Gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Meksikë dhe Kanada, në rrjetet sociale kanë qarkulluar përmbajtje të shumta vizuale të lidhura me këtë ngjarje. Mes tyre janë identifikuar edhe imazhe dhe video të manipuluara ose të krijuara me inteligjencë artificiale (IA). Këto përmbajtje janë bërë objekt verifikimi nga organizata të kontrollit të fakteve, me qëllim përcaktimin e autenticitetit të tyre. Hibrid.info ka identifikuar pesë raste të tilla, të cilat janë verifikuar dhe përgënjeshtruar nga organizata ndërkombëtare të kontrollit të fakteve.
Fotografia e manipuluar e “Hitlerit” në tribunë
Në media sociale është shpërndarë gjerësisht një fotografi që pretendohej se paraqiste një tifoz të veshur si Adolf Hitler gjatë ndeshjes Gjermani–Curaçao në Kampionatin Botëror 2026. Imazhi u bë viral në platforma si X, Facebook, Instagram, Threads dhe Reddit, duke grumbulluar miliona shikime.
Verifikimet e kryera nga “AFP Fact Check” dhe “EuroNews” treguan se fotografia ishte manipuluar në mënyrë digjitale. Krahasimi me pamjet origjinale të transmetimit, të publikuara nga transmetuesit zyrtarë të ndeshjes, dëshmoi se në tribunë nuk ndodhej personi i paraqitur në fotografinë virale, por një tifoz me flokë të verdhë dhe mjekër, i cili mbante një flamur të Gjermanisë dhe festonte golin e shënuar nga Kai Havertz nga penalltia. Kjo konfirmon se figura që ngjante me Adolf Hitlerin ishte shtuar më vonë në fotografi përmes manipulimit digjital.
Pretendimi i njëjtë u publikua edhe në gjuhën shqipe (shih këtu).

Videoja e krijuar me IA për shfaqjen me dronë kushtuar Cristiano Ronaldos
Në TikTok dhe Facebook u shpërnda një video që pretendohej se paraqiste një shfaqje madhështore me dronë në qiellin mbi Madeira, ishullin e lindjes së Cristiano Ronaldos. Në pamje, dronët formonin portretin e futbollistit dhe mbishkrimin “Obrigado 7” (“Faleminderit, 7”), si homazh pas ndeshjes me Spanjën.
Por, organizata e kontrollit të fakteve “Snopes” kreu një kontroll të detajuar vizual dhe vërejti anomali strukturore: i dritave në sipërfaqen e ujit nuk përputhej me lëvizjen e dronëve në qiell, ndërsa telefoni që shfaqej në plan të parë dukej se po regjistronte një skenë tjetër. Krijuesi i faqes “Seihan AI Films” konfirmoi zyrtarisht për “Snopes” se videoja ishte gjeneruar 100% në mënyrë digjitale, duke përdorur mjetet “Nano Banana Pro” dhe “Seedance”.

Flamujt e rremë LGBT në ndeshjen Iran – Egjipt
Përpara fillimit të ndeshjes ndërmjet Iranit dhe Egjiptit, në platforma të ndryshme u shpërnda një fotografi në të cilën fusha e stadiumit dukej e mbuluar me flamuj të mëdhenj me ngjyrat e ylberit. Publikimet pretendonin se bëhej fjalë për një organizim zyrtar në kuadër të ndeshjes.
Agjencia e verifikimit “Lead Stories” e përshkroi imazhin si rast të “Faux Flags” (“flamujve të rremë”). Analiza teknike e përbërësve të imazhit tregoi deformime të theksuara simetrike në vijat e tribunave, ndërsa logot zyrtare të turneut në sfond ishin të shkrira dhe pa detajet e duhura shtresore. Pamjet autentike nga stadiumi dëshmojnë se fusha nuk ishte dekoruar me flamuj të tillë.

Videoja e manipuluar përmes ndërrimit të fytyrës së Erling Haaland
Në rrjetet sociale u shpërnda një video e shkurtër që dukej se paraqiste sulmuesin Erling Haaland duke u trembur në mënyrë komike pasi shihte veten në pasqyrën e një restoranti. Pamjet u shpërndanë si një moment autentik, i kapur nga kamerat e sigurisë gjatë ditëve të turneut.
Platforma “Fact Crescendo” gjurmoi burimin origjinal të videos. Pamjet e para ishin publikuar në rrjetin kinez Douyin (TikTok) nga krijuesi i përmbajtjes i njohur si “Xiao Si”. Në videon origjinale aktori ishte një komedian kinez. Më pas, përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale për ndërrimin e fytyrës (face swap), fytyra e Haalandit ishte vendosur mbi atë të personit në videon origjinale, e cila pamje pastaj ishte përdorur nga disa llogari.

Fotografia e manipuluar e lojtarit të Iranit me çantë shpine
Në platformat X dhe Bluesky u shpërnda një imazh që pretendohej se paraqiste një lojtar të kombëtares së Iranit duke mbajtur një çantë shpine rozë. Imazhi mori mbi dy milionë shikime, ndërsa postimet e paraqitnin atë si homazh për vajzat e vrara gjatë një sulmi në qytetin iranian të Minabit, të shoqëruar me përshkrime me motive politike.
Ndonëse është e vërtetë që lojtarët e Iranit kishin mbajtur çanta shpine fëmijësh në fushë gjatë një ndeshjeje miqësore kundër Nigerisë në Turqi (në mars), ky imazh specifik është i rremë. Verifikimi vizual tregoi se personi i fotografuar nuk ishte pjesë e kombëtares iraniane, ndërsa uniforma e tij nuk përputhej me veshjen zyrtare të skuadrës në Botëror. Gjithashtu, stadiumi i shfaqur nuk përputhet me stadiumin e Los Angeles-it ku u zhvillua ndeshja reale. Vegla e verifikimit e OpenAI konfirmoi zyrtarisht se imazhi përmbante një “SynthID” (kod identifikues i imazheve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale).

Këto raste tregojnë se manipulimi i përmbajtjeve vizuale mbetet një nga format më të përdorura të keqinformimit gjatë ngjarjeve me interes të lartë publik. Ndërsa teknologjitë e inteligjencës artificiale po e lehtësojnë krijimin e materialeve bindëse, verifikimi i burimit, krahasimi me pamjet origjinale dhe analiza e elementeve vizuale mbeten hapa kyç për identifikimin e përmbajtjeve të rreme.