Përmes disa përmbajtjeve të publikuara në Facebook (shih këtu dhe këtu), pretendohet se këngëtari kroat Marko Perkoviq Thompson do të mbajë koncert në Kosovë.
Në fotografi shfaqet mbishkrimi “Thompson na Kosovo!” (Thompson në Kosovë!), ndërsa si lokacione të mundshme të koncertit përmenden Mitrovica, Kosharja dhe Gazimestani.

FAKTET
Hibrid.info ka kontrolluar faqen zyrtare të këngëtarit, në të cilën gjendet rubrika “Nastupi” (Performancat), ku publikohen informacione për koncertet e tij (shih këtu).
Nga kontrolli i kësaj faqeje nuk është gjetur asnjë njoftim për organizimin e një koncerti në Kosovë. Në listën e publikuar aty figurojnë performanca të mëhershme, përfshirë ato të viteve 2022, 2019, dhe 2018 (shih këtu).
Faqja zyrtare nuk paraqet një kalendar aktual të plotë të koncerteve për vitin 2026. Megjithatë, koncertet e tij të njoftuara në Gjermani gjatë nëntorit 2026 përfshinin Shtutgartin, më 7 nëntor, dhe Frankfurtin, më 13 nëntor. Këto data janë raportuar edhe nga mediumi kroat “tportal.hr”.
Gjithashtu, ekipi i këngëtarit kishte paralajmëruar më herët publikun që informacionet për koncertet dhe shitjen e biletave t’i përcjellë vetëm përmes kanaleve zyrtare, pasi në rrjete sociale ishin shpërndarë njoftime të pakonfirmuara. Ky paralajmërim ishte raportuar nga medium kroat “Index.hr”.
Prandaj, pretendimi se Thompson do të mbajë koncert në Mitrovicë, Koshare apo Gazimestan nuk mbështetet në ndonjë njoftim zyrtar.
Pretendimi u publikua nga një faqe jozyrtare në Facebook
Fotografia me pretendimin se Thompson do të mbajë koncert në Kosovë është publikuar nga faqja “Albanian Croatian Friendship” në Facebook.
Në përshkrimin e kësaj faqeje sqarohet se ajo është “Faqe private e fansave dhe komunitetit. Nuk është organizatë zyrtare”.
Analiza
Përmes disa publikimeve në Facebook pretendohet se këngëtari kroat Marko Perkoviq Thompson do të mbajë koncert në Kosovë.
Megjithatë, në faqen zyrtare të këngëtarit nuk ka asnjë njoftim për koncert në Kosovë.
Sipas raportimeve të mediave kroate, koncertet e Thompsonit të paralajmëruara për vitin 2026 janë në Shtutgart dhe Frankfurt të Gjermanisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.