“Në Hagë po gjykohet tërësisht UÇK-ja. Kushdo që mendon ndryshe po e gëlltit, me ose pa vetëdije, propagandën serbe. Thaçi ishte motori i UÇK-së.”
Kështu po pretendohet të ketë deklaruar Stjepan Mesiq, ish-presidenti kroat, sipas një imazhi të publikuar të hënën (28 shtator) në TikTok.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Deklarata e paraqitur është e sajuar.

Përmbajtja në fjalë ka marrë mbi 29 mijë shikime dhe nga përmbajtja e komenteve në postim, vlerësohet se ka mundësi që audienca ta përceptojë pretendimin si të besueshëm.
Fillimisht përmes “Google Lens”, u hulumtua origjina e imazhit të përdorur në TikTok për të verifikuar nëse fotoja e Stjepan Mesiqit i përket ndonjë interviste të vjetër të shkëputur nga konteksti apo nëse bëhet fjalë për një imazh të montuar.
Rezultatet kanë treguar që pretendimi për këtë deklaratë është publikuar qysh nga shkurti i këtij viti (shih këtu). E njëjta deklaratë e pretenduar është publikuar edhe në njërën nga faqet në Facebook të një mediumi (shih këtu).
Karakteristikë e publikimeve është se asnjëra nga to nuk e saktëson se ku e ka bërë deklarimin e pretenduar, ish-presidenti Mesiq.
Mw pas u kërkua për llogari apo faqe zyrtare të ish-presidentit kroat. Kërkimi në makinën e kërkimit “Google” dhe në Facebook, nuk shfaqi profile zyrtare të Mesiq, të cilat do të mund të kontrolloheshin për verifikimin e kësaj deklarate (shih këtu dhe këtu).
Hulumtimi ka vazhduar dukë kërkuar direkt për deklaratën e pretenduar, në gjuhën shqipe dhe atë kroate (shih këtu dhe këtu). Megjithatë rezultatet e kërkimit nuk kanë shfaqur asnjë artikull të burimeve kredibile që do të konfirmonin deklarimin e pretenduar.
Hibrid.info po ashtu kontrolloi për përmbajtje kredibile në gjuhën shqipe, ku janë raportuar deklarimet publike të Mesiq, për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në artikujt e gjetur tregohej që ai në deklarimet publike ka shprehur besimin në pafajësinë e të akuzuarve dhe ka theksuar qartë luftën e drejtë të UÇK-së (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Megjithatë, nuk është gjetur ndonjë dëshmi apo burim i besueshëm që ai të ketë bërë deklaratën specifike se në Hagë po gjykohet tërësisht UÇK-ja apo se Thaçi ishte motori i saj.
Analiza
Pretendimi se ish-presidenti kroat, Stjepan Mesić, ka deklaruar se në Hagë po gjykohet tërësisht UÇK-ja dhe se Hashim Thaçi ka qenë “motori” i saj, është i sajuar.
Gjatë kërkimit në Google dhe Facebook, nuk u gjet asnjë profil zyrtar ose i verifikuar i ish-presidentit kroat që do të mund të vërtetonte një deklaratë të tillë.
Po ashtu, kërkimi i drejtpërdrejtë i thënies në gjuhën shqipe dhe kroate nuk ka prodhuar asnjë rezultat nga burime apo media kredibile.
Ndonëse në deklarimet e kaluara të pasqyruara në media, Mesiq ka shprehur besim në pafajësinë e të akuzuarve dhe ka mbështetur luftën e UÇK-së, nuk ekziston asnjë dëshmi se ai ka dhënë një deklaratë me këtë përmbajtje specifike.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.