Publikohen përmbajtje në të cilat paraqiten deklarata të Joseph DioGuardit, ish-kongresmenit amerikan, William Walker, ish-ambasadorit të OSBE-së dhe gazetarit Nick Beake, duke pretenduar se ata kanë komentuar protestat e organizuara në Prishtinë në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmbajtjet janë publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “politikasot1” (shih këtu dhe këtu).
Cila është e vërteta?
Hibrid.info gjeti se deklaratat e publikuara janë të sajuara.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes “Google” me fjalët “joseph dioguardi” (shih këtu).
Në kërkimin për publikimet e javës së fundit lidhur me Joseph DioGuardin, rezultatet shfaqën shkrime dhe lajme nga portali “Bota Sot” që trajtojnë zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përfshirë letrën e ish-kongresmenit drejtuar liderëve politikë ku bën thirrje për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit, krahas postimeve të tjera urimi dhe arkivore nga rrjetet sociale me rastin e ditëlindjes së tij.

Ngjashëm është kërkuar edhe me fjalët “william walker”(shih këtu). Rezultatet e kërkimit shfaqin artikuj, postime dhe lajme të ditëve të fundit nga media të ndryshme (si “Shqiptarja.com”, “Abcnews.al”, “Gazeta Telegraf” dhe “Almakos.com”) lidhur me reagimet e diplomati amerikan pas vendimeve dhe dënimeve të fundit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndër kryetitujt dhe temat kryesore vërehen deklaratat e tij ku ai e cilëson këtë situatë si një “ditë të kobshme” ose “ditë të zezë për Kosovën”, kritikon qëndrimet dhe veprimet e Bashkimit Evropian ndaj shqiptarëve, shpreh admirimin e tij për UÇK-në dhe ngre pyetje publike se pse nuk është thirrur presidenti serb Aleksandar Vuçiç në Hagë.

Ndërsa, marrë parasysh faktin se gazetari Nick Beake, nuk është shumë i njohur për lidhjet me shqiptarët, kërkimi për të është bërë me fjalët “nick beake kosovo” (shih këtu). Rezultatet nga ky kërkim nuk shfaqën prova konkrete që vërtetonin si ai ka komentuar zhvillimet së fundmi në Kosovë.
Hibrid.info ka kryer gjithashtu një hulumtim mbi llogaritë e personave të cituar në Facebook, por nuk ka arritur të gjejë ndonjë profil zyrtar ose aktiv ku ata të shprehin publikisht qëndrimet e tyre (shih këtu, këtu dhe këtu).
Pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Prishtinë janë organizuar protesta dhe tubime në mbështetje të tyre. Në këto protesta janë kundërshtuar vendimi i gjykatës dhe dënimet e shqiptuara në shkallën e parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së (shih këtu).
Analiza
Përmbajtjet në të cilat paraqiten deklarata të Joseph DioGuardit, William Walkerit dhe gazetarit Nick Beake, duke pretenduar se ata kanë komentuar protestat e fundit në Prishtinë në lidhje me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, janë të sajuara.
Hulumtimi i kryer nga hibrid.info nuk ka gjetur burime të besueshme që konfirmojnë se këta persona kanë bërë deklaratat e paraqitura në përmbajtjet e publikuara në TikTok. Kërkimet për Joseph DioGuardin dhe William Walkerin kanë nxjerrë në pah deklarata dhe reagime të tyre të fundit lidhur me zhvillimet në Kosovë, por jo deklaratat që u atribuohen në këto përmbajtje.
Ndërkaq, për gazetarin Nick Beake nuk janë gjetur prova konkrete që ai të ketë komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë në mënyrën e paraqitur në këto publikime. Gjithashtu, hulumtimi i profileve të personave të cituar në Facebook nuk ka identifikuar profile zyrtare ose aktive ku ata të kenë publikuar deklaratat në fjalë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.