Një kanal në gjuhën ruse në Telegram “БАЛКАНАРЬ” (Balkanar) ka publikuar një përmbajtje me pretendimin se në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë “prej dy javësh nuk pushojnë trazirat”, duke përshkruar rrugët si të mbushura me gaz lotsjellës, mjete piroteknike dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.
I njëjti pretendim është publikuar më pas edhe nga rrjeti propagandistik rus “Pravda” që publikon përmbajtje në shqip, i cili e paraqet situatën në Prishtinë si trazira të vazhdueshme prej dy javësh.


Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Ky përshkrim nuk përputhet me zhvillimet e dokumentuara gjatë protestave. Protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë kanë nisur më 16 shtator dhe, deri më 4 tetor, janë zhvilluar për 19 ditë. Gjatë kësaj periudhe, nuk është raportuar për trazira apo përleshje të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë. Protestat janë zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore.
Më 4 tetor, një ditë para përshkallëzimit të situatës, Koha.net raportoi se në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po mbahej protesta e 19-të kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale. Sipas raportimit, protestat ishin organizuar që nga 16 shtatori, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së (shih këtu).
Edhe Associated Press (AP), në një raportim të 25 shtatorit, i përshkroi protestat e zhvilluara pas aktgjykimit si kryesisht paqësore, duke raportuar për protesta të përditshme në Kosovë (shih këtu).
Pra, fakti që protestat janë mbajtur për rreth 19 ditë nuk nënkupton se “trazirat” kanë vazhduar për 19 ditë. Këto janë dy situata të ndryshme.
Përshkallëzimi i situatës ndodhi më 5 tetor. Policia e Kosovës raportoi se gjatë mbrëmjes disa protestues hodhën mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta drejt objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit. Si pasojë, policia përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës (shih këtu).
Pra, pretendimi se në Prishtinë “prej dy javësh nuk pushojnë trazirat” është i pasaktë. Protestat kanë vazhduar për 19 ditë, duke nisur më 16 shtator, por burimet e besueshme i përshkruajnë ato si kryesisht paqësore. Përplasjet dhe përdorimi i gazit lotsjellës, ujëhedhësve dhe mjeteve piroteknike u shënuan më 5 tetor.
Analiza
Një kanal rus në Telegram dhe rrjeti propagandistik rus “Pravda” pretendojnë rrejshëm se në Prishtinë ka trazira prej dy javësh.
Megjithatë, faktet paraqesin një situatë krejt tjetër. Protestat nisën më 16 shtator dhe deri më 4 tetor u zhvilluan kryesisht paqësisht. Përplasjet me policinë dhe përdorimi i gazit lotsjellës e mjeteve piroteknike u shënuan më 5 tetor.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.