Shkroi: Festim Rizanaj
Dy eurodeputetë kanë propozuar studentët nga Serbia, të cilët po udhëheqin protestat, për Çmimin Saharov – çmimi më i lartë që Bashkimi Evropian ua ndan mbrojtësve të lirisë së mendimit dhe të drejtave të njeriut.
Eurodeputetja Irena Joveva më 18 gusht bëri të ditur në rrjetin social X, së bashku me kolegun e saj Helmut Brandšteter, kanë propozuar studentët pjesëmarrës në protestat e Serbisë për këtë çmim prestigjioz, duke theksuar se ata “përfaqësojnë shpirtin e vërtetë të Çmimit Saharov”.
Si u raportua në media serbe lidhur me këtë nominim?
Mirëpo, lajmi për këtë nominim është pasqyruar ndryshe në disa media serbe, të cilat e kanë shoqëruar raportimin me një narrativë delegjitimuese përmes fajësimit me anë të ndërlidhjes (guilt by association). Përmes përmendjes së Adem Demaçit, ish-të burgosurit politik shqiptar dhe fituesit të Çmimit Saharov në vitin 1991 për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut (këtu), këto media përpiqen ta paraqesin çmimin si të komprometuar dhe të lidhur me figura të cilësuara si “terroriste”.
Novosti (19 gusht) publikoi titullin: “ BLOKADERI NOMINOVANI ZA NAGRADU KOJU JE RANIJE DOBIO I ADEM DEMAĆI – VOĐA OVK I IDEOLOG ALJBINA KURTIJA! (Blokaderët të nominuar për çmimin që më parë e mori Adem Demaçi – udhëheqësi i UÇK-së dhe ideologu i Albin Kurtit”), duke e përshkruar Demaçin si “ideolog të dhunës” dhe “babain politik të Kurtit”. (këtu)
Informer (19 gusht) shkroi: “Sada je sve jasno – blokaderi teroristi nominovani za nagradu koju je ranije dobio politički vođa OVK i ideolog zločinca Aljbina Kurtija! (Tani gjithçka është e qartë – bllokuesit terroristë të nominuar për çmimin që më parë e mori udhëheqësi politik i UÇK-së dhe ideologu i kriminelit Albin Kurti!”). Në tekst protestuesit paraqiten si “bllokues të dhunshëm” që “po terrorizojnë qytetarët e Serbisë” dhe lidhen drejtpërdrejt me “krimet e UÇK-së” dhe me Kryeministrin aktual të Kosovës. (këtu)
Kurir (19 gusht) raportoi: “BLOKADERI NOMINOVANI ZA NAGRADU KOJU JE RANIJE DOBIO ADEM DEMAĆI, POLITIČKI VOĐA TZV. OVK I KURTIJEV IDEOLOG: Među nominovanima bio i Alija Izetbegović! (Bllokuesit të nominuar për çmimin që më parë e mori Adem Demaçi, udhëheqësi politik i të ashtuquajturës UÇK dhe ideologu i Kurtit: Mes të nominuarve edhe Alija Izetbegoviq!”), duke zgjeruar narrativën edhe me figura të tjera historike si Izetbegoviqi, i paraqitur si “kriminel lufte” dhe “islamist”. (këtu)
Nga pikëpamja teorike, “guilt by association” funksionon përmes tre hapave kryesorë (këtu):
- Identifikimi i një figure të stigmatizuar (p.sh., Adem Demaçi si “ideolog i UÇK-së”).
- Lidhja e figurës aktuale me këtë precedent (Albin Kurti si “pasues i Demaçit”).
- Shtrirja e stigmatizimit mbi një grup më të gjerë (protestuesit aktualë në Serbi si “terroristë” që ndjekin trashëgiminë e tyre).
Në të gjitha këto raste, mekanizmi i fajësimit përmes ndërlidhjes është i dukshëm: protestuesit e sotëm paraqiten jo si studentë që artikulojnë pakënaqësi demokratike, por si “pasues të një linje të dhunshme shqiptare”, të përfaqësuar më parë nga Adem Demaçi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Albin Kurti. Kështu, çdo akt proteste në Serbi futet në një kornizë diskursive ku përshkruhet si kërcënim i brendshëm, i nxitur nga “armiqtë e jashtëm”.
Ky diskurs funksionon duke zhvendosur vëmendjen nga arsyet reale të protestave te një narrativë emocionale dhe historikisht e ngarkuar. Në vend të një debati mbi kërkesat e studentëve, publikut i ofrohet një version i thjeshtë dhe polarizues: protestat nuk janë shprehje e pakënaqësisë shoqërore, por vazhdim i një tradite “antiserbe dhe terroriste”.
Në këtë mënyrë, Çmimi Saharov – i menduar si simbol i lirisë së mendimit – paraqitet në opinionin publik serb jo si njohje e rezistencës qytetare, por si dëshmi e njëanshmërisë së institucioneve evropiane, të cilat sipas këtij diskursi, “mbështesin armiqtë e Serbisë”.
Çka është “fajësimi përmes ndërlidhjes (guilt by association)”?
Një nga teknikat më të përdorura në diskursin politik dhe mediatik, veçanërisht në kontekste të polarizuara, është ajo që njihet si “guilt by association” – fajësim përmes ndërlidhjes. Kjo strategji konsiston në ndërtimin e një narrative ku një individ, grup apo ide lidhet me figura ose ngjarje të stigmatizuara, me qëllim që edhe ata të perceptohen si të rrezikshëm, të paligjshëm apo të padëshirueshëm.
Fajësimi përmes ndërlidhjes nuk është vetëm një teknikë retorike, por edhe një instrument politik i fuqishëm. Ai synon të mbyllë hapësirën për debat racional, duke e zëvendësuar atë me asociacione emocionale, ku çdo aktor i ri shihet si pjesë e një zinxhiri armiqësor dhe të kriminalizuar. Në këtë mënyrë, legjitimiteti i individëve, çmimeve ndërkombëtare dhe vetë institucioneve demokratike vihet në pikëpyetje përmes një figure të vetme që shërben si urë e diskreditimit.


