Përmes një postimi të publikuar në Facebook nga faqja në gjuhën serbe “Glas Bošnjaka Sandžaka” pretendohet se ish-kampioni i UFC-së, Habib Nurmagomedov, ka deklaruar se është shqiptar dhe se shqiptarët duhet të kthehen në tokat e paraardhësve të tyre, në “Albanian Kaukaziane”.
Pretendimi është publikuar përmes një fotografie ku paraqitet Nurmagomedov, së bashku me flamurin shqiptar dhe një hartë të asaj që identifikohet si “Albania Kaukaziane”.
Përmbajtja shoqërohet edhe me një tekst në gjuhën serbe, ku pretendohet se shqiptarët në Turqi, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni duhet të kthehen në brigjet e Detit Kaspik, duke iu referuar një lidhjeje të pretenduar historike me këtë territor.

Çka nuk shkon me pretendimin?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë dëshmi që Nurmagomedov të ketë bërë një deklaratë të tillë.
Hibrid.info ka kërkuar për deklaratën e pretenduar në burime publike dhe në informacionet e publikuara për ish-kampionin e UFC-së. Nuk është gjetur ndonjë intervistë, video, deklaratë apo publikim nga Nurmagomedov, ku ai të thotë se është shqiptar apo se synon rikthimin e Shqipërisë Kaukaziane (shih këtu dhe këtu).
Po ashtu, postimi në Facebook nuk ofron ndonjë burim, vegëz apo dëshmi që do ta vërtetonte autenticitetin e citimit.
Përkundrazi, informacionet biografike të publikuara nga organizata UFC tregojnë se Nurmagomedov ka lindur në Republikën e Dagestanit, në Rusi. Kjo konfirmohet edhe në një njoftim të UFC-së për përfshirjen e tij në Sallën e Famës të organizatës, ku thuhet se ai ka lindur në fshatin Sildi të Dagestanit (shih këtu).
Më tej, në një intervistë të publikuar në janar 2026 në podkastin e gazetarit Lex Fridman, Nurmagomedov flet për larminë etnike dhe gjuhësore të Dagestanit. Gjatë bisedës, ai shpjegon se në këtë rajon jetojnë komunitete të ndryshme, të cilat flasin gjuhë të ndryshme.
Duke përmendur bashkëpunëtorin e tij Islam Makhachev, Nurmagomedov thotë se ai i përket popullit lak, ndërsa vetë identifikohet si avar.
Kjo deklaratë mund të dëgjohet edhe në transkriptin e plotë të intervistës me Lex Fridman, përkatësisht rreth minutës 13:47 (shih këtu).
Çka është “Albania Kaukaziane”?
Albania Kaukaziane është një entitet historik që ka ekzistuar në Kaukazin Jugor gjatë antikitetit dhe mesjetës së hershme.
Sipas artikullit “Albania”, të autores Marie Louise Chaumont, të publikuar në enciklopedinë akademike Encyclopaedia Iranica, Albania Kaukaziane ishte një territor historik që shtrihej në rajonin e Kaukazit, me kufij që ndryshonin gjatë periudhave të ndryshme historike. Në lindje kufizohej me Detin Kaspik, ndërsa përfshinte territore që sot i përkasin kryesisht Azerbajxhanit dhe zonave përreth.
Një tjetër burim i rëndësishëm është libri akademik “Caucasian Albania: An International Handbook”, i botuar më 2023 nga shtëpia botuese De Gruyter Mouton dhe i redaktuar nga studiuesit Jost Gippert dhe Jasmine Dum-Tragut.
Ky botim, i financuar nga Këshilli Evropian i Kërkimeve (ERC) dhe Deutsche Forschungsgemeinschaft, përmbledh studime ndërkombëtare mbi historinë, arkeologjinë, gjuhën, shkrimet, religjionin dhe trashëgiminë e “Albania Kaukaziane”.
