[email protected]
Deklaratë e pasaktë e ministrit Vitia, i cili ka deklaruar se pagat e mjekëve në Kosovë janë ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor
shape
shape
shape

Shkruar nga Etrit Rexhepi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë një intervistë, të publikuar me 25 shkurt për Agjencinë e lajmeve, Ekonomia Online.

Vitia në këtë intervistë është deklaruar se mjekët në Kosovë kanë një nga rrogat më të larta në regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia ka paga më të ulëta për mjekët, në krahasim me Kosovën, gjë e cila sipas vlerësimit, e bën deklarimin e ministrit Vitia, si të pasaktë.


Vegëza e video-materialit të intervistës së ministrit Vitia, publikuar nga “Ekonomia Online”:


Deklarata e Ministrit Vitia:

“E para nga viti i kaluar mjekët tashti kanë një rrogë dinjitoze nga rrogat më të larta që kanë mjekët në regjionin e Ballkanit perëndimor.” (shih këtu)


Analiza:

Për të vërtetuar deklaratën e ministrit Arben Vitia, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit për pagat e mjekëve në vendet e Ballkanit perëndimor.

Në bazë të gjetjeve, Mali i Zi ka pagat më të larta nga rajoni në këtë sektor. Në bazë të një njoftimi të lëshuar (06 qershor, 2023) nga qeveria malazeze, tregohet se specialistët mjekësorë dhe specialistët stomatologjikë paguhen 2,065.83 euro, mjekët subspecialistë – 2,538.42 euro, mjekët e zgjedhur – 1,615.75 euro dhe personeli mjekësor i ndërmjetëm merr pagë prej 776.34 euro (shih këtu).


Gjetjet tjera e vendosin Kroacinë pas Malit të Zi, sa i përket pagave për mjekë. Në disa artikuj të mediave kroate, raportohet për një deklaratë të ministrit të Shëndetësisë kroate, Vili Berosh, i cili tregon për pagat aktuale dhe rritjen që pritet ti përfshijë ato nga ky vit (shih këtu dhe këtu).

Artikujt tregojnë se mjekët specialistë paguhen nga 1771 euro, mjekët pa specializim dhe ata në specializim marrin pagë 1592 dhe 1500 euro ndërsa infermierët me master dhe ata me arsim të mesëm profesionalë kanë paga 784 euro gjegjësisht 615 euro.

Pjesa e marrë nga dy artikujt e mediave kroate:

  • Paga e mjekut-specialist rritet nga 1771 euro në 2500 euro, me roje dhe jashtë orarit deri në 3500 euro, që është një rritje prej 40%.
  • Paga e mjekut pa specializim rritet nga 1.592 euro në 1.968 euro, dhe me roje dhe jashtë orarit deri në 2.500 euro, që është një rritje prej 23%.
  • Rritet paga e mjekut në specializim nga 1500 euro në 1850 euro dhe me roje dhe jashtë orarit deri në 2400 euro që është një rritje prej 23%.
  • Rritet paga e masterit në infermieri nga 784 euro në 1700 euro dhe me gatishmëri dhe jashtë orarit deri në 1900 euro, që është një rritje prej 116%.
  • Paga e infermierit me arsim të mesëm profesional (SHSSH) rritet nga 615 euro në 1149 euro, me gatishmëri dhe jashtë orarit deri në 1300 euro, që është një rritje prej 86%.

Hibrid.info po ashtu ka hulumtuar edhe për pagat e mjekëve në Bosnje dhe ka gjetur një artikull (06 shtator, 2023) të mediumit boshnjak “radiosarajeba.ba”, raportim i një konferencë për media të kryeministrit të Kantonit të Sarajevës, Nihad Uk (shih këtu).

Duke përdorur veglën e “Google” për këmbimin e vlerave monetare (këtu) “hibrid.info” ka marrë të dhënat nga ky artikull ku tregohet se mjekët specialist kanë paga prej 4086 KM (2,089.60 euro), mjekët në specializim 2551 KM (1,304.60 euro), masterët e farmacisë, biologë dhe stafi tjetër profesional paguhen 2,222 KM (1,136.34 euro), kryeinfermierët/teknikët marrin paga nga 2,329 KM (1,191.06 euro), infermierët/teknikët që janë pa funksion, paga u shkon deri në 2,167 KM (1,108.22 euro) dhe ata që janë infermierë/teknikë 1,762 KM (901.10 euro).


Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pas hulumtimit dhe verifikimit nga hibrid.info, ndonëse janë hasur vështirësi në gjetjeve e informatave zyrtare, nga një artikull i portalit informativ “telegrafi.com”, të publikuar para 1 viti është gjetur se pagat e mjekëve në Maqedoninë e Veriut, në Qendrën Klinike janë deri në 1.620 euro, ndërsa paga mesatare e mjekëve specialistë në spitalet e përgjithshme është rreth 1.400 euro (shih këtu).

Kurse në Shqipëri për rritjen e pagave vitin e kaluar (5 prill), kishte njoftuar kryeministri Edi Rama, i cili ishte deklaruar se paga e infermierit do të shkojë 72 mijë lekë (rreth 637 euro), mjekët specialistë në QSUT do ta kenë pagën 174 mijë lekë (1,540 euro), ndërsa për mjekët e përgjithshëm pagat do të shkojnë 131 mijë lekë (1,160 euro) dhe infermierët 87 mijë lekë (770 euro)” (shih këtu).


Gjetjet e mëtutjeshme “të hibrid.info”, tregojnë që Serbia ka pagat më të ulëta nga këto vende në sektorin e shëndetësisë. Artikulli i mediumit serb “blic.rs” (26 prill, 2023), tregon për rritjen e pagave të mjekëve, të kumtuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq (shih këtu).

Sipas njoftimit paga bazë e mjekut specialist, është rritur në 133.875 dinarë (1,142.47 euro). Paga bazë e mjekut në një qendër shëndetësore pas rritjes është 108 mijë (921.65 euro) ndërsa Infermierët nga shkurti i këtij viti, marrin nga 62.370 (532.26 euro) deri në 78.750 dinarë (672.04 euro) (këtu).


Renditja e paraqitur e vendeve të Ballkanit Perëndimorë sa i përket pagave të mantel-bardhëve, konfirmohet edhe nga këta artikuj të hulumtuar nga hibrid.info e të publikuar nga disa media në gjuhën shqipe e ato serbe (shih këtu, këtu dhe këtu).


Sa janë pagat e mjekëve në Kosovë?

Hibrid.info ka gjetur një artikullin që tregon pagat e mjekëve duke u bazuar në koeficientin e pagave të vitit të kaluar (105), ndërsa përllogaritja e pagave të mantel-bardhëve, është bërë sipas koeficientit të pagave (110) për vitin 2024 (shih këtu).

Tabela e pagave për mjekët në Kosovë:

Mjeku specialist1320 euro
Mjeku i përgjithshëm814 euro
Mjeku në specializim880 euro
Kryeinfermieri682 – 704 euro
Infermieri561 – 616 euro
Ndihmës – Infermieri495 euro

Përfundimi:

Deklarata e ministrit të Shëndetësisë se pagat e mjekëve në Kosovë janë ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor, nuk përputhet me të dhënat e gjetura nga “hibrid.info”.

Në bazë të hulumtimit të të dhënave me anë të makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se vetëm në Serbi janë pagat më të ulëta për mjekët në raport me Kosovën, sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, hibrid.info e vlerëson deklaratën e ministrit Vitia, si deklaratë të pavërtetë.


Vlerësimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others