. Është e papranueshme dhe mund të perceptohet si presion ndaj gazetarëve. Kjo nuk ndihmon debatin demokratik dhe minon lirinë e fjalës.

Hibrid.info është platformë publike që i shërben interesit të përgjithshëm. Të dhënat dhe raportet tona janë përdorur edhe nga figura dhe institucione të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Ato, janë përdorur në raste të caktuara edhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, kur gjetjet tona janë përputhur me qëndrimet e tyre dhe janë quajtur si të dhëna të publikuara nga një organizatë shumë kredibile.

Hibrid.info qëndron prapa çdo publikimi, të bërë nga secili hulumtues. Qasja metodologjike nuk është individuale, por e ndërtuar në nivel organizativ dhe e certifikuar nga rrjete ndërkombëtare të kontrolluesve të fakteve.

Hibrid.info është një e mirë që i përket shoqërisë kosovare. Kjo platformë është një e mirë e përbashkët, e ndërtuar mbi profesionalizëm dhe vullnet të mirë. Ajo duhet të mbrohet dhe të shfrytëzohet për interesin e përgjithshëm, jo të keqpërdoret dhe të provohet të njolloset, pasi, fatkeqësisht, është mbetur ndër të paktat iniciativa në vend që gëzojnë kredibilitet e reputacion ndërkombëtar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, korrektësi dhe transparencë në verifikimin dhe kontrollin e fakteve, duke u mbështetur në parime profesionale dhe paanshmëri. Gjithashtu, ftojmë ministrin dhe çdo palë tjetër të ruajë etikën institucionale dhe të angazhohet në një dialog konstruktiv.

Share With Others

Leave a Reply