Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit duhet parë përtej dimensionit të saj teknik. Më 9 gusht 2026, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia kishte ftuar ekspertë, inxhinierë dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Ai e lidhi këtë mundësi drejtpërdrejt me zhvillimet në veri të Kosovës, duke thënë se “do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”. Vuçiq tha se Serbia kishte “arsye të ndryshme” për të ndryshuar rrjedhën e lumit.
Më pas, ai iu rikthye kësaj teme duke përmendur zonën e Ribariçit dhe Liqenin e Ujmanit/Gazivodës, duke deklaruar se nuk e dinte “nëse [liqeni] do të jetë nesër apo ku do të jetë”. Edhe pse më pas pretendoi se nuk po kërcënonte askënd dhe se bëhej fjalë vetëm për menaxhimin e rrjedhave ujore në territorin e Serbisë, formulimi i tij e lidhi qartësisht çështjen hidroteknike me zhvillimet politike në Kosovë.
Deklaratat u bënë në një kontekst të tensionuar pas aksionit të autoriteteve të Kosovës për rrënimin e ndërtimeve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit. Prishtina i ka trajtuar këto ndërtime si shkelje të ligjit, ndërsa Beogradi i ka paraqitur veprimet si presion ndaj serbëve dhe pronës së tyre. Për këtë arsye, deklarata e Vuçiqit nuk u perceptua thjesht si një propozim hidroteknik, por si një kërcënim politik i lidhur me menaxhimin e burimeve ujore. Për më tepër, Ibri është lumë ndërkufitar që buron në Mal të Zi, kalon në Serbi, hyn në Kosovë dhe më pas rikthehet në Serbi, ndërsa furnizon Liqenin e Ujmanit.
Pikërisht këtu shfaqet dimensioni hibrid i deklaratës. Sipas Bashkimit Evropian, kërcënimet hibride mund të përfshijnë manipulimin informativ, sulmet kibernetike, ndikimin ekonomik, manovrimin politik, diplomacinë shtrënguese dhe kërcënimet ushtarake, të përdorura në mënyrë të kombinuar për të dobësuar një shtet ose institucion. BE-ja e konsideron gjithashtu infrastrukturën kritike, përfshirë sektorin e ujit, si një prej fushave që duhet të mbrohet ndaj kërcënimeve hibride.
Në këtë kuptim, deklarata e Vuçiqit ka rëndësi jo vetëm për atë që mund të bëhet teknikisht, por për efektin që krijon kërcënimi. Ai nuk tha vetëm se Serbia po studionte një projekt inxhinierik; ai e lidhi ndryshimin e rrjedhës me sjelljen e “shqiptarëve”. Pra, uji shfaqet si një levë politike: nëse zhvillimet në veri të Kosovës vazhdojnë në një drejtim të papranueshëm për Beogradin, Serbia paralajmëron se mund të shqyrtojë ndërhyrjen në një burim nga i cili varet një pjesë e rëndësishme e sistemit ujor dhe energjetik të Kosovës.
Reagimet nga Kosova, Shqipëria dhe ndërkombëtarët
Në Kosovë, deklarata u cilësua si kërcënuese. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e përshkroi idenë si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”, duke theksuar se sistemi Ibër-Lepenc dhe Liqeni i Ujmanit janë jetikë për furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve. Edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, deklaroi se resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi.
Ndërkohë, profesori Alban Kuriqi vlerësoi se devijimi i pjesshëm i ujit është teknikisht i mundshëm, por do të kërkonte diga, kanale ose tunele, investime të mëdha dhe studime të hollësishme hidrologjike, gjeologjike dhe mjedisore. Një reduktim i madh dhe afatgjatë i prurjeve do të ndikonte në furnizimin me ujë, energjinë, industrinë dhe bujqësinë e Kosovës.
Nga Shqipëria, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet ndëshkimi dhe theksoi mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, iu përgjigj duke pretenduar se Serbia do të vendosë vetë për menaxhimin e burimeve të saj natyrore. Kryeministri Edi Rama reagoi duke e cilësuar këtë qasje si “folklor politik”, duke thënë se Ibri do të vazhdojë të rrjedhë “sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit”. Gjuriq, i përgjigjet Ramës, duke thënë se “…[Ibri] nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.”. Përplasja tregoi se çështja e Ibrit u shndërrua brenda pak ditësh në një debat diplomatik ndërmjet Beogradit dhe Tiranës.
Edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara reaguan ndaj deklaratave. BE-ja paralajmëroi se deklaratat për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumenjve nuk kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe se veprime të tilla duhet të shmangen.
Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të SHBA-së dhe se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e domosdoshme e këtij procesi. Edhe brenda Serbisë pati kritika.
Reagime ka pasur edhe në Serbi nga eskpertë dhe njohës të çështjes. Eksperti i hidroteknikës Jovan Despotoviç argumentoi se Ibri nuk mund të trajtohet si një burim ujor që mund të menaxhohet në mënyrë të njëanshme, ndërsa Dushan Janjiq e cilësoi retorikën e Vuçiçit si të rrezikshme dhe paralajmëroi se përdorimi i çështjes si “mantrë ideologjike-propagandistike” mund të rrisë tensionet.
