Shkroi: Festim Rizanaj
Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, është deklaruar lidhur me dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe protestat e opozitës atje, duke u përpjekur t’i lidhë ato me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Petkoviq pretendon se Albin Kurti e sheh qeverinë e Alleksandar Vuçiqit dhe Listën Serbe si pengesën kryesore për qëllimet e tij, ndaj thotë se mbështet protestat e opozitës në Beograd si një mënyrë për të ndikuar në zhvillimet politike në Serbi. (këtu)

Sipas Petkoviqit, Kurti ka tentuar pa sukses të pengojë pjesëmarrjen e Listës Serb në zgjedhje, duke e paraqitur këtë si pjesë të përpjekjeve të tij për të dobësuar ndikimin e Beogradit në Kosovë dhe për të krijuar kushte më të favorshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Çka ndodhi e çka u tha?
Më 28 janar, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dha dorëheqje mes valës së protestave për tragjedinë në Novi Sad, duke njoftuar në një konferencë në Beograd se presidenti Alleksandar Vuçiq e ka pranuar vendimin e tij. (këtu)
Për më shumë se dy muaj, mijëra studentë dhe qytetarë në Serbi kanë kërkuar përgjegjësi për tragjedinë e 1 nëntorit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor, ndërsa, pas dorëheqjes së Vuçeviqit, përfaqësuesit e studentëve thanë se kërkesat e tyre mbeten të paplotësuara dhe paralajmëruan protesta të reja.
Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë (28 janar) ka mbajtur tubimin e radhës në Therandë, ku Albin Kurti ka komentuar dorëheqjen e Millosh Vuçeviqit, duke e lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka theksuar se dikur kryeministrat jepnin dorëheqje në Kosovë, ndërsa tani janë kryeministrat serbë që japin dorëheqje.
“Atje në Bruksel ata vazhdimisht më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të m’i, Mustafa e Thaçi, a marrëveshjes me mua i ikin se s’duan të nënshkruajnë. Kur të gjitha ish-qeveritë po e zhvillonin dikur dialogun në Bruksel, kishim Serbi që forcohej e Kosovë jostabile që dobësohej. Me qeverinë tonë dhe dialogun që udhëheqim ne, kemi Serbi jostabile dhe Kosovë që po ngrihet e po forcohet. Juve ju kujtohet se si dikur në Kosovë kryeministrat jepnin dorëheqje, e tash kryeministrat po japin dorëheqje në Serbi”. (këtu)
Lidhur me dorëheqjen e kryeministrit serb, Vuçeviq, mediat serbe kanë publikuar një artikull në lidhje me raportimin e mediave të Kosovës, ku pretendohet se mediat shqiptare në Prishtinë po festojnë për “dorëzimin e Vuçiçit” dhe e interpretojnë këtë si një tregues se Albin Kurti është mbështetës i opozitës dhe krijues i trazirave dhe kaosit në Serbi.

Megjithatë, mediat serbe nuk ofrojnë asnjë fakt që të mbështesë pretendimin se Albin Kurti është i përfshirë në protestat e studentëve në Serbi.
Ndërlidhje dezinformuese e protestave në Serbi me Albin Kurtin
Për më shumë se dy muaj, mijëra studentë dhe qytetarë në Serbi kanë kërkuar që të mbajnë përgjegjësi penale dhe politike ata që janë të përfshirë në tragjedinë e ndodhur në Novi Sad, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor. Lidhur me këtë, media dhe zyrtarë serbë kanë krijuar korrelacione dezinformuese duke e lidhur Albin Kurtin me protestat në Serbi, duke tentuar të paraqesin se ai po e mbështet opozitën dhe trazirat atje dhe se i njëjti po vepron si një faktor ndikues në situatën politike dhe shoqërore në Serbi. Për këtë, hibrid.info ka publikuar një analizë të këtyre narrativave, e cila mund të gjendet në këtë vegëz.

Së fundmi, lidhur me përfshirjen e pretenduar të Kurtit në protestat e studentëve në Serbi, dhe gjoja mbështetjen e tij për to, studentë serbë me seli në Mitrovicën e Veriut, u kanë rekomanduar studentëve në Serbi që të kenë kujdes nga Albin Kurti, duke theksuar se ai i mbështet ata dhe qëllimi i tij është vetëm një – të copëtojë Serbinë. (këtu)
Edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka implikuar pa fakte agjencitë e lajmeve nga Kosova dhe Kroacia si nxitëse të protestave në Serbi. Në një prononcim për Televizionin “Happy”, Vuçiqi tha se në Serbi po tentohet një revolucion, dhe pas protestave qëndrojnë instruktorë të huaj nga Perëndimi, duke fajësuar agjencitë e huaja të lajmeve, përfshirë ato kroate dhe shqiptare të Kosovës, pa ofruar prova.
“Bëhet fjalë për një ndërthurje të interesave të disa agjencive perëndimore të lajmeve dhe rajonale, veçanërisht të kroatëve dhe shqiptarëve nga Kosova”.

Përkundër pretendimit, Vuçiqi nuk ka përmendur asnjë emër të ndonjë mediumi nga Kosova.