Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh… Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë
[ ARTIKULLI ]

Email-e anonime me përmbajtje të rreme për Ukrainën: si po vepron rrjeti propagandistik rus “Matryoshka”

HIBRID

Shkroi: Fatbardh Dema

Dhjetëra emaile janë dërguar në adresën elektronike të Hibrid.info vetëm në këtë fillimvit (nga 1 janari deri më sot) me përmbajtje që cak kanë paraqitjen e Ukrainës si një shtet që po e destabilizon Evropën.

Këto përmbajtje propaganduese vijnë përmes email adresave anonime dhe përmbajnë imazhe të gjoja raportimeve nga media të ndryshme botërore. 

Të gjitha këto përmbajtje janë verifikuar nga ekipi i kontrolluesve të fakteve në Hibrid.info dhe kanë rezultuar krejtësisht të fabrikuara.

Kjo metodë e shpërndarjes së propagandës është pjesë e modelit të njohur të dezinformimit rus, të quajtur Matryoshka, model i cili është analizuar dhe dokumentuar në një hulumtim të publikuar më herët gjatë vitit 2025 nga platforma The Insider.

Veç kësaj fushate, platforma Hibrid.info ka qenë cak edhe i fushatave të mëhershme dezinformuese të rrjetit Matryoshka (shih këtu)

Përmbajtjet e adresave elektronike të dërguara në hibrid.info dhe verifikimi i tyre

Nga fillimi i këtij viti, platforma për verifikimin e fakteve hibrid.info ka pranuar plot 22 emaile në adresën zyrtare elektronike, të cilat kanë përmbajtje të dyshimta në gjuhën angleze e frënge, e të cilat i ka verifikuar veç-e-veç.

Imazhet e dërguara imitojnë media të ndryshme ndërkombëtare, si BBC, Euronews, Reuters e të tjera. Në përmbajtjet e këtyre imazheve jepen informacione të rreme se gjoja mediat ndërkombëtare kanë raportuar se refugjatët ukrainas në Evropë po shesin drogë, dhe se fëmijët ukrainas për 2-3 vjet mund të shndërrohen në vrasës nëpër shkolla.

Këto dy përmbajtje mbajnë logon e mediumeve si “Reuters” dhe “Le Point”.

Hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqet e këtyre mediumeve lidhur me këto pretendime, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull të publikuar. (shih këtu dhe këtu)

Veç këtyre përmbajtjeve, paraqiten edhe tjera që gjithashtu janë të rreme. Njëra ka të bëjë me aksidentin hekurudhor në Spanjë më 18 janar të këtij viti, ku humbën jetën 45 persona, e ku pretendohet se prapa aksidentit është një sulm terrorist i kryer nga pesë ukrainas: “Pesë ukrainas dyshohet se kanë kryer një sulm terrorist në hekurudhë”.

Ky pretendim në formë imazhi mban logon e mediumit “Euronews”. Hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen zyrtare të këtij mediumi, por që rezultatet nuk shfaqin të publikuar artikull me këtë pretendim. (shih këtu)

“Volodymyr Zelensky është pajtuar që të dërgojë ushtarë ukrainas në Evropë në rast të pushtimit të Grenlandës nga ShBA-ja, raporton Bellingcat”. Kjo përmbajtje mban logon e “BBC”.

Për të vërtetuar se këta artikuj nuk janë publikuar në mediumet e lartcekura, hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqet zyrtare të tyre. (shih këtu dhe këtu)

Këto emaile kanë një element të përbashkët: përhapjen e përmbajtjeve dezinformuese që lidhen me Ukrainën dhe presidentin Zelensky, duke synuar përfshirjen e mediave dhe organizatave të verifikimit të fakteve në një fushatë të organizuar dezinformimi.

Këto narrativa ndjekin një model tipik të fushatave të dezinformimit që synojnë të diskreditojnë liderët pro-perëndimorë në vendet e Evropës Lindore.

