[email protected]
Vendimi për regjistrimin e popullsisë nuk ka nisur së zbatuari
shape
shape
shape

Qeveria e Kosovës më 23 gusht të këtij viti kishte marrë vendim që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë me 1 nëntor të po këtij viti.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, kishte deklaruar më 27 tetor, se procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me datën e paraparë dhe për këtë gjë nuk ka tjetër vendim.

16 ditë prej kur është dashur të filloi ky proces, hibrid.info ka verifikuar se zbatimi i këtij vendimi ende nuk ka filluar.


Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur vendimin e Qeverisë së Kosovës më 30 shtator të vitit 2022, për fillimin e regjistrimit të popullsisë nga 1 shtatori deri në 16 tetor të vitit 2023 (shih këtu).


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) si implementues të këtij procesi, kishin treguar para filimit, për problemet që po ballafaqoheshin.

Hibrid.info ka gjetur në një raportim të agjencisë së lajmeve “KosovaPress” (22 prill), se Ilir Berisha, kryeshefi i ASK-së, kishte treguar për kapacitetet e vogla të burimeve njerëzore në ASK, procedurat e prokurimit dhe mungesa e eksperteve të teknologjisë si disa nga telashet që po haste kjo agjenci para procesimit të regjisrimit të popullsisë (shih këtu).

Deklarata e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ASK-së, Ilir Berisha, 22 prill:

“Data e regjistrimit të popullsisë në terren është caktuar për periudhën 1 shtator deri më 16 tetor të vitit 2023. Deri më tani ASK ka kryer një varg të aktiviteteve dhe ka përgatitur një numër të madh të dokumenteve, duke filluar nga harta rrugore, grupet punuese, planin e aktiviteteve, buxhetit e kështu me radhë… Por, ne po ballafaqohemi me sfida siç janë procedurat e prokurimit që janë të tejzgjatura, mungesa e eksperteve te teknologjisë së informacionit dhe kapacitetet e ASK-së me numër të njerëzve që kemi për menaxhimin e mbi 5 mijë kontratave të cilat do të jenë të angazhuara në regjistrimin e popullsisë dhe kjo konsiderohet për shkak të mungesës së resurseve humane për t’i menaxhuar këto kontrata”


Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 23 gusht të këtij viti, kryeministri Kurti kishte shtyrë vendimin e nisjes së regjistrimit të popullsisë për në 1 nëntor të këtij viti (shih këtu).

Hibrid.info ka arritur të gjejë dhe vendimin e publikuar për shtyerje të këtij procesi si dhe deklaratën e kryeministri Albin Kurti në këtë mbledhje të qeverisë, i cili ishte arsyetur për vendimin duke fajësuar Asociacionin e Komunave të Kosovës për vonesat (shih këtu).

Deklarimi i kryeministrit Kurtit më 23 gusht:

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda komisionit qendror të regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet”


Pas vendimit për shtyerje nga ana e qeverisë, në artikujt e publikuar në disa media që kishin raportuar për mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Transfereve të datës 20 tetor, hibrid.info ka vërtetuar se Ilir Berisha, ushtrues detyre i Kryeshefit të ASK-së, kishte deklaruar në këtë mbledhje se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të vitit të ardhshëm (2024), për shkak të sfidave me të cilat është përballur ky institucion (shih këtu dhe këtu).

Deklaratat e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ASK-së, Ilir Berisha, 20 tetor:

“Jemi vone me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”

“Kemi dërguar kërkesën që të shtyhet data e fillimit të regjistrimit. Propozimi dërgohet por vendimi merret nga qeveria”


Shtatë ditë më vonë (27 tetor), përkundër kërkesës për shtyerje, hibrid.info e ka gjetur të raportuar deklaratën e Kryeministrit Kurti, i cili ishte deklaruar për media, se regjistrimi i popullsisë do të fillojë me 1 nëntor dhe për këtë nuk ka vendim tjetër (shih këtu dhe këtu).


Bazuar në artikullin e agjencisë së lajmeve “KosovaPress”, me titull “Regjistrimi i popullsisë nuk nisi sot, qeveria hesht” (1 nëntor) (këtu) si dhe në artikullin tjetër të datës 11 nëntor , në të cilin Hekuran Murati, ministri i financave, punës dhe transfereve ka folur për dështimin e regjistrimit të popullsisë, hibrid.info ka vërtetuar se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës, nuk po zbatohet (shih këtu).


Përfundimi:

Regjistrimi i popullsisë parashihej të fillonte me 1 nëntor të vitit 2023, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Vendimin e ka konfirmuar edhe kryeministri Kurti me anë të një deklarate. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se vendimi nuk ka nisur së zbatuari ende.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos zbatimin e  këtij vendimi, si premtim jo i mbajtur.


Vlerësimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajte e premtimit (nëse ai mbahet), mbajte e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet)

Share With Others