Ballafaqimi me një fushatë të koordinuar kundër shtetit të Moldavisë ka marrë formën e shpërndarjes së videove propagandistike në rrjetet sociale, të cilat synojnë diskreditimin e presidentes Maia Sandu. Strategjia konsiston në shpërndarjen anonime të videove dhe postimeve me përmbajtje të pavërtetë, të cilat imitojnë logot, emrat dhe pamjen vizuale të mediave dhe institucioneve të njohura ndërkombëtare.
Kjo metodë është pjesë e modelit të njohur të dezinformimit rus, të quajtur Matryoshka, i cili është dokumentuar dhe analizuar së fundmi në një hetim të publikuar nga platforma The Insider. Sipas projektit @antibot4navalny, këto përmbajtje përhapin pretendime të rreme se fitorja e saj në zgjedhjet e nëntorit 2024 ishte rezultat i manipulimeve zgjedhore dhe se ajo po shtyp opozitën. Kjo fushatë synon të minojë procesin e afrimit të Moldavisë me Bashkimin Evropian (BE) dhe të zbehë mbështetjen e publikut ndaj udhëheqjes aktuale.
Në kuadër të kësaj fushate dezinformuese të rrjetit Matryoshka, platforma për verifikimin e fakteve, hibrid.info, që nga 22 maji, është bërë shënjestër e dhjetëra adresave elektronike (email) të dërguara me përmbajtje të rreme që lidhen me Moldavinë dhe presidenten Sandu. Këto përpjekje synojnë përhapjen e narrativave të rreme edhe jashtë Moldavisë, duke u përpjekur të ndikojnë në diskursin publik në rajon.
Përmbajtjet e adresave elektronike të dërguara në hibrid.info
Që nga data 22 maj, platforma për verifikimin e fakteve hibrid.info ka pranuar dhjetëra adresa elektronike të dyshimta, në përmbajtjen e të cilave përfshihen linqe që të dërgojnë te rrjetet sociale si X (ish-Twitter), Telegram dhe TikTok. Këto adresa elektronike kanë një element të përbashkët: përhapjen e përmbajtjeve që lidhen me Moldavinë dhe presidenten Sandu, duke synuar përfshirjen e mediave dhe organizatave të verifikimit të fakteve në një fushatë të organizuar dezinformimi.
Linqet çojnë në llogari të ndryshme në këto platforma, ku janë publikuar fotografi dhe video që pretendojnë të pasqyrojnë realitetin politik dhe shoqëror në Moldavi. Në përmbajtjet e shpërndara, qeverisja e presidentes Sandu paraqitet si e korruptuar dhe e përfshirë në aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikimin. Këto narrativa ndjekin një model tipik të fushatave të dezinformimit që synojnë të diskreditojnë liderët pro-perëndimorë në vendet e Evropës Lindore.
Videot janë të titruara në gjuhën angleze dhe paraqiten në një stil vizual që imiton pamjen grafike të mediave ndërkombëtare si Euronews, The Economist, Bellingcat, Los Angeles Times e Cosmopolitan. Duke përdorur logot dhe elementet vizuale të mediave të njohura, krijuesit e këtyre përmbajtjeve përpiqen të mashtrojnë shikuesit, duke i bërë ata të besojnë se informacioni vjen nga burime të besueshme dhe të paanshme.
Ky lloj manipulimi mediatik është një taktikë e zakonshme në fushatat e dezinformimit, ku përdorimi i identitetit vizual të institucioneve kredibile shërben për të amplifikuar ndikimin e mesazheve propagandistike. Rasti i hibrid.info tregon se këto përpjekje nuk janë të kufizuara vetëm brenda kufijve të Moldavisë, por po synojnë të zgjerojnë ndikimin edhe në vende të tjera të rajonit përmes aktorëve lokalë apo ndërkombëtarë që merren me kundër-dezinformimin. Ka pasur edhe adresa elektronike të tjera që kanë ardhur në atë të hibrid.info për tema të ndryshme, e së fundmi me fokus të veçantë temën e Moldavisë dhe presidenten Sandu.
Verifikimi i pretendimeve dezinformuese nga Stopfals.md
Platforma për verifikimin e fakteve në Moldavi, Stopfals.md, ka analizuar disa dezinformata që lidhen me presidenten Sandu, të cilat janë dërguar edhe në adresën elektronike të hibrid.info.
Një nga pretendimet kryesore ishte se presidentja e Moldavisë ka një partner të pasur me një pasuri prej 24 milionë dollarësh, që përfshin një vilë në një ishull të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe prona të shumta në Bukuresht. Kjo dezinformatë përfshinte pretendime të rreme se BBC-ja dhe rrjeti hetimor Bellingcat kishin kryer një hetim për këtë çështje. Verifikimet e kryera nga Stopfals.md treguan se as BBC-ja dhe as Bellingcat nuk kishin publikuar asgjë të ngjashme në kanalet e tyre zyrtare. (këtu)
Një tjetër dezinformatë e shpërndarë në formë videoje pretendonte se revista The Economist dhe Viginum kishte publikuar një renditje të politikanëve më të korruptuar në Evropën Lindore, ku thuhej se në krye të listës ishte presidentja Sandu, së bashku me Ilie Bolojan dhe Andrzej Duda. Fotografia, përdorte logon e The Economist dhe Viginum në mënyrë mashtruese, pasi revista nuk kishte publikuar një listë të tillë. (këtu)

