info@hibrid.info
Pretendim i pasaktë i Hysen Durmishit se Kosova ka përqindjen më të lartë territorit nën mbrojtje të natyrës në Ballkanin Perëndimor
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Hysen Durmishi u.d i ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna” dhe “Liqenit të Ujmanit”.

njoftimin të cilin e ka publikuar të hënën (27 tetor) ai ka pretenduar se me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë (12.4%) të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Hibrid.info ka gjetur raporte të institucioneve ndërkombëtare që hedhin poshtë pretendimin e Durmishit.


Postimi i Durmishit:

“Kemi vënë nën mbrojtje “Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit”

Të dashur qytetarë, javën e kaluar kam nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit”, një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë.

Me këtë vendim, Republika e Kosovës bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.

Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.”

Analiza:

Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit për këtë çështje. Gjatë kërkimit, janë gjetur raporte me të dhëna për përqindjen e zonave të mbrojtura tokësore të ndara për shtete veç-e-veç, në mesin e të cilëve edhe një raport i Bankës Botërore për vitin 2024 (shih këtu).

Në tabelë nuk janë dhënë shifrat për Kosovën, por bazuar në të dhënat e paraqitura, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës (9.5%), të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë përqindje më të lartë sesa ajo që Durmishi ka pretenduar për Kosovën (12.4%) në lidhje me territorin e mbrojtur të natyrës.

Përqindja e zonave të mbrojtura tokësore në Ballkanin Perëndimor sipas Bankës Botërore

VendiPërqindja e territorit të mbrojtur të natyrës (%)
Maqedonia e Veriut28.2
Shqipëria23.6
Mali i Zi21.7
Serbia13.4
Bosnja dhe Hercegovina9.5

Hibrid.info ka gjetur po ashtu një raport të vitit 2023, të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) (shih këtu).

Ky raport gjithashtu konfirmon se Kosova nuk renditet e para në Ballkanin Perëndimor me përqindjen e territorit të mbrojtur ligjërisht, duke lënë mbrapa vetëm Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.


Nga kjo agjenci e Bashkimit Evropian (BE) në pjesët e veçanta për shtetet shkruan se pjesa e sipërfaqes tokësore të mbrojtur në Kosovë përbënte 11.6% të territorit në vitin 2022. Që nga viti 2005, numri i zonave të mbrojtura është rritur ndjeshëm, nga më pak se 50 në mbi 250 zona (shih këtu).

Përfundimi:

Pretendimi i u.d i ministrit në detyrë Hysen Durmishi se “Kosova ka përqindjen më të lartë të territorit të mbrojtur në Ballkanin Perëndimor” është i pavërtetë.

Të dhënat nga Banka Botërore dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) tregojnë qartë se disa shtete të rajonit, veçanërisht Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë përqindje më të lartë të zonave të mbrojtura sesa Kosova.

Bazuar në metodologjinë e kontrollit të deklaratave, hibrid.info e vlerëson pretendimin e ministrit në detyrë si “Deklaratë të pavërtetë”.

Arsyetimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others