Ky lloj manipulimi mediatik është një taktikë e zakonshme në fushatat e dezinformimit, ku përdorimi i identitetit vizual të institucioneve kredibile shërben për të amplifikuar ndikimin e mesazheve propagandistike. Rasti i hibrid.info tregon se këto përpjekje nuk janë të kufizuara vetëm brenda kufijve të Ukrainës, por po synojnë të zgjerojnë ndikimin edhe në vende të tjera të rajonit përmes aktorëve lokalë apo ndërkombëtarë që merren me luftimin e dezinformimit.

Konteksti i dezinformimit ndaj Ukrainës

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur në vitin 2022 dhe, paralelisht me ofensivën ushtarake, është shoqëruar me një intensifikim të fushatave të dezinformimit në hapësirën mediatike ndërkombëtare. Këto fushata kanë pasur për qëllim shtrembërimin e realitetit të luftës, diskreditimin e shtetit ukrainas dhe udhëheqjes së tij politike si dhe dobësimin e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.

Një nga narrativat kryesore të kësaj lufte informative është paraqitja e Ukrainës si burim i pasigurisë për Evropën, përmes pretendimeve të rreme që lidhen me refugjatët, kriminalitetin, ekstremizmin apo kërcënimet ndaj stabilitetit social. Këto narrativa synojnë të nxisin frikë dhe mosbesim në opinionin publik evropian, duke ushqyer qëndrime armiqësore ndaj Ukrainës dhe duke vënë në pikëpyetje politikat e solidaritetit ndaj saj.

Përhapja e këtyre përmbajtjeve realizohet përmes kanaleve të ndryshme, përfshirë rrjetet sociale, portalet e dyshimta informative, si dhe përmes fushatave të koordinuara që përdorin identitete të rreme dhe imitime të mediave kredibile. Modele të tilla dezinformimi, si rrjeti propagandistik rus Matryoshka, dëshmojnë për një strategji të organizuar që synon manipulimin e informacionit dhe perceptimit publik në nivel ndërkombëtar.

Çfarë është fushata Matryoshka?

I zbuluar nga grupi anonim vullnetar Antibot4Navalny në bashkëpunim me AFP në janar 2024, operacioni Matryoshka është fushatë dezinformuese pro-ruse, që përdor me zgjuarsi llogaritë e komprometuara në X (dikur Twitter), por edhe emaile, për të propaganduar narrativa mashtruese. Kjo fushatë synon mediat, personalitetet, institucionet dhe kontrolluesit e fakteve, duke angazhuar gazetarët në X me perspektiva pro-ruse dhe duke minuar Ukrainën, për të ngatërruar diskursin publik dhe për të përhapur dezinformata.

Fushata përdor një rrjet llogarish në X, por edhe emaile, që shfaqin tipare të sjelljes joautentike, të cilat përpiqen të mashtrojnë njerëzit për identitetin ose origjinën e entitetit që përfaqësojnë. Nuk është e qartë se si janë marrë llogaritë e përdorura në fushatë. Asnjë nga llogaritë nuk duket se sillet në mënyrë të ngjashme me botët, dhe me shumë gjasa janë të operuara nga njerëz.

E quajtur Matryoshka (“kukulla fole” ruse), fushata përfshinte llogari të mundshme të operuara nga njerëz në X që citonin njëra-tjetrën në postime e që përmbanin lidhje me pretendime të rreme dhe mbushnin ekipet e vogla të kontrolluesve të pavarur të fakteve me kërkesa për t’i verifikuar këto pretendime. Në vend që të shpërndajnë vetë lajmet e rreme, llogaritë ri-shpërndajnë postime nga llogaritë e tjera në të njëjtin rrjet dhe i dërgojnë ato drejtpërdrejt në faqet e kontrolluesve të fakteve. Këto “ri-shpërndarje” formulojnë një kërkesë për kontroll të fakteve. Llogaritë simulojnë sjelljen e përdoruesit tipik të mediave sociale, i cili mund të jetë skeptik ndaj një lajmi dhe do të donte opinionin e një burimi të besueshëm për kontrollin e fakteve. Megjithatë, ky proces i rishpërndarjes përsëritet nga llogaritë e tjera në rrjet, në mënyrë të pafund. “Grumbullimi” i postimeve që përmbajnë raporte të rreme të lajmeve është i ngjashëm me funksionimin e kukullave Matryoshka, nga ku fushata merr emrin e saj.