Sipas këtij botimi, popullsia e Albania Kaukaziane përbëhej nga bashkësi të ndryshme etnike dhe gjuhësore. Ajo gjuhë ka lidhje gjuhësore me gjuhën Udi, e cila flitet edhe sot nga një komunitet në Azerbajxhan.
Këto të dhëna tregojnë se emërtimi i përbashkët “Albania” nuk dëshmon se shqiptarët e Ballkanit dhe popullsia e “Albania Kaukaziane” përbëjnë të njëjtin grup etnik. Bëhet fjalë për dy kontekste të ndryshme historike dhe gjeografike.
Kush e publikoi pretendimin?
Pretendimi u gjet i publikuar në Facebook nga faqja “Glas Bošnjaka Sandžaka”.
Në përshkrimin e saj në Facebook, faqja prezantohet si një platformë që synon të mbështesë dhe fuqizojë imazhin mediatik të Sanxhakut dhe diasporës së tij në rajon (shih këtu).
Megjithatë, vetëpërshkrimi i një faqeje në media sociale nuk përbën dëshmi për saktësinë e përmbajtjeve që ajo publikon. Në rastin konkret, publikimi nuk ofron asnjë burim që do ta mbështeste deklaratën e atribuuar Nurmagomedovit.
Pretendime të ngjashme për prejardhjen kaukaziane të shqiptarëve janë publikuar ndër vite edhe në media serbe
Pretendime të ngjashme për prejardhjen kaukaziane të shqiptarëve janë publikuar edhe më herët në disa media në gjuhën serbe.
Në prill të vitit 2019, mediumi “Politika.rs” publikoi artikullin “Odakle potiču Albanci” (Nga vijnë shqiptarët?), ku autori pretendon se shqiptarët e Ballkanit kanë prejardhje nga Kaukazi.
Ndërsa, në tetor të vitit 2018, mediumi “Kurir.rs” publikoi artikullin “Evo koje je pravo poreklo Albanaca: Došli su iz daleka, iz zemlje Albanije koja se nalazi na Kavkazu!” (Ja cila është prejardhja e vërtetë e shqiptarëve: Ata kanë ardhur nga larg, nga vendi i Albanisë që ndodhet në Kaukaz!), ku kjo teori mbështetet edhe përmes pretendimeve të historianit alternativ Jovan Deretiq.
Edhe media “B92” publikoi më 31 korrik 2022 një artikull të autorit Xhorxhe Bojaniq, me titullin ‘Skadar, nekada srpska prestonica, danas bez popisanih Srba’, ku pretendohet se shqiptarët janë një fis me prejardhje nga Kaukazi, të cilët janë vendosur në territorin e Shqipërisë së sotme në fillim të shekullit XI. Artikulli, i cili i atribuohet portalit ‘Srpska istorija’, nuk paraqet dëshmi historike për këtë pretendim”.
Megjithatë, këto pretendime nuk paraqesin dëshmi historike dhe gjuhësore për të vërtetuar se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të popullsisë së “Albanias Kaukaziane”.
Analiza
Përmbajtja e publikuar në Facebook nga një faqe në serbisht i atribuon ish-kampionit të UFC-së, Habib Nurmagomedov, deklarata se është shqiptar dhe se shqiptarët duhet të kthehen në tokat e paraardhësve të tyre në “Albanian Kaukaziane”.
Hibrid.info nuk ka gjetur dëshmi se Nurmagomedov ka bërë deklarata të tilla, ndërsa në një intervistë ai identifikohet si pjesëtar i komunitetit avar nga Dagestani. Përmes burimeve akademike sqarohet se “Albania Kaukaziane” ishte një entitet historik në Kaukazin Jugor, kryesisht në territorin e Azerbajxhanit të sotëm, dhe nuk është e njëjta me Shqipërinë e sotme.
Gjithashtu, verifikimi evidenton se pretendime të ngjashme për prejardhjen kaukaziane të shqiptarëve janë publikuar ndër vite edhe në disa media në gjuhën serbe, por pa dëshmi historike dhe gjuhësore që t’i mbështesin ato.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.