Përmes një artikulli të publikuar më 6 tetor 2026, mediumi serb “Novosti” pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për Listën Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen më 25 tetor.
Artikulli, me titull “Kurti poziva sve da izađu i glasaju za Studentsku listu!” (Kurti u bën thirrje të gjithëve të dalin dhe të votojnë për Listën Studentore!), pretendon gjithashtu se kryeministri i Kosovës po e financon këtë mbështetje përmes Nenad Rashiqit, kryetar i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.
Megjithatë, artikulli nuk paraqet dëshmi që Kurti ka bërë një thirrje të tillë publike apo se po e financon mbështetjen për këtë listë.
Artikulli i njëjtë u publikua edhe nga mediumi tjetër serb, “Informer”, por me titull më ndryshe “Kurti i mbështeti përsëri bllokuesit! Përmes shërbëtorit të tij Rashiq, ai i fton të gjithë të dalin dhe të votojnë për të ashtuquajturën ‘Lista e Studentëve’”.


Çka nuk shkon me pretendimet e këtyre mediave?
Në artikull, shkruan se Kurti, përmes Rashiqit, mbështet studentët që organizojnë bllokada në Serbi dhe se tashmë ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për votimin e Listës Studentore.
Lidhur me këtë pretendim, mediumet i referohet deklaratës së Rashiqit, i cili më 24 shtator 2026 kishte thënë se partia e tij kishte vendosur ta mbështeste fuqishëm Listën Studentore me “të gjitha mjetet në dispozicion”.
Sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë, Rashiq kishte deklaruar se partia e tij do t’i mobilizonte mbështetësit për të votuar më 25 tetor dhe do të organizonte udhëtimt kolektive për në qendrat e votimit.
Ai kishte shpjeguar se motivi kryesor i partisë për këtë mbështetje ishte ndryshimi i politikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.
Pra, deklarata e Rashiqit dëshmon se partia e tij ka shprehur mbështetje politike për Listën Studentore. Megjithatë, në deklaratën e raportuar nuk thuhet se Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për këtë listë.
Për më tepër, “Novosti” e “Informer” pretendojnë se Kurti po e financon këtë mbështetje, duke shkruar se ai “ia ka hapur kuletën” për këtë qëllim.
Por, deklarata e Rashiqit për përdorimin e “të gjitha mjeteve në dispozicion” i referohet mbështetjes që do të ofrojë partia e tij. Ajo nuk dëshmon se financimi vjen nga Kurti.
Në artikujt nga mediat në serbisht nuk paraqiten dokumente financiare, dëshmi për transferim parash apo deklarata që do ta vërtetonin këtë pretendim.
Analiza
Mediumet në serbisht “Novosti” dhe “Informer” pretendojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po financon mbështetjen për Listën Studentore në Serbi dhe se u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për të.
Megjithatë, si dëshmi, këto media e paraqesin deklaratën e Nenad Rashiqit, i cili konfirmoi se partia e tij do ta mbështesë këtë listë në zgjedhjet e 25 tetorit 2026. Mirëpo, Rashiq nuk përmendi financim apo udhëzime nga Kurti, ndërsa “Novosti” e “Informer” nuk ofrojnë prova që vërtetojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit të Kosovës në këtë mbështetje.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Dezinformata”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.