Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a… Të fundit | Hibrid.info në Bordin e IFCN, një hap i ri në përfaqësimin ndërkombëtar Të fundit | Nuk ka dyshime të reja për një varrezë masive pranë kishës ortodokse në hap… Të fundit | Imazhi që paraqet Kurtin pranë Millosheviqit është i montuar
[ ARTIKULLI ]

Nuk ka dyshime të reja për një varrezë masive pranë kishës ortodokse në hapësirën e UP-së

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

Dyshimet e paraqitura në këtë publikim nuk janë konfirmuar nga institucionet përkatëse.

“Dyshohet për varrezë masive në themelet e kishës së katedrales në Prishtinë, ku punimet në këtë kishë u ndaluan për njëherë në vitin 1998 në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë, dyshohet se studentat e vrarë gjat fillimit të luftës të jenë betonuar në themelet e kësaj kishe.” Ky është mbishkrimi i një postimi të publikuar të shtunën (1 gusht) në Facebook, nga llogaria me emrin “Lajme Nga Bota”.

Pretendimi është publikuar përmes një imazhi të objektit të kishës ortodokse (dhe jo katedrales) që gjendet në hapësirën e Universitetit të Prishtinës (UP).

Çka dihet deri më tani?

Dyshimet e paraqitura në këtë publikim nuk janë konfirmuar nga institucionet përkatëse.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje ka marrë mbi 390 reagime dhe mbi 180 komente. Publikuesi i pretendimit ka mbi 11 mijë ndjekës, ndërsa publikimet nga kjo llogari janë vlerësuar në disa raste si keqinformata (shih këtu, këtu dhe këtu).


Për të vërtetuar pretendimin, së pari është kontrolluar burimi zyrtar i informimit i institucionit kompetent, pra uebfaqja e “Sistemit Prokurorial” të Kosovës (shih këtu).

Njoftimet më të fundit janë të datës 2 gusht, në të cilat Policia e Kosovës (PK) dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë njoftuar se, në kuadër të hetimeve për rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” (shih këtu).

Gjatë veprimeve hetimore në terren, autoritetet kanë identifikuar edhe një lokacion të dyshuar në fshatin Jabukë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore. PSRK-ja ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar autorizim për zhvarrosjen dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme (shih këtu).

Para këtyre dy njoftimeve, hibrid.info gjeti një komunikatë të publikuar më 28 korrik, në të cilënnjoftohej se, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet kompetente po realizonin zhvarrosjen në një lokacion në komunën e Zubin Potokut, me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore.

Ky proces po zhvillohej në kuadër të dy hetimeve penale të udhëhequra nga Prokuroria Speciale (shih këtu).


Tutje, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, duke përdorur fjalët kyçe “’kisha ortodokse’ ‘Universiteti i Prishtinës’ ‘varrezë masive’” (shih këtu). Rezultatet nga kërkimi shfaqën disa artikuj nga burime të besueshme, në të cilat ishte raportuar për këto dyshime (shih këtu), për çka edhe kishin filluar gërmimet në atë pjesë, në vitin 2016 (shih këtu).

Nga hulumtimi shtesë u konstatua se gërmimet në këtë zonë kishin përfunduar pa rezultat (shih këtu).


Në qershor të vitit 2022, një artikull i mediumit “Radio Evropa e Lirë” tregonte se beteja juridike mes UP-së dhe Kishës Ortodokse Serbe kishte hyrë në vitin e dhjetë të saj, pa një epilog përfundimtar lidhur me pronësinë e tokës dhe fatin e objektit të papërfunduar në kampusin universitar. Sipas të dhënave të publikuara atëherë, proceset gjyqësore të nisura pas vitit 2017 ndodheshin ende në fazën procedurale dhe përgatitore, ndërkohë që debati publik përfshinte propozime të ndryshme nga përfaqësuesit e studentëve dhe historianët për transformimin e mundshëm të hapësirës, propozime të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit e kishës ortodokse (shih këtu).

Ndërsa gërmimet në Zubin Potok po vazhdojnë, deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga institucionet kompetente për nisjen e gërmimeve në kishën ortodokse në oborrin e UP-së apo në ndonjë lokacion tjetër brenda hapësirës së universitetit.

Analiza:

Një llogari në Facebook ka publikuar përmbajtje me pretendimin se në themelet e kishës ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës ekziston një varrezë masive dhe se studentë të vrarë në fillim të luftës në Kosovë janë betonuar në këtë objekt.

Pretendimi është shoqëruar me fotografinë e kishës ortodokse në oborrin e UP-së, ndërsa në përshkrim pretendohet se punimet në këtë objekt janë ndaluar në vitin 1998, duke e lidhur ndërprerjen e tyre me dyshimet për fshehjen e trupave.

Megjithatë, verifikimi i burimeve publike tregon se dyshimet për ekzistencën e një lokacioni të mundshëm ku mund të ishin varrosur viktima të luftës në këtë zonë kanë ekzistuar më herët. Në vitin 2016, institucionet kompetente kanë zhvilluar gërmime në afërsi të këtij objekti, pas raportimeve për praninë e mundshme të mbetjeve mortore.

Këto kërkime, sipas të dhënave të publikuara, nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore apo me konfirmimin e ekzistencës së një varreze masive në atë lokacion.

Po ashtu, deri në momentin e trajtimit të kësaj përmbajtjeje, nuk ka ndonjë njoftim të ri zyrtar nga institucionet kompetente për zhvillimin e hetimeve apo të gërmimeve të reja në këtë zonë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere