[email protected]
Paraqitet si qëndrim i Greqisë kundër Kosovës deklarata e ish-kryeministrit grek
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Të paktën dy mediume në gjuhën serbe kanë dezinformuar përmes titujve mbi një deklaratë të ish-kryeministrit grek, Antonis Samaras, për raportin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Një deklaratë të Samarasit që fillimisht u publikua në mediumin grek “tovima” (lexo këtu) mediumet “pravda.rs” dhe “alo.rs” e kanë paraqitur të shtunën (27 prill) në tituj si qëndrim të shtetit të Greqisë.  

“Greqia distancohet nga Bakoyannis: Raporti mbi të ashtuquajturën Kosovë nuk na përfaqëson neve ose kulturën tonë” është titulli i mediumit “pravda”, ndërsa “alo” artikullit i ka vënë titullin “Dora Bakoyannistit i jepet flakaresh, fjalët e saj nuk e përfaqësojnë Greqinë”. 

Në asnjërin prej titujve nuk tregohet se ky është qëndrim i deputetit Samaras dhe jo i shtetit grek.


Vegëzat e artikujve:

https://archive.is/y96Mq

https://archive.is/Xowax

Megjithatë brenda artikujve tregohet se bëhet fjalë për deklaratën e ish-kryeministrit Samaras. Samaras ka thënë se raporti i Bakoyannisit për Kosovën në Këshill të Evropës “nuk e përfaqëson Greqinë e as kulturën dhe traditat e saj”. Ai ka thënë se “Greqia në vend të kësaj do të duhej të merrej me shënimin e 50-vjetorit të pushtimit turk të Qipros”.

Për më shumë, të dy artikujt nuk përdorin fotografi të Samarasit, por “pravda” përdori flamurin e Greqisë e “alo” imazhin e Bakoyannisit. Shumica e mediumeve megjithatë deklaratën ia kanë atribuuar Samarasit edhe në titull. (shih këtu dhe këtu)


Kontekst:

Dora Bakoyannis është deputete greke që ka përpiluar raportin për Kosovën në kërkesën për anëtarësimin në Këshill të Evropës. Raporti i saj ka theksuar se Kosova i ka plotësuar kushtet për anëtarësim, ndërsa ka vënë në pah se janë edhe disa kushte të zotuara pas anëtarësimit. (Lexo këtu)

Raporti ka marrë mbështetjen në Asamblenë Parlamentare të KiE-së në prill, ndërsa votimi final pritet në maj në Komitetin e Ministrave. Nga 5 deputetë të Greqisë që votuan në Asamble, katër ishin pro dhe një ishte kundër (lexo këtu). Ndërsa për Komitetin e Ministrave, ministri i Jashtëm grek George Gerapetritis paralajmëroi abstenim. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimi në titull se Greqia është distancuar nga raporti i Dora Bakoyannisit për Kosovën në Këshill të Evropës dhe deklarata se ky raport nuk e përfaqëson këtë shtet, nuk është i saktë.

Deklarata është qëndrim i ish-kryeministrit dhe deputetit aktual grek, Antonis Samaras dhe jo i shtetit siç kanë raportuar dy mediumet në gjuhën serbe “pravda” dhe “alo”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “dezinformatë” dhe “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Leave a Reply