Shkroi: Etrit Rexhepi
Të martën (16 dhjetor), Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, tha se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, letër në të cilën, sipas Bislimit, Kosovës i janë hequr shumica e masave të BE-së. (këtu)
Në letrën e publikuar nga Bislimi, Koopman thotë se specifikisht: “… Komisioni do të heqë disa nga masat e BE-së…”.
Por Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik i cili qeveris me vendin, ka thënë se Kosova aktualisht është pa masa të BE-së, duke mos e qartësuar se bëhet fjalë për heqjen e një pjese të masave.

Si qëndron e vërteta?
Në letrën që Bislimi thotë ta ketë pranuar nga Koopman, thuhet:
“Dua të përsëris angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane. Në maj, ne filluam heqjen e disa masave të BE-së pas përpjekjeve për të ulur tensionet në veri. Kohët e fundit, ne mirëpritëm transferimin paqësor dhe të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve lokale dhe largimin e policisë nga ndërtesat komunale”.
“Bazuar në ato që u thanë më sipër dhe në përputhje me Komunikatën e Komisionit të vitit 2025 për Zgjerimin, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, përkatësisht ato që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”.
Nga kjo lihet të kuptohet se vetëm disa nga masat që BE-ja ia ka vënë Kosovës më 2023, do të hiqen në të ardhmen e të cilat kanë të bëjnë me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare.
Se Kosovës i janë hequr masat nga BE-ja e pretendon edhe ministri në Detyrë i Financave, Hekuran Murati (shih këtu).
“Tash që edhe BE-ja i hoqi masat, të vetmet “masa” që po mbesin janë ato që partitë opozitare PDK/LDK/AAK-Nisma ia vendosën Kosovës, duke mos votuar për 882 milionë euro të Planit të Rritjes së BE-së, dhe 130 milionë eurove marrëveshje me Bankën Botërore”.

Ndërkaq, media “Gazeta Express” ka kontaktuar me Komisionin Evropian, institucion i cili ka konfirmuar se Kosovës i janë hequr 50% e masave.
“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes vendore në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale në dhjetor 2025, ne do të lirojmë më tej rreth 50% të asistencës financiare, që arrin në afërsisht 216 milionë euro”, tha në një përgjigje për Gazetën Express një zëdhënës i Komisionit Europian.
Por, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook të martën (16 dhjetor), ka pretenduar se Kosova aktualisht nuk ka masa të BE-së.
“Veriu: me sundim të ligjit; Kosova: pa masa të BE; Përfituese: Republika”, shkroi Manxhuka (këtu).
Çfarë masash i kishte vendosur BE-ja Kosovës?
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, ishte suspenduar edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.
Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022.
Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.
Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit 2023, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Përfundimi:
Gjatë ditës së djeshme, zv/kryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, publikoi një letër që tha se e kishte pranuar nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, e ku konfirmohej se Kosovës do t’i hiqeshin një pjesë e masave të vendosura të BE-së.
Por, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook, pretendoi se Kosova aktualisht është pa masa të BE-së.
Se Kosovës i janë hequr masat nga BE-ja, pretendoi edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Nga Komisioni Evropian konfirmuan për Gazetën Express se Kosovës i janë hequr 50% të masave.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson pretendimin për heqjen e masave si “Deklaratë gjysmë të vërtetë”.
Arsyetimi:
Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.



