Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh për pëlqyeshmërinë e partive… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se ministri i Jashtëm turk reagoi ndaj Vuçiqit për hap… Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere… Të fundit | Si po përdoret figura e Rifat Jasharit për të prodhuar keqinformata Të fundit | Një deklaratë e sajuar paraqitet si e Kurtit Të fundit | Rishikimi i javës: Fotografi e manipuluar me IA që paraqiste rrejshëm Llugi… Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president
[ ARTIKULLI ]

Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kriteret

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

CLICKBAIT

Nuk sqarohet se bëhet fjalë për verifikimin e përfituesve të shtesave dhe largimin nga skema të atyre që nuk plotësojnë kriteret.

Janë publikuar postime në Facebook, me imazhin që ka mbishkrimin “LAJMI FUNDIT / S’ka shtesa me nga 30 euro”.

Një përmbajtje me këtë mbishkrim është publikuar të hënën (17 gusht) nga faqet me emrat “Prishtina City”, “Trendi.info” dhe të martën (18 gusht) në faqen me emrin “Gazeta Ditore”.

Çka nuk shkon me këtë mbishkrim?

Mbishkrimi nuk e sqaron se bëhet fjalë për verifikimin e përfituesve të shtesave dhe mundësinë e largimit nga skema të atyre që nuk i plotësojnë kriteret.

Postimet nuk kanë pasur ndonjë angazhim të theksuar, përveç postimit në faqen me emrin “Prishtina City”, i cili deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 130 reagime dhe mbi 30 komente. Në disa prej komenteve vërehet tendencë për ta perceptuar informacionin si vendim për ndalimin e dhënies së shtesave.

Faqja “Prishtina City” ka mbi 410 mijë ndjekës, “Trendi.info” ka mbi 63 mijë të tillë ndërsa faqja “Gazeta Ditore” ka afër 10 mijë ndjekës.


Këtyre postimeve u është bashangjitur vegëza e një artikulli. Artikulli i publikuar në domenin “enyenikredi.com” ka të njëjtin titull si ato që kanë postimet (LAJMI FUNDIT / S’ka shtesa me nga 30 euro).

Qysh në kreun e tekstit shkruan: “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces të gjerë të verifikimit të përfituesve të shtesave për fëmijë në Kosovë, me synimin që pagesat nga buxheti i shtetit të përfundojnë vetëm te familjet që i plotësojnë kriteret e përcaktuara.”

Kjo tregon se në tekst raportohet largimi nga skema i përfituesve që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Një gjë e tillë nuk sqarohet në titull, i cili mund të krijojë përshtypjen se shtesat prej 30 eurosh po ndalohen për të gjithë përfituesit.


Hibrid.info verifikoi vërtetësinë e pretendimit që përmban artikulli. Përmes makinës së kërkimit “Google”, duke kërkuar me fjalët kyçe “shtesat verifikimi”, u gjet një artikull i publikuar më 19 korrik në mediumin online “Telegrafi.com”, i cili raporton për të njëjtin proces të verifikimit të përfituesve të shtesave për fëmijë (shih këtu).


Përveç pretendimit, u hulumtua edhe për burimin. Hibrid.info kontrolloi domenin në të cilin është publikuar lajmi, përmes mjetit online “urlscan”. Rezultatet e analizuara përmes chatbotit “Google Gemini” tregojnë se profili teknik i këtij domeni është i zakonshëm për faqet e internetit të krijuara për gjenerimin e trafikut reklamues ose shpërndarjen masive të përmbajtjes (shih këtu).

Këto të dhëna sugjerojnë se publikimi i artikujve me tituj të tillë nga këto faqe në Facebook mund të shërbejë për të tërhequr trafik drejt domenit dhe, rrjedhimisht, drejt përmbajtjeve të monetizuara përmes reklamave.

Çka janë shtesat për fëmijë?

Shtesat për fëmijë janë mbështetje financiare mujore që u jepet familjeve për fëmijët e tyre, përmes një skeme të krijuar nga Qeveria e Kosovës. Përmes kësaj skeme, familjet që i plotësojnë kriteret përfitojnë një shumë të caktuar mujore për secilin fëmijë (shih këtu).

Analiza:

Përmbajtja që pretendon se “s’ka shtesa me nga 30 euro” nuk e paraqet në mënyrë të qartë informacionin lidhur me verifikimin e përfituesve të shtesave për fëmijë.

Në artikull bëhet e ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur verifikimin e përfituesve, me qëllim që nga skema të largohen ata që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Ky informacion është konfirmuar edhe nga raportime të mëhershme, përfshirë një artikull të publikuar më 19 korrik në “Telegrafi.com”, i cili raporton për verifikimin e përfituesve të shtesave për fëmijë.

Megjithatë, titulli nuk e sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk i plotësojnë kriteret dhe mund të krijojë përshtypjen se shtesat prej 30 eurosh po ndalohen në përgjithësi.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bëjnë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere