Përmes një fotografie të publikuar në median sociale Facebook (shih këtu, këtu dhe këtu), pretendohet se historiani britanik Marko Attila Hoare ka deklaruar se Rusia dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë të njëjtin qëllim, dominimin, por dallojnë në metodat që përdorin. Në fotografinë që po qarkullon online, Hoare-s i atribuohet edhe pretendimi se rasti i Kosovës dhe i ish-presidentit Hashim Thaçi dëshmon se Rusia dhe BE-ja veprojnë në mënyrë të ngjashme.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, kërkimet në burimet publike nuk kanë identifikuar një intervistë, artikull, video apo publikim origjinal ku Hoare ta ketë dhënë këtë deklaratë në formën që paraqitet në fotografi.
FAKTET
Fotografia përmban një citim që i atribuohet Hoares, por nuk tregon se ku, kur apo në çfarë rrethanash është dhënë deklarata. Nuk përmendet ndonjë intervistë, medium, datë publikimi apo burim tjetër që do të mundësonte verifikimin e fjalëve të tij.
Kërkimet përmes Google nuk kanë gjetur burimin origjinal të citimit, as ndonjë publikim të besueshëm në media kredibile që e konfirmon formulimin e paraqitur në fotografi (shih këtu).
Një element tjetër i rëndësishëm është se Hoare ka shprehur publikisht qëndrime për Kosovën, Rusinë dhe Bashkimin Evropian, por këto qëndrime nuk përputhen me pretendimin se Rusia dhe BE-ja kanë të njëjtin qëllim, dominimin.
Në një artikull të botuar në revistën britanike “Prospect” më 27 shtator 2008, Hoare argumenton se veprimet e Rusisë në Gjeorgji nuk janë të barasvlershme me veprimet perëndimore lidhur me Kosovën. Ai kundërshton krahasimin e ndërhyrjes ruse në Gjeorgji me veprimet perëndimore në Kosovë, duke theksuar dallimet ndërmjet tyre.
Ndërkaq, në një intervistë të publikuar nga Al Jazeera dhe të ripublikuar nga organizata BHAAAS, Hoare ka folur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Ai e përshkruan politikën ruse si përpjekje për të nxitur konflikte dhe për të dobësuar NATO-n dhe BE-në. Në të njëjtën kohë, ai argumenton se Bashkimi Evropian duhet të angazhohet për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.
Këto qëndrime të dokumentuara nuk e mbështesin paraqitjen e Rusisë dhe BE-së si aktorë me qëllim të njëjtë dominimi.
Për Gjykatën Speciale dhe rastin e Hashim Thaçit
Në një intervistë për Albanian Post, të publikuar më 13 maj 2023, Hoare ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai ka vlerësuar se përpjekjet e Prokurorisë Speciale për ta paraqitur Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” mund të dështojnë. Megjithatë, ai ka theksuar se ekziston mundësia që ish-krerët e UÇK-së të shpallen fajtorë, duke e lidhur këtë vlerësim me zhvillimet politike në shtetet perëndimore.
Hoare ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për përshtatshmërinë e gjykimit të shqiptarëve të Kosovës nga një gjykatë me staf ndërkombëtar, me seli jashtë Kosovës, për luftën e tyre çlirimtare.
Këto deklarata tregojnë se Hoare ka shprehur qëndrime kritike lidhur me procesin gjyqësor në Hagë. Megjithatë, në intervistën e identifikuar nuk gjendet deklarata që i atribuohet atij në fotografinë që po qarkullon, sipas së cilës rasti i Thaçit dëshmon se Rusia dhe BE-ja kanë të njëjtin qëllim dominimi.
Analiza
Përmes një fotografie të publikuar në Facebook, Marko Attila Hoares i atribuohet deklarata se Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë të njëjtin qëllim, dominimin, por përdorin metoda të ndryshme, duke përmendur si dëshmi rastin e Kosovës dhe të Hashim Thaçit.
Megjithatë, pas hulumtimit të kryer online, nuk është gjetur ndonjë burim origjinal që e konfirmon këtë citim. Deklaratat e dokumentuara të Hoares për Kosovën dhe ndikimin rus në Ballkan nuk e vërtetojnë pretendimin se ai i ka barazuar qëllimet e Rusisë dhe BE-së.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.