Media online “Kosovapost.net” ka publikuar të shtunën (29 gusht), në faqen e saj zyrtare në Facebook, një video-material në të cilin shfaqet ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko.
Videoja është publikuar me mbishkrimin: Pandeli Majko: “Kemi një Albin krejtësisht tjetër sot, të cilit mund t’i thuash me plot gojën: Albin Kurti, ta lumsha!”

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se videoja nuk është aktuale. Deklarata e Pandeli Majkos për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është bërë në vitin 2023 dhe jo në periudhën kur është publikuar videoja.
FAKTET
Hulumtimi i Hibrid.info ka gjetur se Majko e kishte bërë këtë deklaratë më 26 shtator 2023, gjatë pjesëmarrjes në emisionin “REAL STORY” në televizionin ABC News Albania (shih këtu).
Deklarata u bë në kuadër të diskutimit për sulmin në Banjskë, i cili kishte ndodhur dy ditë më herët, më 24 shtator 2023 (shih këtu).
Rasti i Banjskës ndodhi më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Pse trajtohet përmbajtja e publikuar nga “Kosovapost.net”?
Kjo përmbajtje trajtohet për verifikim pasi është publikuar nga një media online dhe një deklaratë e bërë në vitin 2023 është paraqitur pa datën dhe kontekstin e saj, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një deklaratë të kohëve të fundit.
Në fakt, deklarata e Majkos lidhet me një kontekst të ndryshëm dhe me një ngjarje tjetër, konkretisht me zhvillimet pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023. Publikimi i saj më 29 gusht, pa sqaruar se kur dhe në çfarë rrethanash është bërë deklarata, mund ta çojë audiencën në përfundimin e gabuar se ajo i referohet zhvillimeve aktuale.
Për më tepër, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, videoja kishte marrë 5 mijë e 600 reagime, 209 komente dhe 480 shpërndarje, duke arritur një numër të konsiderueshëm përdoruesish në Facebook (shih fotografinë më poshtë).

Analiza
Media online “Kosovapost.net” ka publikuar si aktuale një deklaratë të Pandeli Majkos për Albin Kurtin, ndonëse ajo është bërë më 26 shtator 2023 dhe lidhej me zhvillimet pas sulmit në Banjskë.
Publikimi pa datën dhe kontekstin e deklaratës mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një deklaratë të re. Përmbajtja ka marrë mijëra reagime, komente dhe qindra shpërndarje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si të “pa verifikuar”.
Arsyetimi
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.