Të fundit | Faktet rreth gjykimit “Thaçi dhe të tjerët” dhe keqinformatat ndër vite Të fundit | Rikthehet pretendimi i rremë për “deklaratë” të Rifat Jasharit ndaj Edi Ram… Të fundit | Shtrenjtimi i biletave vs. digjitalizimi i shërbimeve Të fundit | NATO nuk tha se Kosova nuk u ftua në Samitin e Ankarasë për shkak të rrezik… Të fundit | Konferenca përmbyllëse e projektit “Bashkëpunimi me Media në Kosovë” Të fundit | Katër mënyrat se si bëhet keqinformimi për çështjet ekonomike Të fundit | Me video të vjetër, pretendohet rrejshëm për “futjen e armatimit nga Serbia… Të fundit | Semaforët në video nuk janë të shkrirë nga moti ekstrem Të fundit | Si mund të ndryshojë kuptimi i një fotografie? Shembull i kornizimit mediat… Të fundit | Publikohet deklaratë e pathënë e Trumpit për Kosovën
[ ARTIKULLI ]

Faktet rreth gjykimit “Thaçi dhe të tjerët” dhe keqinformatat ndër vite

HIBRID

Që nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në nëntor të vitit 2020, e deri te njoftimi për caktimin e datës së shpalljes së aktgjykimit, në hapësirën online kanë qarkulluar vazhdimisht keqinformata lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për periudhën mars 1998 – shtator 1999. Të katër ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020. Deklaratat përmbyllëse u paraqitën në shkurt 2026. Aktgjykimi në rastin e njohur si “Thaçi dhe të tjerët” do të shpallet më 16 shtator në orën 10:00 (shih këtu).

Zhvillimet rreth procesit gjyqësor në Hagë në rastin “Thaçi dhe të tjerët” kanë zënë hapësirë të konsiderueshme në mediat dhe platformat digjitale në Kosovë, duke u shoqëruar edhe me një numër të madh keqinformatash. Hibrid.info ka trajtuar më shumë se 100 përmbajtje në të cilat përmenden emrat e të akuzuarve. Ndonëse një pjesë e tyre lidhej me zhvillimet politike në Kosovë, shumica kanë pasur për objekt vetë procesin gjyqësor.


Pretendime të rreme për lirimin, dënimin ose vendimet e Gjykatës Speciale

    Që nga fillimi i procesit e madje edhe para tij, Hibrid.info ka trajtuar përmbajtje që ndërlidhnin emrat e të akuzuarve dhe pretendimet e pabaza të asaj kohe për proces gjyqësor. Në nëntor 2020, nisën keqinformatat me pretendime se “kaq do të vuajnë në Hagë” themeluesit e UÇK-së (shih këtu).

    Pretendimi dominues për vendimmarrje nga Gjykata Speciale vazhdoi edhe në vitet pasuese. Më 2021 u pretendua rrejshëm për dënimin e Rexhep Selimit (shih këtu), u manipulua me titull se “Veselin e pret dënim i madh” (shih këtu) e u dhanë data për “lirimin e Thaçit” (shih këtu).

    Pretendime për “lirim” në data të caktuara ka pasur në vazhdimësi (shih këtu, këtu dhe këtu, këtu dhe këtu). Ka pasur edhe pretendime të rreme për lirime me kusht (shih këtu, këtu dhe këtu).

    Në fund të vitit 2024, Hibrid.info pati trajtuar një sërë pretendimesh të rreme për vendim të Gjykatës (shih këtu dhe këtu). Nga 23 nëntori e deri më 3 dhjetor 2024 u trajtuan 6 përmbajtje që lidheshin me “vendim për lirim” ose për “organizim të pritjes” në Kosovë (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

    Çështja e “vendimmarrjes” ka vazhduar në valë të ndryshme intensiteti. Edhe në vitin 2025, u dhanë sërish data për “lirimin” e krerëve të UÇK-së (shih këtu dhe këtu).


    Deklarata të rreme

      Ndër vite është pretenduar rrejshëm për deklarata nga figura publike ose edhe media kredibile ndërkombëtare lidhur me aktorët që po gjykoheshin në Hagë.

      Keqinformimet e trajtuara nga Hibrid.info në këtë fushë lidhen kryesisht me deklarata të rreme të aktorëve politikë në Kosovë dhe jashtë saj për procesin gjyqësor apo edhe për personalitetin e të akuzuarve. Po ashtu, janë identifikuar edhe raste të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

      Në disa raste janë fabrikuar edhe deklarata të vetë të akuzuarve që ndodhen në Hagë (shih këtu, këtu dhe këtu)

      Së fundmi, Hibrid.info ka trajtuar dy publikime që paraqesin rrejshëm “raportime” të mediave kredibile ndërkombëtare si BBC e “The Guardian”.