Po ashtu, qarkulloi një pretendim tjetër i rremë se presidentja e lartcekur zotëronte një shtëpi me vlerë 15 milionë dollarë në Los Angeles, e cila gjoja ishte djegur, shoqëruar me një video që i atribuohej gabimisht Los Angeles Times. Edhe në këtë rast, verifikimi konfirmoi se media amerikane nuk kishte publikuar asnjë material të tillë. (këtu)

Në kuadër të adresave elektronike të dërguara në atë të hibrid.info, janë identifikuar edhe disa përmbajtje dezinformuese që përfshijnë pretendime për korrupsion, trafikim njerëzor dhe përqindjen më të lartë të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (STD) në Moldavi. Këto materiale përdorin në mënyrë mashtruese logon e mediumit evropian Euronews, duke krijuar përshtypjen e një burimi të besueshëm. (këtu, këtu)
Gjithashtu, është shpërndarë një video me pretendimin se nga Moldavia pritet një valë migrimi ilegal drejt vendeve të BE-së, e cila është shoqëruar me logon zyrtare të Komisionit Evropian. Verifikimi i këtyre përmbajtjeve ka treguar se ato janë të rreme dhe synojnë të manipulojnë opinionin publik përmes përdorimit të logove të institucioneve dhe mediave kredibile. (këtu)

Hibrid.info ka qenë edhe më parë një nga objektivat e operacionit dezinformues pro-rus Matryoshka, duke u shënjestruar me përmbajtje të dyshimta që kërkonin verifikim, kryesisht lidhur me luftën në Ukrainë. (këtu)
Konteksti i dezinformimit ndaj presidentes së Moldavisë
Maia Sandu u rizgjodh për një mandat të dytë dhe të fundit në zgjedhjet presidenciale të tetorit 2024, duke mposhtur kandidatin pro-rus Alexandr Stoianoglo me mbi 55% të votave. Megjithëse nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë sipas kushtetutës së Moldavisë, ajo mbetet një figurë kyçe politike dhe mbështet fuqishëm Partinë e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), e cila po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 28 shtatorit 2025, që pritet të jenë vendimtare për kursin pro-evropian të vendit.
Presidentja Sandu ishte objektiv i ndikimit të huaj nga Rusia, e cila shfrytëzoi kombinimin e zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në BE në vitin 2024 për të ndërhyrë në Moldavi. Sipas Raportit të 3-të të EEAS (European External Action Service)mbi kërcënimet e manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj (FIMI), Rusia intensifikoi operacionet e saj dezinformuese duke përdorur rrjete ekzistuese dhe asete të reja, për të minuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe për të dobësuar mbështetjen ndaj presidentes së Moldavisë. (këtu)