Në diskursin mediatik dhe politik të lidhur me luftën në Ukrainë, Kosova vazhdon të përdoret si referencë kyçe për të ndërtuar narrativa që sfidojnë legjitimitetin e rendit ndërkombëtar të mbështetur nga Perëndimi. Deklaratat nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, ilustrojnë dy linja kryesore, të cilat ndërtojnë një ekuivalencë të qëllimshme mes Kosovës dhe territoreve të pushtuara në Ukrainë. Këto narrativa, megjithëse të artikuluara në forma të ndryshme, kanë një funksion të përbashkët: relativizimin e agresionit rus dhe delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës.
Lavrov: “Standardet e dyfishta të Perëndimit dhe integriteti territorial”
Kjo narrativë artikulohet nga Sergey Lavrov, në Forumin Diplomatik në Antalia, më 18 prill, i cili pretendon se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet perëndimore përbën shkelje të parimit të integritetit territorial të Serbisë, ndërkohë që i njëjti Perëndim mbron integritetin territorial të Ukrainës. Në këtë logjikë, Perëndimi akuzohet për hipokrizi dhe aplikim selektiv të normave ndërkombëtare.
“Kur duhet të njihet pavarësia e të ashtuquajturës Kosovë, kjo është e drejta e vetëvendosjes, kur duhet të shprehet neglizhenca kategorike e të drejtave të popullit të Krimesë, dhe më pas të Donbasit, atëherë kjo është një kërkesë për të respektuar integritetin territorial. Gjithçka bëhet rast pas rasti”, theksoi Lavrov gjatë një sesioni të posaçëm të Forumit Diplomatik të Antalias.
Në thelb, kjo narrativë mbështetet në një analogji të thjeshtuar, por problematike. Së pari, opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010) ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke e vendosur këtë rast në një kornizë ligjore specifike. Ky vlerësim juridik mungon në rastin e aneksimeve ruse në Ukrainë, të cilat janë dënuar gjerësisht si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Së dyti, konteksti historik është thelbësisht i ndryshëm. Pavarësia e Kosovës erdhi pas një periudhe të gjatë represioni sistematik, spastrimi etnik dhe krimeve kundër njerëzimit nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit. Ndërhyrja ndërkombëtare dhe administrimi i OKB-së krijuan një situatë të jashtëzakonshme politike dhe juridike. Në të kundërt, në Ukrainë nuk ekziston asnjë evidencë e një gjenocidi ndaj popullsisë ruse që do të justifikonte ndërhyrjen ushtarake të Rusisë apo shkëputjen e territoreve.
Së treti, koncepti “sui generis” i përdorur nga shumë shtete perëndimore për Kosovën reflekton pikërisht këtë dallueshmëri: një rast unik, i cili nuk krijon precedent automatik për situata të tjera. Narrativa e Lavrovit synon të injorojë këtë specifikë për të ndërtuar një argument universalist që nuk qëndron në analizë të thellë juridike dhe historike.
Vuçiq: “Kosova si precedent për Krimenë”
Narrativa e dytë, Aleksandar Vuçiq, ngre një pyetje retorike: pse Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës, ndërkohë që Ukrainës nuk i kërkohet të heqë dorë nga Krimea? Kjo linjë argumentimi synon të paraqesë Serbinë si viktimë të një presioni të padrejtë ndërkombëtar.
Në paraqitjen e tij në podcastin The Rest Is Politics, Aleksandar Vuçiq artikulon një narrativë të njohur që lidh çështjen e Kosovës me zhvillimet në Ukrainë, duke akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta.
Vuçiq e thellon këtë argument përmes një krahasimi të drejtpërdrejtë me Ukrainën, duke sugjeruar reciprocitet në qasjen ndërkombëtare: “Të pajtohesh me humbjen e Kosovës? Le t’i thotë Perëndimi të njëjtën gjë Ukrainës për Krimenë”. Kjo pyetje retorike synon të vendosë një ekuivalencë mes dy rasteve dhe të paraqesë Serbinë si subjekt të një trajtimi të padrejtë.
Ai shton se mbështetet integriteti territorial i Ukrainës në ligjin ndërkombëtar, ndërsa shpreh pakënaqësi për mënyrën si trajtohet çështja e Kosovës në forume ndërkombëtare.
Megjithatë, ky krahasim mbështetet në një ekuivalencë të rreme. Kosova u shkëput nga Serbia pas një ndërhyrjeje të NATO, e cila kishte për qëllim ndalimin e një katastrofe humanitare. Procesi drejt pavarësisë u zhvillua nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe përfshiu negociata të gjata diplomatike, përfshirë planin e Martti Ahtisaari.
Në të kundërt, aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe veprimet në Donbas ndodhën përmes ndërhyrjes ushtarake direkte. Të ashtuquajturat “referendume” u zhvilluan në kushte të kontrollit ushtarak dhe nuk u njohën nga organizata ndërkombëtare si OKB apo OSBE. Kjo e bën krahasimin jo vetëm të pasaktë, por edhe manipulues.
Një element tjetër thelbësor është kontradikta në qëndrimin rus: ndërsa Rusia përdor Kosovën si “precedent” për të justifikuar veprimet e saj në Ukrainë, ajo vetë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një qëndrim parimor, por me një strategji diskursive të orientuar drejt interesave gjeopolitike.
Të dyja narrativat analizohen më së miri si përpjekje për të ndërtuar një ekuivalencë të rreme mes dy realiteteve thelbësisht të ndryshme. Në rastin e Kosovës, kemi një proces të ndërkombëtarizuar që pason një krizë humanitare dhe një administrim të gjatë ndërkombëtar. Në rastin e Ukrainës, kemi një agresion të drejtpërdrejtë shtetëror për zgjerim territorial.
Përdorimi i Kosovës në këtë diskurs nuk është rastësor. Ai shërben si instrument për të forcuar narrativën e “standardeve të dyfishta” dhe për të minuar legjitimitetin e ndërhyrjeve perëndimore, duke e zhvendosur fokusin nga realiteti i agresionit në Ukrainë. Në këtë mënyrë, diskursi i Beogradit dhe Moskës kontribuon në krijimin e një konfuzioni konceptual që synon të relativizojë normat ndërkombëtare dhe të dobësojë konsensusin global kundër agresionit.