Të premten (31 korrik )janë publikuar përmbajtje me pretendimin se Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Marco Rubio, sekretari i Shtetit me anë deklarimeve publike, kanë sulmuar Gjykatën Speciale në Hagë dhe kanë paralajmëruar shkatërrimin e saj, duke e lidhur këtë me rastin e Hashim Thaçit.
Përmbajtjet e publikuara me këtë pretendim janë hasur në Facebook në llogaritë me emrat “Fitim ÇeKu” dhe “Flamur Ballazhi” si dhe në TikTok në llogarinë me emrin “perspektivapolitike”.
Cila është e vërteta?
Në deklaratat e Trump dhe Rubio është përmendur Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), e cila është një institucion tjetër nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po zhvillohet procesi ndaj Thaçit.
Në mbishkrimin e postimit të llogarisë “Fitim ÇeKu” pretendohet se Rubio dhe Trump kanë kritikuar një gjykatë në Hagë (pa specifikuar se për cilën gjykatë bëhet fjalë), duke e cilësuar atë si pa legjitimitet dhe si një institucion që synon të ndjekë penalisht liderë botërorë.
Duke qenë se në të njëjtin postim pretendohet se këto deklarata përbëjnë mbështetje zyrtare ndaj Hashim Thaçit, i cili po gjykohet në Hagë, krijohet përshtypja se autori i postimit i ka interpretuar ato si referencë ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), me seli në Hagë.

Llogari e Fitim Çekut, i cili prezantohet në opinionin publik si gazetar dhe është drejtues i faqes informative në gjuhën shqipe në Facebook, me emrin “Gazzeta Journal”, ka mbi 16 mijë ndjekës (shih këtu).
Pretendimi i njëjtë është publikuar edhe në këtë faqe, me anë të një video-materiali, ku paraqiten deklaratat e Rubio, i cili flet në prani të presidentit Trump, për prokurorin Jack Smith (shih këtu).
Pretendimin me anë të një video-materiali e ka paraqitur edhe llogaria “Flamur Ballazhi”. Në mbishkrimin e postimit pretendohet se udhëheqësit amerikanë kanë kritikuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë dhe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime për ta shkatërruar atë.
Gjithashtu pretendohet se deklaratat e Rubios i referohen gjykatës ku po zhvillohet procesi ndaj Hashim Thaçit dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar atë si një institucion pa legjitimitet, të padrejtë dhe që mund të ndjekë liderë botërorë. Në tekst pretendohet po ashtu se ky qëndrim përbën një mbështetje të drejtpërdrejtë amerikane ndaj Thaçit dhe një goditje të rëndë ndaj Gjykatës Speciale.

Kjo video ka marrë mbi 19 mijë shikime deri në trajtimin e pretendimit, ndërsa llogaria publikuese ka mbi 7 mijë ndjekës (shih këtu).
Ndërsa në publikimin në TikTok, videoja paraqet gjithashtu Rubion, duke folur prokurorin amerikan Jack Smith dhe duke kritiuar veprimtarinë e Gjykatës në Hagë. Postimi në fjalë ka mbishkrimin “Sekretari amerikan Rubio e godet Gjykaten Speciale: SE SHPEJTI THAÇI NE KOSOVE”.

Deri në momentin e trajtimit, videoja ka marrë mbi 23 mijë shikime, ndërsa llogaria “perspektivapolitike” ka mbi 14 mijë ndjekës (shih këtu).
–
Hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e Shtëpisë së Bardhë (shih këtu). Në komunikatat e publikuara së fundmi është identifikuar një komunikatë me të njëjtën fotografi (Rubio në prani të Trumpit) si ajo e përdorur në përmbajtjet e trajtuara në këtë artikull.
Komunikata ka titullin “Presidenti Trump organizon takim historik të kabinetit në Camp David” (shih këtu). Pas kontrollit u has një paragraf me një citat të përfolur në këtë takim të kabinetit, ku Rubio ka përmendur Gjykata Ndërkombëtare Penale, të cilën e ka cilësuar si një organizatë ndërkombëtare e të paligjshme (shih këtu).
Megjithatë për të konfirmuar më mirë, hibrid.info ka hulumtuar për përmbajtje audio-vizuele të kësaj deklarate. Në faqen në Facebook të Departamentit të Shtetit u gjet një video-material me deklarimet e Rubio dhe Trump, e cila kishe mbishkrimin të përkthyer në shqip “SEKRETARI RUBIO: ‘Gjykata Ndërkombëtare Penale është një organizatë ndërkombëtare e paligjshme që pretendon se edhe nëse nuk je anëtar i asaj gjykate, ata mund të të ndjekin.’”
Video-materiali i transkriptuar:
Rubio: Gjykata Penale Ndërkombëtare është një organizatë ndërkombëtare jolegjitime, e cila sinqerisht e ka bërë veten jolegjitime, sepse pretendon se edhe nëse nuk je anëtar i asaj gjykate, ata mund të të ndjekin. Ajo që kjo do të thotë fjalë për fjalë në të ardhmen është se ushtarakët amerikanë, liderët politikë dhe të tjerë mund ta gjejnë veten nën aktakuza nga kjo Gjykatë Penale Ndërkombëtare. Dhe nëse doni të dini pak më shumë për të, Jack Smith dikur ka punuar atje. Këta janë njerëzit që mendojnë se mund të dalin dhe në thelb të akuzojnë çdo lider botëror dhe ta ndjekin atë deri në Hagë.
Kështu që ne filluam, u përpoqëm t’i bëjmë ata të reformohen dhe të na dëgjojnë. Ata nuk e bënë këtë, janë shumë arrogantë. Tani kemi filluar një përpjekje për ta vënë vërtet atë gjykatë nën kontroll.
Trump: Nuk ka asnjë informacion se ata po më ndjekin mua. Mund të ndodhë. Vetëm ta dini, nëse po flisni për këtë. Ai nuk po përpiqet të më mbrojë mua. Ai po përpiqet të mbrojë Bibin (Benjamin Netanyahun) dhe njerëz të ndryshëm të tjerë. Por ka shumë njerëz që nuk duhet të shihen në atë mënyrë, megjithatë nuk ka asnjë tregues se unë jam njëri prej tyre në këtë moment.
Rubio: Dhe në fakt mendoj se njerëzit që janë në rrezikun më të madh në sistemin tonë janë ushtarakët, njerëzit me uniformë, sepse ata do të përpiqen t’i ndjekin gjatë gjithë jetës së tyre dhe ata nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë askund në botë me familjet e tyre, sepse mund të arrestohen në njërën prej këtyre rasteve.
Imagjinoni përsëri, ju jeni një ushtar, keni luftuar në një luftë dhe 20 vjet më vonë ata përpiqen t’ju marrin. Pra, ky është një problem i madh. Kështu që, që kur filluam, dhjetëra vende tashmë na janë bashkuar veçmas. Dy javë më parë, pesë vende tashmë janë larguar nga GJPN-ja dhe e kanë njoftuar atë se po largohen. Dhe ne mendojmë se do të ketë edhe më shumë.
Pra, nga kjo video vërtetohet se në këto deklaraime është folur për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN/ICC), një gjykatë ndërkombëtare me seli në Hagë, Jack Smith, ish-prokuror amerikan që thuhet se ka punuar në Zyrën e Prokurorit të kesaj gjykate dhe Benjamin “Bibi” Netanyahu, kryeministrin e Izraelit.
Hibrid.info hulumtoi tutje edhe me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “marco rubio hague” (shih këtu). Rezultatet e kërkimit shfaqën artikull që konfirmonte se kryediplomati amerikan në takimin e të premtes, i është referuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare (shih këtu).
Informacione shtesë
Çka është Gjykata Penale Ndërkombëtare? Ky institucion është një gjykatë e përhershme ndërkombëtare, e themeluar më 2002 mbi bazën e Statutit të Romës të miratuar në vitin 1998 nga shtetet pjesëmarrëse, me seli në Hagë të Holandës. Ajo heton dhe gjykon individë, për krimet më të rënda ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e agresionit (shih këtu).
Çka është Gjykata e Speciale e Kosovës? Dhomat e Specializuara të Kosovës (Gjykata Speciale) janë një gjykatë penale e krijuar në bazë të ligjit të Kosovës në vitin 2015, por që funksionon në Hagë, Holandë, me gjyqtarë dhe staf ndërkombëtar. Ajo është themeluar për të gjykuar akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë (1998–2000), veçanërisht ato që lidhen me pretendimet e paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 (shih këtu).
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një nga të akuzuarit në këtë gjykatë dhe ndaj tij po zhvillohet proces gjyqësor.
Kush është Jack Smith? Jack Smith është një prokuror amerikan, i cili ka shërbyer si koordinator i hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë nga viti 2008 deri më 2010 dhe më pas si Prokuror i Specializuar i Dhomave të Specializuara të Kosovës nga viti 2018 deri më 2022 (shih këtu). Ai është i njohur gjithashtu për rolin e tij si prokuror special i Departamentit amerikan të Drejtësisë në hetimet ndaj ish-presidentit Donald Trump (shih këtu).
Nga hulumtimi konfirmohet se deklaratat e Marco Rubios dhe Donald Trumpit nuk kanë qenë të drejtuara ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), ku po zhvillohet procesi ndaj Hashim Thaçit, por ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC/GJPN). Në deklaratat e tyre është kritikuar kjo gjykatë dhe është përmendur ish-prokurori Jack Smith, i cili ka punuar në Zyrën e Prokurorit të ICC-së.
Hibrid.info hasi edhe një artikull të mediumit “Nacionale.com”, ku sqarohet e vërteta e deklaratave të udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, çka konfirmon edhe më shumë gjetjet në këtë trajtim (shih këtu).
Analiza:
Disa llogari në rrjete sociale kanë publikuar përmbajtje me pretendimin se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kanë kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë dhe kanë paralajmëruar shkatërrimin e saj, duke e lidhur këtë me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit.
Pretendimi është bazuar në deklaratat publike të Trumpit dhe Rubios, gjatë të cilave është diskutuar për një gjykatë me seli në Hagë dhe është përmendur ish-prokurori Jack Smith.
Megjithatë, nga verifikimi i deklaratave rezulton se Trump dhe Rubio nuk i janë referuar Dhomave të Specializuara të Kosovës (Gjykatës Speciale), ku po zhvillohet procesi ndaj Hashim Thaçit, por Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), një institucion tjetër ndërkombëtar me seli në Hagë.
Në deklaratat e tyre, zyrtarët amerikanë kanë kritikuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një institucion pa legjitimitet dhe kanë përmendur shqetësimet e tyre lidhur me kompetencat e kësaj gjykate për ndjekjen penale të individëve që nuk janë shtetas apo anëtarë të saj.
Po ashtu, përmendja e Jack Smith në këto deklarata lidhet me rolin e tij të mëparshëm në Zyrën e Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, dhe jo me procesin gjyqësor ndaj Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje me këtë pretendim si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.