Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar “Perëndimi po përgatit fundin e spektaklit me gjykimin e banditëve që vranë Serbët në Kosovë”.
Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (26 nëntor) nga mediumi në gjuhën ruse “politnavigator.news”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Në këtë artikull raportohet për procesin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare së Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Rastet e dyshuara për të cilat akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, vlerësohen si të provuara në titullin e këtij artikulli. Në ndërkohë gjykimi ndaj të akuzuarve ende nuk ka përfunduar.

Përmbajtja e njëjtë është publikuar në kanalin në “Telegram” të këtij mediumi dhe në domainin propagandistik rus në shqip, “albania.news-pravda.com”.
Në bazë të aktakuzës së konfirmuar nga Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për Krime kundër Njerëzimit sipas Ligjit Ndërkombëtar dhe Krime Lufte sipas Ligjit Ndërkombëtar (shih këtu).
Nëse merret për bazë edhe mënyra e përmbledhjes së akuzave, e publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, bëhet fjalë për vepra penale për të cilat pretendohet se personat e akuzuar kanë përgjegjësi individuale (shih këtu).
Çështja ndaj tyre aktualisht konsiderohet që është ende në gjykim, që do të thotë se ende nuk ka një epilog për fajësinë apo jo ndaj tyre. (shih këtu).
Në titullin e artikullit të publikuar nga mediumi në gjuhën ruse, akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së për vrasje, janë paraqitur si pohim faktik.
Ndërsa në përmbajtje, aktakuza e Prokurorisë për vrasje është paraqitur si aktgjykim i përfunduar për të akuzuarit, kur thuhet se bëhet fjalë “për të paktën 102 vrasje të provuara të serbëve, romëve dhe shqiptarëve besnikë ndaj Jugosllavisë”.
Çka është aktakuza dhe aktgjykimi?
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë filluar punën pas votimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të veçantë të këtij institucioni dhe pas votimit të ndryshimeve kushtetuese që mundësonin funksionimin e tij brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës (shih këtu).
Kodi i Procedurës Penale të Kosovës përcakton se një person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Sipas këtij kodi, Procedura penale fillohet vetëm me vendim të prokurorit të shtetit kur ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer vepër penale ose kur është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë sipas dispozitave të këtij Kodi.
Pas përfundimit të hetimit ose kur prokurori i shtetit konsideron se informacionet me të cilat ai disponon për veprën penale dhe kryerësin e saj paraqesin dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer vepër penale apo vepra penale, procedura para gjykatës mund të zbatohet vetëm në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori i shtetit.
Me aktgjykim si veprim përfundimtar ose refuzohet akuza, ose i akuzuari lirohet nga akuza, ose shpallet fajtor.
Besueshmëria e “PolitNavigator’
Sipas “mediabiasedfactcheck.com”, platformë për identifikimin e anshmërisë mediatike në internet, “PolitNavigator” vlerësohet si burim i dyshimtë me anshmëri të theksuar të djathtë dhe prirje të qartë pro-ruse, duke publikuar shpesh narrativë propagandistike, kritika ndaj Ukrainës, NATO-s dhe SHBA-së, si dhe artikuj me tituj emocionalë dhe burime të pasigurta. Pronësia dhe financimi i platformës nuk janë transparentë, ndërsa raportimi shpesh mungon në verifikim, balancë dhe hyperlink-e. Si pasojë, besueshmëria faktike konsiderohet “e përzier”, me raste të dokumentuara të pretendimeve të rreme dhe keqinformimit. Në përgjithësi, “PolitNavigator” kategorizohet me besueshmëri të ulët dhe kërkon verifikim të çdo materiali të publikuar.
Analiza:
Një medium në gjuhën ruse ka pretenduar se ish-krerët e UÇK- që po gjykohen në Hagë kanë vrarë serbë.
Ky pretendim është bazuar në dyshimet në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar në Hagë, ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Megjithatë, për akuzat nuk ka ende një aktgjykim, andaj deri në një vendim përfundimtar, të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.



