Është publikuar një imazh me mbishkrimin “SULM NË RESTORANT NË SHESH! 3 TË VDEKUR DHE SHTATË TË PLAGOSUR”.
Kjo përmbajtje është publikuar të dielën (2 gusht) si postim në Facebook, në faqen me emrin “Prishtina City”, me mbishkrimin “LAJMI FUNDIT: Sulm në restorant” (shih këtu).
E njëjta përmbajtje është publikuar edhe nga faqet me emrat “Gazeta Diaspora” dhe “Trendi.info”,
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Ngjarja e raportuar është e saktë, por në mbishkrim nuk tregohet se ku ka ndodhur ngjarja.

Postimit i është bashkangjitur vegëza e një artikulli që është publikuar në domenin “trend.ballkantoday.com”. Artikulli ka titullin “Sulm në një restorant në SHBA! Tre humben jetën dhe shtatë të plagosur”.
Ndërsa në kreun e lajmit shkruan “Një sulm me armë zjarri ka tronditur qytetin Twin Falls në shtetin Idaho të Shteteve të Bashkuara, ku të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur pas të shtënave në një restorant të rrjetit ‘In-N-Out Burger’.”
Çka do të thotë se, vetëm pasi të jetë klikuar kjo vegëz, sqarohet vendndodhja e ngjarjes.
Bazuar në faktin se në artikull raportohet se ngjarja ka ndodhur në qytetin Twin Falls, hibrid.info hulumtoi me ankëtu tkëtu makinës së kërkimit Google duke përdorur këtë emër (shih këtu). Rezultatet shfaqën artikuj të mediave kredibile në gjuhën angleze, ku konfirmohej ngjarja e raportuar (shih këtu dhe këtu).
Pse është problematike paraqitja e ngjarjes pa vendndodhje?
Të gjitha këto faqe publikojnë lajme në gjuhën shqipe, që kryesisht lidhen me ngjarje të raportuara në Kosovë (shih këtu, këtu dhe këtu). Gjithashtu faqet në fjalë kanë numër të konsiderueshëm ndjekësish (mbi 530 mijë në total).
Shto faktin se në disa prej komenteve në këto postime, vërehet se përdoruesit kanë treguar se kanë klikuar për të konfirmuar se ku ka ndodhur ngjarja, hibrid.info vlerëson se paraqitja e ngjarjes në këtë mënyrë mund të jetë çorientuese për lexuesit, duke krijuar përshtypjen e mundshme se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë.
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh me mbishkrimin “SULM NË RESTORANT NË SHESH! 3 TË VDEKUR DHE SHTATË TË PLAGOSUR”, duke e shoqëruar me përshkrimin “LAJMI I FUNDIT: Sulm në restorant”.
Në postim nuk specifikohet vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa vetëm pasi përdoruesi klikon në vegëzën e bashkëngjitur bëhet e qartë se artikulli i referohet një sulmi me armë zjarri në qytetin Twin Falls, në shtetin Idaho të Shteteve të Bashkuara.
Verifikimi konfirmon se ngjarja është raportuar edhe nga media kredibile ndërkombëtare dhe se ajo ka ndodhur në SHBA.
Megjithatë, mënyra se si është paraqitur përmbajtja në Facebook, pa përmendur vendndodhjen e ngjarjes në mbishkrim, mund të krijojë paqartësi te lexuesit. Kjo pasi faqet që e kanë publikuar këtë përmbajtje zakonisht shpërndajnë lajme në gjuhën shqipe që lidhen me zhvillimet në Kosovë dhe nga komentet në këto postime vërehet se disa përdorues kanë kërkuar të kuptojnë se ku ka ndodhur ngjarja.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.