Të fundit | Videoja e vjetër nga Indonezia paraqitet rrejshëm si gjendje e rrugëve në K… Të fundit | Rikthehet narrativa e pabazë se bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri–Kroaci përbën… Të fundit | Imazhi i pretenduar i Albin Kurtit me Lidija Sokoloviq, i gjeneruar nga IA Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime të rreme dhe të pabazuara për figurat politik… Të fundit | Fenomeni “Pink Slime”: Kur faqet që paraqiten si media u japin përmbajtjeve… Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave
[ ARTIKULLI ]

Titull përgjithësues që e paraqet deklaratën e një kongresmeni si qëndrim të Kongresit amerikan

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Titulli i krijon përshtypjen se Kongresi ka ndërmarrë një veprim zyrtar në favor të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Publikohen përmbajtje me mbishkrimin dhe titullin “Lajm i madh vjen nga Uashingtoni: Kongresi amerikan kërkon antarësim e Kosovës në NATO”.

Përmbajtjet në këtë mënyrë janë publikuar të hënën (20 korrik), në Facebook, në faqet me emrat “Gazeta Diaspora” dhe “Trendi.info”.

Çka nuk shkon me titujt e formuluar në këtë mënyrë?

Kongresi amerikan është organi legjislativ federal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së) dhe përbëhet nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Dhoma e Përfaqësuesve ka 435 anëtarë me të drejtë vote, ndërsa Senati përbëhet nga 100 senatorë, nga dy për secilin shtet amerikan. Në total, Kongresi përbëhet nga 535 anëtarë me të drejtë vote.

Për shkak të rolit të tij si institucioni që përfaqëson degën legjislative të SHBA-së, një kërkesë ose qëndrim i atribuuar Kongresit nënkupton një qëndrim institucional të një numri të madh përfaqësuesish të këtij organi.

Andaj, titulli i shkruar në këtë mënyrë krijon përshtypjen se Kongresi ka ndërmarrë një veprim zyrtar ose ka shprehur një qëndrim të përbashkët në favor të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Megjithatë, postimet në Facebook kanë të bashkëngjitur vegëzën e një artikulli, titulli i të cilit është i njëjtë me mbishkrimin e postimeve. Pjesa tjetër e përmbajtjes tregon se nuk bëhet fjalë për një qëndrim apo vendim të marrë nga Kongresi amerikan si institucion. Artikulli i referohet deklaratës së kongresmenit Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, gjatë një konference për sigurinë.

Gjatë fjalimit të tij, Self deklaroi se ai dëshiron “ekuilibër në Ballkan” dhe se e ka marrë “si mision personal” anëtarësimin e Kosovës në NATO, të cilin e konsideron si një faktor stabilizues për rajonin. Pra, deklarata e tij paraqet një qëndrim dhe angazhim personal të një kongresmeni për këtë çështje.

Në përmbajtjen e artikullit nuk paraqitet ndonjë vendim, rezolutë apo deklaratë e miratuar nga Kongresi amerikan që kërkon zyrtarisht anëtarësimin e Kosovës në NATO. Po ashtu, nuk thuhet se të dyja dhomat e Kongresit – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati – kanë shprehur një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.

Deklarata e plotë e kongresistit, e shkëputur nga artikulli

Dua të theksoj, para së gjithash, se që kur u bëra kryetar i nënkomisionit, kam pasur ndoshta 35 deri në 40 delegacione europiane që kanë kaluar nëpër zyrën time.

Ka shumë pasiguri — tarifat, Grenlanda, dhe mund të vazhdoja më tej. Por dua t’ju them se mendoj që ky angazhim prej 5% është jetik, sepse do të na bëjë partnerë më të barabartë në NATO, në Europë dhe sigurisht në Ballkan.

Dua të trajtoj edhe një çështje tjetër këtu: stabilitetin në Ballkan. Unë po kërkoj ekuilibër në Ballkan. Dua ekuilibër në Ballkan dhe mendoj se një nga pjesët kyçe — dhe e kam marrë si mision personal — është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e cila do të ishte një forcë jashtëzakonisht stabilizuese në Ballkan. Prandaj duhet të bëjmë përparim në këtë drejtim dhe duhet t’u përgjigjemi kundërshtimeve të disa vendeve. Besoj se kjo është një pjesë kyçe e asaj për të cilën po flasim sot, sepse siguria në Ballkan — Ballkani sot, sipas mendimit tim, është një fuçi baruti — dhe ne duhet ta zgjidhim këtë dhe të sjellim stabilitet në rajon.

Hibrid.info hulumtoi në uebfaqen e këtij institucioni. Në njoftimet publike nuk u gjet ndonjë njoftim i tillë që do të konfirmonte se ky organ ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO (shih këtu).

Gjithashtu, hulumtimi u bë përmes motorit të kërkimit Google me fjalët kyçe “Kongresi amerikan kërkon anëtarësim e Kosovës në NATO”. Në rezultate u shfaqën disa publikime që kanë përdorur të njëjtin formulim të titullit. Megjithatë, kërkimi nuk rezultoi me ndonjë dokument zyrtar të Kongresit amerikan që mbështet këtë pretendim, ndërsa burimet e gjetura u referoheshin deklaratave ose iniciativave të individëve brenda Kongresit (shih këtu).

Roli i kongresistëve amerikanë në procesin e vendimmarrjes institucionale

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur më 1 maj një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO (shih këtu). Në ShBA, një anëtar i Kongresit, mund të propozojë një rezolutë, amendament ose një akt tjetër legjislativ. Një propozim i tillë zakonisht dërgohet për shqyrtim në komisionin përkatës, ku diskutohet dhe mund të ndryshohet. Nëse miratohet nga komisioni, ai mund të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve ose në Senat. Vetëm pas kalimit të këtyre hapave, një qëndrim mund të konsiderohet si i mbështetur institucionalisht nga njëra prej dhomave të Kongresit apo nga Kongresi në tërësi (shih këtu).

Ndërkohë, në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, administrata amerikane ka rol të rëndësishëm përmes presidentit dhe institucioneve ekzekutive, si Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes (shih këtu).

Analiza:

Titulli nuk specifikon se bëhet fjalë për një deklaratë të një kongresmeni.

Formulimi i tillë krijon përshtypjen se Kongresi amerikan, si organi legjislativ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë një vendim zyrtar ose ka shprehur një qëndrim institucional në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Megjithatë, informacioni i paraqitur në përmbajtje lidhet me deklaratën e kongresmenit Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe e ka cilësuar këtë si “mision personal”.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson titullin e formuluar në këtë mënyrë si “Clickbait”.

Arsyetimi: “Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere