Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se kryeministri Albin Kurti po kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Përmbajtja me këtë mbishkrim është publikuar në TikTok të shtunën (24 tetor) nga llogaria me emrin “MalborOriginal”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Kjo përmbajtje paraqet një pretendim politik të shoqëruar me një imazh të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, ku Albin Kurti shihet në një foltore. Imazhi përdoret për t’i dhënë pretendimit pamjen e një deklarimi apo qëndrimi të shprehur së fundmi publikisht nga kryeministri.
Megjithatë, nuk ofrohen dëshmi që Albin Kurti ka bërë një deklaratë apo kërkesë të tillë.

Përmbajtja e njëjtë është gjetur e publikuar edhe nga një llogari tjetër në TikTok dhe në Facebook, Instagram dhe Youtube.
Deri në mometin e trajtimit, përmbajtja fillestare e trajtuar ka marrë mbi 78 mijë shikime, mbi 4 mijë e 900 pëlqime dhe mbi 400 komente. Komentet e publikuara tregojnë se disa përdorues e kanë interpretuar mbishkrimin si një deklarim real të kryeministrit.
Hibrid.info hulumtoi origjinën e imazhit me anë të “Google Lens” (shih këtu).
Përmbledhja e AI Overview thotë se imazhi paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke folur në një foltore, mbi të cilin janë vendosur mbishkrime me përmbajtje politike sensacionale në gjuhën shqipe, që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Më tej, ajo thekson se pretendimet për qëndrimin e Kurtit ndaj bashkimit të Kosovës me Shqipërinë lidhen me deklarimet e tij të mëhershme, sipas të cilave bashkimi demokratik është një aspiratë historike afatgjatë, por që aktualisht kufizohet nga Kushtetuta dhe korniza ligjore e Kosovës (shih këtu).
Po ashtu, përmbledhja përmend se dallimet ndërmjet Kurtit dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me iniciativat rajonale dhe bashkëpunimin me aleatët perëndimorë shpesh paraqiten në medie si përplasje personale apo luftë për pushtet, ndonëse të dy kanë zhvilluar takime për bashkëpunim në fusha të ndryshme. Në fund, sqaron se pretendimet se njëri apo tjetri kundërshton interesat kombëtare nga frika e humbjes së pushtetit janë pjesë e komenteve politike partiake apo virale dhe jo deklarata zyrtare të tyre.
Më pas hibrid.info kërkoi në makinën e kërkimit “Google” me fjalët “albin kurti kërkon bashkimin kombëtar”. Rezultatet e kërkimit shfaqën artikuj të publikuar nga mediat ku analizohen deklaratat e tij ku theksohet se, ndonëse bashkimi kombëtar mbetet një intencë dhe bindje historike, kufizimet e Kushtetutës së Kosovës e bëjnë atë juridikisht të pamundur aktualisht, duke zhvendosur fokusin te bashkëpunimi i ngushtë mes dy shteteve të pavarura.
Pjesa më e madhe e titujve dhe analizave diskutojnë atë që e quajnë një “metamorfozë politike” ose zbehje të kësaj kërkese që nga ardhja e tij në pushtet.
Hulumtimi vazhdoi edhe në faqen në Facebook të kryeministrit Kurti, të cilën ai e përdorë si kanal komunikimi. Por nga publikimet e fundit nuk u has asnjë postim ku ai të ketë shfaqur qëndrimin që pretendohet (shih këtu).
Meqenëse kërkimi nuk nxori prova konkrete që mbështesin pretendimin, hibrid.info analizoi imazhin përmes veglës online “Hive Moderation”, e cila shërben për identifikimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA) dhe të materialeve të manipuluara përmes teknologjisë deepfake.
Verifikimi i imazhit e vlerësoi atë me 99.9% gjasë të jetë i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (IA).

Analiza
Publikimi paraqet pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke e shoqëruar atë me një imazh të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale, ku Kurti shihet në një foltore.
Megjithatë, hulumtimi i pretendimit nuk gjeti dëshmi se Kurti ka bërë së fundmi një deklaratë apo kërkesë të tillë. Edhe pse në një intervistë të publikuar më 15 shkurt 2023, ai kishte folur për idealin e Bashkimit Kombëtar, duke thënë se ishte në shërbim të tij, kjo deklaratë nuk përbën dëshmi se ai ka bërë një kërkesë të re për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pra, publikimi i atribuon Kurtit një kërkesë konkrete politike, pa ofruar ndonjë deklaratë apo burim që e mbështet këtë pretendim.
Për më tepër, përdorimi i imazhit të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku Kurti paraqitet në një foltore, krijon përshtypjen se ai ka bërë një deklarim publik për këtë çështje. Megjithatë, imazhi nuk dëshmon se një deklarim i tillë ka ndodhur.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.