      Rikthimi i përmbajtjeve të rreme

        Një fenomen tjetër ka qenë rikthimi i përmbajtjeve të vjetra dhe paraqitja e tyre si zhvillime aktuale (shih këtu dhe këtu). Ndër pretendimet kanë qenë ato që lidheshin me “ardhjen” në Kosovë të të akuzuarve në Hagë (shih këtu).

        Nëpërmjet titujve të sajuar apo që binin ndesh me përmbajtjen, krijohej perceptim i gabuar.

        Si aktuale ishin paraqitur edhe njoftimet e mëhershme të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për mbajtjen e seancave (shih këtu).

        Po ashtu, si dezinformatë është vlerësuar një publikim i vjetër me titull të rremë, që pretendonte se Hashim Thaçit po i konfiskohej pasuria (shih këtu).

        E si aktuale më 2024 dhe 2025 ishin rikthyer pretendimet për një letër të ish-presidentit amerikan, Joe Biden, nga 2019-ta dhe një fotografi e Richard Grenellit prej 2023-tës (shih këtu dhe këtu).

        Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe manipulimet me materiale vizuale dhe audio. Hibrid.info identifikoi raste ku u përdor një fotografi nga protesta kundër dënimit të Sali Mustafës jashtë kontekstit, si dhe një audio që pretendohej rrejshëm se kinse një gazetar amerikan ka folur për Thaçin (shih këtu dhe këtu).


        Manipulimi me gjendjen shëndetësore dhe ngjarjet personale

          Kryesisht në fillim të procesit gjyqësor kanë dominuar trajtimet e publikimeve që lidheshin me gjendjen shëndetësore të të akuzuarve apo ngjarjet që lidheshin me ta dhe familjet e tyre.

          Hibrid.info në disa raste i ka trajtuar përmbajtjet e rreme për “gjendjen kritike” e “sulmin në zemër” të Thaçit, por edhe për “vdekjen” e tij (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

          Në ndërkohë ka pasur edhe pretendime të rreme për gjendjen shëndetësore të nënës dhe djalit të Thaçit (shih këtu dhe këtu).


          Faktet:

          Më 1 korrik, në një njoftim publik, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se trupi gjykues e ka caktuar 16 shtatorin, orën 10:00, si datë për shqiptimin e aktgjykimit në rastin në fjalë (shih këtu). Pra, ende nuk ka vendim dhe të gjitha pretendimet e mëhershme për “data” të vendimit rikonfirmohen si të rreme.

          Kërkimet në “Google” apo media kredibile lidhur me deklarata të figurave publike ndërkombëtare apo edhe vendore, kanë rezultuar që pretendimet janë të rreme. Të rreme kanë rezultuar edhe pretendimet që lidheshin me shëndetin e të akuzuarve apo të familjarëve të tyre.

          Çka dihet zyrtarisht për rastin?

          Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte.

          Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

          Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u arrestuan më 4 dhe 5 nëntor 2020.

          Në paraqitjet e tyre ata janë deklaruar të pafajshëm me të gjitha pikat e aktakuzës.

          Sipas njoftimit në faqen e Gjykatës Speciale, gjatë gjykimit janë paraqitur 125 dëshmitarë të Prokurorisë, 2 të mbrojtësit të viktimave dhe 7 të mbrojtjes.

          Gjatë procesit janë marrë 27 vendime për paraburgim të Thaçit, nga 26 për Veselin e Krasniqin dhe 25 për Selimin.

          Më 5 maj 2026, trupi gjykues e shtyu për 60 ditë afatin për shqiptimin e aktgjykimit – pra deri më 20 korrik.

          Më 1 korrik, e caktoi 16 shtatorin 2026 si datë për shqiptimin e vendimit.

          Çka pritet dhe çka duhet bërë?

          Për shkak se procesit në Hagë po i vjen fundi, keqinformatat lidhur me të mund të rikthehen.

          • Gjithmonë duhet verifikuar nga kush është bërë publik informacioni.
          • Monitoroni faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.
          • Përcilleni kohën e publikimit.
          • Ndiqni platformat për verifikim faktesh.
          Raporto

          Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

          0 / minimum 10 karaktere