Përmes një postimi të publikuar në Telegram nga kanali në gjuhën serbe “Српски Инат – Коридор”, pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që, nëse Hashim Thaçi lirohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ai të vendoset në postin e presidentit të Kosovës.
Në postim pretendohet gjithashtu se “mediat shqiptare” e kanë publikuar këtë informacion më 16 shtator, në ditën kur pritet shpallja e aktgjykimit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

Postimi i publikuar në Telegram, i përkthyer në shqip:
“Kurti ka pranuar që, nëse Hashim Thaçi lirohet, ai të vendoset në postin e presidentit të të ashtuquajturës Kosovë.
Mediat shqiptare e kanë publikuar këtë pikërisht sot, me qëllim që ta hedhin benzinë në zjarr.”
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Nga verifikimi i informacioneve publike nuk rezulton se Albin Kurti ka deklaruar apo ka pranuar ndonjë marrëveshje për ta emëruar Hashim Thaçin president, në rast se ai lirohet.
Deklarata që i ngjan pretendimit të publikuar në Telegram është bërë nga analisti politik Xhavit Drenori. Më 12 shtator 2026, gjatë një paraqitjeje në emisionin “INFO NATA” në televizionin “Tëvë”, Drenori ka shprehur mendimin e tij se, në rast se Thaçi lirohet, Albin Kurti do ta bënte president, ndërsa do të lidhte koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Pra, bëhet fjalë për një parashikim dhe qëndrim personal të një analisti politik, dhe jo për një vendim, marrëveshje apo deklaratë të kryeministrit Albin Kurti.
Në postimin e Telegramit, kjo deklaratë paraqitet në mënyrë të ndryshme, duke u pretenduar se “Kurti ka pranuar” që Thaçi të bëhet president. Megjithatë, nuk është gjetur ndonjë burim kredibil që dëshmon se Kurti ka bërë një deklaratë të tillë (shih këtu).
Pretendimi tjetër se “mediat shqiptare e publikuan sot” është i pasaktë
Postimi në Telegram pretendon gjithashtu se mediat në gjuhën shqipe e kanë publikuar këtë informacion më 16 shtator 2026.
Megjithatë, deklarata e Xhavit Drenorit, që i ngjan pretendimit të publikuar në Telegram, është bërë dhe publikuar më 12 shtator 2026, pra katër ditë para datës së paraparë për shpalljen e aktgjykimit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.
Nga kërkimi në burimet publike nuk rezulton ndonjë publikim i ri nga mediat në gjuhën shqipe më 16 shtator, i cili të raportojë se Albin Kurti ka pranuar që Hashim Thaçi të bëhet president në rast të lirimit të tij.
Analiza
Përmes një postimi në gjuhën serbe në Telegram pretendohet se Albin Kurti ka pranuar që, në rast se Hashim Thaçi lirohet nga Haga, ai të vendoset në postin e presidentit të Kosovës, si dhe thuhet që mediat në gjuhën shqipe e kanë publikuar këtë informacion më 16 shtator.
Nga verifikimi u gjet se pretendimi lidhet me një deklaratë të analistit politik Xhavit Drenori, i cili më 12 shtator ka shprehur mendimin se, nëse Thaçi lirohet, Kurti do ta bënte atë president dhe do të krijonte koalicion me PDK-në. Pra, nuk u gjet dëshmi se Kurti ka bërë një deklaratë të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.