info@hibrid.info
Hibrid.info pjesë e konferencës evropiane “Democracy Matters – Facts Matter” në Parlamentin Evropian
shape
shape
shape

Hibrid.info ka prezantuar në Parlamentin Evropian gjetjet kryesore të raportit kërkimor “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it: Një studim mbi përhapjen e narrativave përmes chatbot-ëve të inteligjencës artificiale”.


Hibrid.info mori pjesë në konferencën dyditore të nivelit të lartë “Democracy Matters – Facts Matter”, të mbajtur më 27 dhe 28 janar në Parlamentin Evropian në Bruksel. Konferenca u bashkëorganizua nga Parlamenti Evropian, Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN) dhe Observatori Evropian i Medias Digjitale (EDMO).

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve evropiane, eurodeputetë, ekspertë të verifikimit të fakteve, studiues, gazetarë dhe aktorë të shoqërisë civile nga e gjithë Evropa. Në fokus të diskutimeve ishin kërcënimet ndaj lirisë së medias, ndikimi i dezinformimit dhe i manipulimit të huaj të informacionit (FIMI/DIMI), si dhe zbatimi i kuadrit rregullator të BE-së, përfshirë Digital Services Act (DSA) dhe AI Act.

Gjatë paneleve u theksua se mbrojtja e fakteve është thelbësore për funksionimin e demokracisë dhe se kjo kërkon jo vetëm rregullim ligjor, por edhe bashkëpunim ndërinstitucional, investime afatgjata dhe përfshirje të sektorit privat. U nënvizua gjithashtu rëndësia strategjike e edukimit mediatik dhe roli i pazëvendësueshëm i gazetarisë dhe verifikimit të fakteve në një hapësirë informative të dominuar nga platformat digjitale.

Paneli mbi inteligjencën artificiale dhe informacionin publik

Një nga diskutimet kyçe të konferencës ishte paneli “Si të mbijetosh ose të lulëzosh në revolucionin e inteligjencës artificiale?”, i cili trajtoi ndikimin e IA-së në informim, media dhe demokraci. Paneli u moderua nga Yasmina Yakimova nga Parlamenti Evropian dhe mblodhi aktorë të rëndësishëm nga fusha e politikëbërjes, teknologjisë dhe hulumtimit.

Në këtë panel mori pjesë edhe hulumtuesja e Hibrid.info, Hyrije Mehmeti, përkrah raportuesit të Parlamentit Evropian për AI Act, Brando Benifei, udhëheqësit të AI në Full Fact, Andrew Dudfield, si dhe drejtorit të Oxford Internet Institute, Scott Hale.

Mehmeti prezantoi gjetjet kryesore të raportit kërkimor të publikuar nga Hibrid.info,
📘 “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it: Një studim mbi përhapjen e narrativave përmes chatbot-ëve të inteligjencës artificiale”.

Raporti është i pari i këtij lloji në Ballkan dhe analizon mënyrën se si modelet e mëdha gjuhësore (LLM-të) formësojnë – dhe në disa raste shtrembërojnë – narrativat gjeopolitike, me fokus të veçantë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, në kuadër të një krahasimi më të gjerë global.

Në diskutim u theksua se, ndonëse mjetet e IA-së mund të shërbejnë si ndihmë për identifikimin e dezinformimit, informacioni i gjeneruar nga njerëzit, gazetaria profesionale dhe verifikimi i fakteve mbeten thelbësore, pasi modelet e IA-së ende prodhojnë gabime, mungesë konteksti dhe paragjykime strukturore. U theksua gjithashtu nevoja që IA të zhvillohet dhe përdoret në mënyrë transparente, etike dhe në përputhje me ligjin, si dhe rëndësia e edukimit publik për rreziqet dhe kufizimet e saj.

Njohje ndërkombëtare për punën e Hibrid.info

Pjesëmarrja e Hibrid.info në këtë konferencë dhe prezantimi i raportit kërkimor në Parlamentin Evropian përfaqësojnë njohje të rëndësishme ndërkombëtare për punën e organizatës në fushën e integritetit informativ, verifikimit të fakteve dhe analizës së ndikimit të inteligjencës artificiale në demokraci dhe diskursin publik.

Share With Others