Nigel Farage, lideri i partisë Reform UK, në një konferencë për media të hënën (10 gusht), ka prezantuar planin e partisë për dërgimin e shtetasve të huaj të dënuar nga burgjet britanike në vendet e tyre të origjinës ose, në rast se ato refuzojnë t’i pranojnë, në vende të treta (shih këtu).
Në këtë kontekst, Farage ka përmendur Kosovën si një shembull që, sipas tij, aktualisht po përdoret nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar.
Por, përderisa ekzistojnë marrëveshje të ndryshme ndërmjet Kosovës dhe shteteve evropiane për transferimin e personave të dënuar, duhet të sqarohet nëse Kosova po përdoret nga Suedia në mënyrën e përshkruar nga Farage.

Hibrid.info gjeti një video-material të këtij deklarimi (shih këtu).
Deklarata e transkriptuar dhe e përkthyer:
“Pra, le të nisim me mbi 10 mijë shtetas të huaj që kanë kryer vepra penale dhe që aktualisht ndodhen në burgjet e Britanisë. Ky numër po rritet vazhdimisht. Në fakt, shpenzimet tona për këtë çështje janë 50 për qind më të larta krahasuar me vitin 2019.
Kjo është në fakt mjaft e thjeshtë. Ne i kthejmë këta persona në vendet e tyre të origjinës. Kjo nënkupton, për shembull, një telefonatë me Edi Ramën në Shqipëri dhe të tjera vende.
Nëse ata refuzojnë, atëherë i dërgojmë shtetasit e huaj që kanë kryer vepra penale në vende të treta. Kosova është ndoshta një shembull i mirë, pasi aktualisht po përdoret nga Suedia për këtë qëllim.
Ndërkohë, ne po organizojmë edhe një vizitë në El Salvador.”
A ka Kosova marrëveshje me Suedinë për të burgosurit?
Hibrid.info hulumtoi me anë të makinës së kërkimit “Google” me fjalët kyçe “kosova dhe suedia të burgosurit” (shih këtu).
Rezultatet nga kërkimi shfaqën disa artikuj të publikuar në mediat në gjuhën shqipe, ku raportohej se shteti suedez kishte hedhur në shqyrtim marrjen me qira të qelive të burgjeve në Kosovë (shih këtu dhe këtu).
Por, artikujt nuk kanë sqaruar nëse është arritur një marrëveshje e ngjashme me atë që pretendon Farage.
Për të gjetur diçka më shumë në këtë aspekt, hibrid.info kërkoi në “Google”, me fjalët “kosova dhe suedia marrëveshje” (shih këtu).
Kërkimi shfaqi një artikull ku raportohej se Kosova dhe Suedia kanë finalizuar tri marrëveshje për bashkëpunim juridik, duke përfshirë atë për transferimin e personave të dënuar (shih këtu).
Ky informacion konfirmohet edhe në një publikim (24 shtator) të vitit 2024, në uebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë, ku njoftohej se ishin nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në mes të këtyre dy vendeve (shih këtu).
Të tri këto marrëveshje parashiheshin që të miratoheshin nga Qeveria e Kosovës në maj të vitit 2026 (shih këtu).
Kërkimi në “Google” për marrëveshjen e transferimit të personave të dënuar ndërmjet dy vendeve, nuk ka sjellë informata për detajet që përmban marrëveshja (shih këtu).
Çka do të thotë se deri më tani, nuk ka konfirmim se Suedia po përdor burgjet e Kosovës, për të dërguar të dënuarit, që vijojnë burgimin në këtë shtet.
Me cilat vende ka Kosova marrëveshje për të burgosurit e huaj?
Kërkimi në “Google” për këtë çështjë ka shfaqur artikuj që tregojnë se Kosova ka një marrëveshje me Danimarkën për këtë çështje (shih këtu).
Hibrid.info gjeti marrëveshjen në fjalë (shih këtu). Marrëveshja parasheh që Danimarka të merr me qira 300 vende në Qendrën Korrektuese në Gjilan për persona të rritur të dënuar me burgim ose masa të tjera të privimit të lirisë në Danimarkë.
Bëhet fjalë kryesisht për shtetas të vendeve të treta, të cilët janë dënuar në Danimarkë dhe ndaj të cilëve është marrë vendim për dëbim pas përfundimit të dënimit.
Marrëveshja përjashton kategori të caktuara të të burgosurve, përfshirë persona të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte, si dhe kategori të tjera të përcaktuara. Personat e transferuar vazhdojnë të vuajnë dënimin e shqiptuar nga autoritetet daneze.
Marrëveshja përcakton përgjegjësitë e autoriteteve të Kosovës dhe Danimarkës për administrimin dhe funksionimin e objektit korrektues.
Kosova merr pagesë për përdorimin e kapacitetit. Vlera e marrëveshjes është rreth 210 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare.
Pas vuajtjes së dënimit, personat ndaj të cilëve ka vendim për dëbim mund të kthehen në vendin e origjinës, sipas procedurave përkatëse.
Marrëveshja është ratifikuar dhe të burgosurit e parë në Kosovë pritet të vijnë në vitin 2027 (shih këtu dhe këtu).
Në artikujt tjerë është gjetur që edhe shteti belg ka shprehur interesim në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në Kosovë, por deri më tani nuk asgjë të konkretizuar (shih këtu dhe këtu).
Çka do të thotë së ky verifikim tregon që Kosova nuk po përdoret aktualisht nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar, në mënyrën e përshkruar nga Farage.
Përfundimi
Nigel Farage, lideri i Reform UK, pretendoi se Kosova aktualisht po përdoret nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar, duke e përmendur këtë si shembull për planin e partisë së tij për dërgimin e të dënuarve në vende të treta.
Kosova dhe Suedia kanë nënshkruar në vitin 2024 tri marrëveshje për bashkëpunim juridik, përfshirë marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar. Megjithatë, nga të dhënat e disponueshme nuk rezulton se kjo marrëveshje parasheh marrjen me qira të hapësirave të burgjeve në Kosovë nga Suedia apo se Suedia aktualisht po transferon të burgosur në Kosovë për vuajtjen e dënimit.
Një marrëveshje të tillë Kosova e ka me Danimarkën. Ajo parasheh që Danimarka të marrë me qira 300 vende në Qendrën Korrektuese në Gjilan për persona të dënuar në Danimarkë, kryesisht shtetas të vendeve të treta ndaj të cilëve është marrë vendim për dëbim. Të burgosurit e parë danezë pritet të transferohen në Kosovë në vitin 2027.
Prandaj, pretendimi i Farage se Kosova aktualisht po përdoret nga Suedia për transferimin e shtetasve të huaj të dënuar, është i pasaktë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson pretendimin e Farage si “Deklaratë gjysmë të vërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.