Uji si infrastrukturë kritike dhe instrument i luftës hibride
Në rastin e Ibrit, potenciali i këtij presioni është veçanërisht i madh për shkak të rolit të Liqenit të Ujmanit. Rezervuari është pjesë e sistemit Ibër-Lepenc, i cili ka rëndësi për furnizimin me ujë, bujqësinë, industrinë dhe sistemin energjetik të Kosovës. Sipas analizës së ekspertit Alban Kuriqi, një ndryshim i madh dhe afatgjatë i prurjeve do të mund të ndikonte në prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe do të krijonte probleme në ndarjen e ujit ndërmjet furnizimit të popullsisë, energjisë, industrisë, bujqësisë dhe rrjedhës ekologjike.
Kjo e bën Ujmanin një shembull tipik të infrastrukturës kritike me efekte zinxhir. Ndërprerja ose reduktimi i një burimi ujor nuk prek vetëm furnizimin me ujë. Ai mund të ndikojë në energji, prodhim industrial, bujqësi dhe shërbime publike. Pikërisht për këtë arsye, BE-ja i përfshin sektorët e ujit, energjisë, transportit dhe shëndetësisë në kuadrin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike nga kërcënimet hibride.
Këtë logjikë e ilustron edhe sulmi ndaj kanalit Ibër-Lepenc në nëntor 2024. Shpërthimi në Zubin Potok dëmtoi një pjesë të infrastrukturës jetike që lidhet me furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës. Prishtina e ka lidhur sulmin me Serbinë, ndërsa Beogradi i ka mohuar akuzat. Pavarësisht se përgjegjësia për sulmin mbetet çështje e veçantë, objektivi i sulmit tregon rëndësinë strategjike të infrastrukturës ujore: një kanal i vetëm mund të krijojë pasoja për energjinë, ujin dhe ekonominë.
Kjo nuk është hera e parë që Ujmanit/Gazivodës përdoret në diskursin politik serb si aset strategjik. Në vitin 2015, Vuçiq deklaronte se “nuk e japim Gazivodën”, ndërsa në vitin 2016 e paraqiste sistemin hidrik si strategjikisht të rëndësishëm për serbët në veri të Kosovës. Në vitin 2018, Ujmani/Gazivoda ishte një nga pikat kryesore të vizitës së tij në veri të Kosovës. Pas vizitës së Hashim Thaçit në liqen po atë vit, tensionet u rritën pasiqë shumë kohë pas vizitës së Thaçit, u qëllua me armë zjarri në restorantin ku ai piu kafe. Më pas, disa dhjetëra anëtarë të Forcave Speciale të Kosovës ROSU qëndruan rreth liqenit dhe hidrocentralit të Ujmanit/Gazivodës,dhe Vuçiq urdhëroi ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe. Këto episode tregojnë se Ujmani/Gazivoda është prej kohësh pjesë e një dimensioni politik dhe të sigurisë, jo vetëm e menaxhimit të ujërave.
Gazivoda ishte ndër çështjet e përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën Beogradi dhe Prishtina e nënshkruan më 4 shtator 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Marrëveshja parashikonte që, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Energjisë, të realizohej një studim lidhur me ndarjen e liqenit si burim të energjisë dhe ujit.
Edhe zhvillimet pas sulmit ndaj kanalit Ibër-Lepenc e forcojnë këtë kontekst. Në vitin 2024, Vuçiç tha se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekzistonte prej dekadash, por deklaroi se vetë kishte qenë kundër saj sepse nuk dëshironte që “natyra të përdoret për qëllime politike”. Në gusht 2026, ndërkaq, ai tha se ekspertët tashmë ishin ftuar për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës dhe e lidhi këtë me zhvillimet në veri të Kosovës. Pra, edhe pa pretenduar se kemi një plan të konfirmuar për realizimin e projektit, kemi një ndryshim të rëndësishëm në funksionin politik të retorikës mbi ujin.
Kakhovka: kur uji u shndërrua në armë strategjike
Një nga shembujt më të afërt me logjikën që shfaqet në rastin e Ibrit është shkatërrimi i digës së Kakhovkës në Ukrainë më 6 qershor 2023 nga ushtria ruse. Shkatërrimi i digës në lumin Dnipro shkaktoi përmbytje masive, dëmtime të infrastrukturës dhe krizë të furnizimit me ujë, ndërsa ndikoi edhe në bujqësi dhe prodhimin e energjisë. Analizat e NATO-s e trajtojnë shkatërrimin e digës si një goditje ndaj një infrastrukture kritike me pasoja të njëkohshme ushtarake, energjetike, ujore, ekonomike dhe humanitare.
Në aspektin ushtarak, përmbytja ndryshoi edhe kushtet e terrenit dhe e komplikoi një ofensivë të mundshme ukrainase përgjatë Dnipros.
Rasti i Kakhovkës tregon kështu se kontrolli i ujit mund të përdoret për të prodhuar pasoja shumëdimensionale: një objekt hidroteknik mund të jetë njëkohësisht infrastrukturë energjetike, burim uji, aset bujqësor dhe element i rëndësishëm i terrenit ushtarak.