[email protected]
Gjurmimi dhe ndikimi i lajmeve të rreme: Nga Palestina në Kosovë
shape
shape
shape

Analizë nga Agon Osmani


Konflikti i armatosur mes Izraelit dhe Hamasit, grupit militant të territorit palestinez, që nisi mëngjesin e 7 tetorit të vitit 2023, u zhvillua paralelisht me dezinformimin për të. Dezinformimit rreth këtij konflikti nuk i shpëtoi as Kosova, duke bërë që shumë qytetarë të shpërndajnë pamje (foto dhe video) që nuk paraqisnin luftën Izrael-Hamas, por ose pamje nga konflikte tjera nëpër botë, ose pamje të vjetra nga Gaza, por edhe pamje të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale.

Si në mbarë botën, edhe në Kosovë mediat sociale janë kontribuuesi kryesor i dezinformimit, por edhe blogjet e rrjetet tjera online. Për shkak të natyrës së shpejtë të transmetimit të informacionit në këto platforma, shpesh është vështirë për shumë njerëz të bëjnë dallimin mes lajmeve të rreme dhe atyre të vërteta.

Raste të dezinformatave, përmbajtjeve të paverifikuara, clickbait, lajmeve të rreme e mashtrimeve janë hasur shumë gjatë kësaj periudhe, e të cilat i ka verifikuar platforma për kontrollim dhe verifikim të fakteve, Hibrid.info.

Një faqe në Facebook me emrin “Tempulli” ka publikuar me datë 20 tetor një video-material me mbishkrimin “Protestuesit pro Palestinës sulmuan ambasadën izraelite në Bahrein”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vitit 2012 dhe paraqet skena të një sulmi të demonstruesve në një stacion policie në kryeqytetin e Bahreinit, Manama. (këtu)

Një rast tjetër është ai i faqes në Facebook “Kopshte me lumturi”, e cila numëron mbi 60 mijë ndjekës. Kjo faqe me datë 25 tetor ka publikuar një video material me mbishkrimin “Liri për Palestinën!”. Në këtë video-material shihen ndërtesa të shkatërruara, dhe që faqja e lartcekur pretendon se pamjet shfaqin shkatërrimin e Palestinës në konfliktin aktual Izrael-Hamas. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është realizuar në muajin shkurt dhe pamjet paraqesin shkatërrimin e qytetit turk Hatay pas tërmetit të 6 shkurtit. (këtu)

Pastaj, profili me emrin Mustafë Bajrami, nëpërmjet një imazhi të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ku shihen dy mjekë duke kryer një operacion në një objekt të shkatërruar, pretendon që paraqet qëndresën e Palestinës. Pas verifikimit të fotografisë me aplikacione që zbulojnë përmbajtjet me inteligjencë artificiale, thuhet se ka një probabilitet të lartë që imazhi të jetë krijuar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Ndonëse dezinformimi është i zakonshëm në raste luftrash e konfliktesh, kjo është hera e parë që dezinformimi po gjenerohet edhe me Inteligjencë Artificiale.

Fenomeni i lajmeve të rreme rreth konfliktit Izrael-Hamas, kryesisht në mbrojtje të Palestinës, është trajtuar edhe në emisionin e fundit “Prapa Ekraneve”, prodhim ky i realizuar nga Hibrid.info. (gjejeni KËTU)

Ndërkohë, në tetor në Prishtinë u organizua një marsh në mbrojtje të palestinezëve, ku u mblodhën një grup qytetarësh me thirrjen “Liri për Palestinën”. Veç marshit, në Prishtinë janë hasur edhe grafite në mbrojtje të palestinezëve, autorësinë e të cilave e ka marrë grupi “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.

Më 7 tetor të vitit 2023, persona të armatosur nga Rripi i Gazës, nën mburojën e mijëra raketave të lëshuara nga Gaza, thyen kufirin me Izraelin dhe u futën në turma brenda territorit izraelit duke vrarë shumë civilë nëpër rrugë, nëpër shtëpi dhe në një festival muzikor.

Ndonëse në ditët e para u raportua se numri i civilëve izraelitë të vrarë nga militantët e armatosur të Hamasit ishte mbi 1,400, kjo shifër ka rënë pas vlerësimeve të fundit. Numri përfundimtar i të vdekurve nga sulmi tani vlerësohet të jetë 695 civilë izraelitë, përfshirë 36 fëmijë, si dhe 373 forca sigurie dhe 71 të huaj, duke dhënë një total prej 1,139 viktimash.

Për gazetarët, ditët e para të luftimeve ishin sfiduese meqë raportimet kryesisht bazoheshin në njoftimet që vinin nga institucionet shtetërore izraelite, por edhe nga ato që drejtohen nga Hamasi, dhe ishte e vështirë të konfirmoheshin.

Vetëm pak kohë pas sulmit, autoritetet izraelite dolën me deklarata shqetësuese. Në veçanti, një pretendim i bërë më 10 tetor në llogarinë zyrtare të qeverisë në X (ish-Twitter) fliste për “40 foshnja të vrara” në kibucin Kfar Aza, bazuar në një raport nga kanali “i24NEWS”. 

E pyetur nga AFP të nesërmen, ministria e jashtme e Izraelit, e cila menaxhon llogarinë e qeverisë izraelite në X, tha se nuk mund të “konfirmonte asnjë numër në këtë fazë”.

Sipas Bituah Leumi, agjencia qeveritare e sigurimeve në Izrael, 46 civilë u vranë në Kfar Aza, më i riu 14 vjeç.

Një tjetër dëshmi e vënë në pikëpyetje ishte ajo e 27 tetorit e bërë nga koloneli Golan Vach, kreu i njësisë së kërkim-shpëtimit të ushtrisë, i cili i tha një grupi gazetarësh se ai “personalisht” transportoi “një foshnjë me kokë të prerë” e gjetur në krahët e nënës së tij në kibucin Beeri. Sipas Bituah Leumi, vetëm një foshnjë u vra në Beeri: 10-muajshja Mila Cohen, nëna e së cilës mbijetoi.

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin në përgjigje të sulmit. Ofensiva e saj ajrore dhe tokësore ka vrarë rreth 20,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas shifrave nga ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës e drejtuar nga Hamasi, dhe ka lënë pjesën më të madhe të territorit në gërmadha.

Share With Others