Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet një titulli është pretenduar se Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka mbetur bosh e se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, u largua nga ajo.
Publikimi është bërë nga mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al”, më 17 gusht.
Çka nuk shkon me titullin?
Pas verifikimit të fakteve, del se titulli “Ikën KFOR, ura mbetet bosh/ Lëvizja e fundit e NATO-s mbi Ibër” është i paqëndrueshëm. Titulli nuk mbështetet as në përmbajtjen e vetë artikullit, as në zhvillimet e fundit rreth urës, por as në qëndrimet zyrtare të KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës.
Artikulli nis me një opinion të analistit Ognjen Gogiq dhënë për mediumin në gjuhën serbe “Danas”. Ai ka thënë se çështja me Urën mbi Ibër është “kriza më e thellë në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe QUINT-it deri më tani”.
Pjesë nga artikulli në fjalë:
“Kushti që ura të hapet për qarkullim rrugor është që karabinierët të tërhiqen prej saj. Dhe pasi që KFOR-i ka deklaruar shprehimisht se nuk ka ndërmend të tërhiqet, alternativa e vetme është që policia e Kosovës të përpiqet t’i largojë me forcë karabinierët nga ura. Kjo tingëllon si një opsion i pamundur. Për këtë arsye, KFOR-i njoftoi se nuk do të hezitojë të përdorë “të gjitha masat e nevojshme” për të parandaluar destabilizimin, që është eufemizëm për përdorimin e forcës” – ka vlerësuar Gogic.
Sipas tij, deklaratat e ambasadorit Hovenier për rrezikun ndaj ushtarëve amerikanë sugjerojnë gjithashtu se KFOR-i është i vetëdijshëm se ekziston rreziku i konfliktit me policinë e Kosovës.
Gogic u shpreh gjithashtu se Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës janë përcaktuar qartë ne qendrime dhe tani duhet të rrinë anash dhe t’ua lënë shteteve të QUINT – it që t’i zgjidhin marrëdhëniet me Prishtinën. Sipas tij, Albin Kurti po përpiqet të bëjë luftë psikologjike kundër KFOR-it.
“Nëse KFOR-i dorëzohet dhe pranon të tërhiqet nga ura për shkak të kërkesave të Prishtinës, atëherë prania e tij në Kosovë e humb kuptimin dhe të gjithë ushtarët duhet te largohen dhe të shkojnë në shtëpi” – potencoi analisti serb.
Vegëza e artikullit:
Po që se kërkohet në makinat online të kërkimit me fjalët “KFOR-i largohet nga Ura e Ibrit” në 24 orët e fundit nuk ka asnjë burim kredibil informacioni që konfirmon diçka të tillë (shih këtu).
Cilat janë qëndrimet e fundit të institucioneve?
Në një komunikatë për media më 13 gusht, KFOR-i ka thënë se ka prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën, përfshirë urën kryesore mbi lumin Ibër (shih këtu).
Pjesë nga komunikata e KFOR-it:
“Ne kemi prani të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it e ka autoritetin që ta përshtatë atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së.
KFOR-i po ashtu ka prani të caktuar në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Është thelbësore që të gjithë akterët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”
Pas kësaj komunikate, nuk ka pasur qëndrim të KFOR-it se ka vendosur ta largojë praninë nga kjo urë.
Në vazhdimësi, forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë, kanë qëndruar mbi këtë urë (detajet).
Po më 13 gusht, komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutas u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Një ndër temat ishte ajo për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë.
Pjesë nga komunikata e Qeverisë:
Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX. (shih këtu)
E një ditë më pas, më 14 gusht, në mbledhjen e 216-të Qeverisë, në adresimin e tij, Kurti u zotua për “vazhdim të konsultimeve dhe koordinimit me partnerët” për çështjen e hapjes së urës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal, dhe urat e saj duhet të janë normale që do të thotë të hapura”, ka thënë Kurti (shih këtu).
Kontekst:
Në fillim të gushtit, Ura e Ibrit u testua për qëndrueshmërinë e saj për qarkullim veturash, në kuadër të një plani të Qeverisë së Kosovës. Plani i Qeverisë për të hapur urën që ndan Mitrovicën jugore me atë veriore u kundërshtua nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Në veri ka pasur edhe protesta të qytetarëve serbë që e kanë kundërshtuar hapjen e urës. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Analiza:
Mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al” nëpërmjet një titulli ka pretenduar pasaktë se KFOR-i është larguar nga Ura e Ibrit dhe se ajo tani është bosh.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur se titulli “Ikën KFOR, ura mbetet bosh/ Lëvizja e fundit e NATO-s mbi Ibër” është i paqëndrueshëm. Ai nuk mbështetet as në përmbajtjen e vetë artikullit, as në zhvillimet e fundit rreth urës, por as në qëndrimet zyrtare të KFOR-it dhe të institucioneve të Kosovës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë publikim e konsideron si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.