Si aktive në platformën X që nga të paktën shtatori i vitit 2023, fushata “Matryochka” karakterizohet nga një mënyrë funksionimi me dy hapa:

• grupi i parë i llogarive, i quajtur “mbjellësit (seeders)”, publikon përmbajtje false në platformë;

• një grup i dytë llogarish, i quajtur “citues (quoters)”, më pas shpërndan postimin në përgjigje të postimeve të mediave, personaliteteve dhe njësive të kontrollit të fakteve.

Matryoshka shpërndan tri lloje përmbajtjesh që imitojnë median, institucionet dhe OJQ-të:

  • Video-raporte me përmbajtje mashtruese që përdorin statutin dhe fontin grafik të medias, institucionit ose organizatës. Këto raporte të rreme dyshohet se janë prodhuar duke përdorur databazë imazhesh dhe muzikë pa pagesë;
  • Pamje të rreme të ekranit që paraqesin një ekstrakt nga një artikull, një “story” në Instagram ose një sekuencë e shkurtuar në YouTube nga një media, një organizatë ose një personalitet;
  • Dokumente zyrtare false që uzurpojnë kartën grafike të një enti qeveritar.

Operacionet Matryoshka zakonisht përfshijnë dy deri në tri llogari që shpërndajnë përmbajtje në X çdo disa minuta. Pas 30 deri në 45 minutash, dy deri në tri llogari të tjera fillojnë të ri-shpërndajnë postimet nga llogaritë e para, duke iu përgjigjur postimit të fundit të objektivit. Cituesit shpesh shtojnë një tekst, një emoji (emotikon) ose thjesht një përmendje të objektivit, dhe kjo shtesë është unike për çdo operacion dhe citim. Kjo fazë e dytë zakonisht zgjat disa orë, me një interval mesatar prej 45 sekondash midis çdo citimi.

Sipas grupit aktivist, arkitektët janë agjentë pro-rusë që përdorin me mjeshtëri platformën X për të përhapur dezinformatat e tyre. Objektivat e tyre kryesore janë mediat perëndimore dhe opinioni më i gjerë publik, me fokus të veçantë në gërryerjen e mbështetjes për Ukrainën. Metodat e përdorura u bëjnë jehonë taktikave historike të inteligjencës ruse, siç ilustrohet nga “sistemi i matricës” i përshkruar në sistemin Matryoshka”, ose dezinformimi i përsosur.

Seti i kukullave Matryoshka, që zakonisht ka pesë shtresa që shtrihen nga një kukull e fortë e brendshme, simbolizon strategjinë e RusisëRusia kombinon luftën politike (PW) dhe luftën informative (IW) me veprime ushtarake të hapura dhe të fshehta për të përfituar në mënyrë të pamjaftueshme, duke shfrytëzuar dobësitë dhe duke arritur qëllimet e saj. Shtresa më e brendshme përfaqëson manovrat politike dhe ligjore, ndërsa shtresat e tjera përfshijnë veprime ushtarake të hapura, operacione të fshehta, luftë informative dhe, në fund, luftë politike. Çdo shtresë mbulon shtresën tjetër, duke ia mundësuar Rusisë të manovrojë në mënyrë strategjike. Kjo përfshin manipulimin e informacionit për të krijuar kaos dhe konfuzion, duke dobësuar përgjigjet e entiteteve si NATO.

Bazuar në gjetjet Antibot4Navalny dhe AFP në platformën X, kompania digjitale “Check First” zhvilloi një hulumtim më të zgjeruar të fushatës Matryoshka, duke shpalosur strategjinë e funksionimit të saj si “operacion i mbingarkimit”.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere