info@hibrid.info
Komandanti i stacionit policor të Lipjanit nuk u shkarkua, por dha dorëheqje
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë publikuar artikuj me pretendimin se komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, është shkarkuar nga kjo pozitë, pas vdekjes së 27-vjecarit Agon Zajnullahu, për të cilin rast po dyshohen pesë zyrtarë policorë.

Artikujt me këtë pretendim janë publikuar dje (10 korrik) nga mediat si: “Dukagjini.com”, “GazetaExpress.com”, “Telegrafi.com”, “IndeksOnline.net”, “Kosova-Sot.info” dhe “Demokracia.com”.

Por, cila është e vërteta?

Hibrid.info gjeti se raportimet e mediave sot (10 korrik), apo një ditë më vonë se raportimet për shkarkim, tregojnë në fakt se Argjend Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit.



Gjatë hulumtimit, Hibrid.info ka hasur në artikuj të publikuar më 10 korrik nga media si “Kallxo.com” dhe “KlanKosova.tv”, të cilat, duke u bazuar në deklaratën e Gashit, raportojnë se ai ka dhënë dorëheqje.


Deklarata e cituar e Argjend Gashit nga artikujt:

Ende nuk jam shkarku, kam dhënë dorëheqje. Po kam bërë kërkesë për dorëheqje, vendimi i ri ende nuk mu ka lëshu, por kam dhënë dorëheqje. Për shkak të zhvillimeve të fundit e kam ofruar dorëheqjen. Realisht zyrtare nuk ka, unë jam ende në pozitën që kam qenë mirëpo kam dhënë dorëheqje morale për shkak të zhvillimeve të fundit dhe pres vendimin e ri

Hibrid.info po ashtu gjeti se dorëheqja e Argjend Gashit është konfirmuar edhe në artikuj tjerë të publikuar më 10 korrik nga “Radio Evropa e Lirë” dhe “Koha.net”, përmes një përgjigjeje me shkrim të drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha (shih këtu).

“Radio Evropa e Lirë konfirmoi raportimin përmes një përgjigjeje me shkrim të drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili tha se “ai ka bërë kërkesë për lirim nga detyra dhe ajo është miratuar” (shih këtu).

Ndërsa te artikulli i “Koha.net”, dorëheqjen e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani (shih këtu).


Si e dallon ligji dorëheqjen nga shkarkimi në Policinë e Kosovës?

Ndërprerja e marrëdhënies së punës përcaktohet me Ligjin e Punës, përkatësisht Kreun VIII, nenet 69 (Ndërprerja e marrëdhënies së punës nga i punësuari) dhe 70 (Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit) (shih këtu). E dispozitat e këtij ligji, ashtu siç specifikohet në nenin 2, zbatohen për të punësuarit dhe punëdhënësit e sektorit privat dhe publik në Republikën e Kosovës. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për të punësuarit dhe punëdhënësit, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për çështje të caktuara nga marrëdhënia e punës.

E në rastin konkret, dallimi specifikohet edhe më Ligjin për Policinë. Sipas nenit 41 të këtij ligji, komandantët e Stacioneve të Policisë caktohen nga Drejtori i Përgjithshëm bazuar në procedurat e brendshme të Policisë (shih këtu). Ndërsa, marrëdhënia e punës për personelin policor është e përfshirë në Kreun V të ligjit, por për më shumë, në paragrafin 2 të nenit 44 (Punësimi i personelit policor), thuhet se ajo rregullohet me akt nënligjor. Paragrafi i parë i këtij neni tregon tri kategoritë e punësuara të personelit policor:

Ndërsa neni 79 i Udhëzimit Administrativ Nr.02-2023 mbi Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës e përcakton se me përjashtim të pozitave të menaxhmentit të lartë, çdo punonjës i PK-së, mund të shkarkohet nga detyra apo pozita, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm (shih këtu).

Udhëzim i lartpërmendur, gjithashtu në nenin 81, parasheh ndërprerjen e marrëdhënies së punës me vendim të njëanshëm dhe me marrëveshje ndërmjet palëve.

Kjo do të thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një ndërprerje të njëanshme të kontratës së punës nga ana e të punësuarit, konkretisht nga komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, i cili e ka njoftuar punëdhënësin, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, që e kishte emëruar në këtë pozitë, për dorëheqjen e tij.

Nëse kontrata e punës do të ndërpritej nga punëdhënësi, në këtë rast nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, atëherë do të bëhej fjalë për shkarkimin e komandantit nga detyra.


Analiza:

Pretendimi se komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, është shkarkuar nga detyra, nuk qëndron.

Shkarkimi bëhet me vendim të drejtorit të përgjithshëm, ndërsa në bazë të raportimeve të konfirmuara në media, komandanti Gashi vetë ka kërkuar largimin nga pozita, pra ka dhënë dorëheqje.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Përmbajtje të paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtje.

Share With Others