“Pas arrestimit të serbit për krime lufte, ai pas presionit në stacionin policorë ka treguar vendin ku janë groposur civilët e vrarë, shteti del menjëherë në vend ngjarje në Drenas gjendet gropa me kufomat e civilëve të vrarë më 16 prill 1999, lajmi ka tronditur vendin dhe ka ngjallur dhimbje dhe emocione tek familjarët e viktimave kurse hetimet po vazhdojnë për gjetjen e më shum civilëve të vrarë.”
Ky është mbishkrimi i një postimi të publikuar të dielën (19 prill) në Facebook, nga një llogari me emrin “Lajme Nga Bota”.
Çka nuk shkon me mbishkrimin?
Mbishkrimi pretendon se janë gjetur “kufoma të civilëve të vrarë”, duke krijuar përshtypjen e një varri masiv me disa trupa. Megjithatë, sipas informacioneve të deritanishme, në vendngjarje është gjetur vetëm një trup, për të cilin dyshohet se mund t’i përkasë një personi të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, nuk ka konfirmim zyrtar se ekziston ndonjë lidhje mes këtij rasti dhe arrestimit të një të dyshuari për krime lufte.

Llogaria që ka publikuar postimin ka mbi 10 mijë ndjekës dhe deri në momentin e trajtimit, përmbajtja ka më shumë se 270 pëlqime. Nga përmbajtja e disa prej komenteve, është vlerësuar se lexuesit ka mundësi që pretendimin ta përceptojnë si të besueshëm.
Së pari, hibrid.info ka kontrolluar në faqen e Policisë së Kosovës në Facebook, aty ku ky institucion publikon informatat. Në mesin e postimeve të ditëve të fundit në këtë faqe, është gjetur vetëm njoftimi për arrestimin e një të dyshuarin shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile (shih këtu).
Për të gjetur informacione shtesë, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, për të dy pretendimet.
Rezultatet pas kërkimit me fjalët “arrestohet krime”, kanë shfaqur artikuj të publikuar të martën (14 prill) nga mediat kredibile, ku raportohet për arrestimin e një shtetasi të Kosovës të nacionalitetit serb, i cili dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 15 civilëve shqiptarë në Skënderaj gjatë luftës, si ish-pjesëtari i MUP’it (shih këtu dhe këtu).
Ndërsa, nga kërkimi tjetër me fjalët “drenas”, u gjetën artikuj të publikuar të premten (17 prill), ku ishte raportuar për gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Negrovc të Drenasit, për të cilat dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999 (shih këtu dhe këtu).
Në raportimet lidhur me këto ngjarje, nuk është konfirmuar ndonjë ndërlidhje mes tyre.
Bazuar në këto kërkime, rezulton se pretendimi për “kufoma të civilëve” nuk përputhet me informacionet e deritanishme, pasi është raportuar vetëm për një trup të gjetur në Drenas, për të cilin po zhvillohen hetime për identifikim. Gjithashtu, nuk ka konfirmim se hetimet për këtë rast kanë nisur si rezultat i arrestimit të të dyshuarit për krime lufte në Skenderaj.
Analiza:
Pretendimi se pas arrestimit të një të dyshuari për krime lufte ai ka zbuluar vendndodhjen e varreve masive dhe se në Drenas janë gjetur “kufoma të civilëve” nuk është i saktë.
Mbishkrimi është bazuar në një interpretim të pasaktë dhe të pakonfirmuar të dy ngjarjeve të ndara: arrestimit të një të dyshuari për krime lufte në Skënderaj dhe gjetjes së mbetjeve mortore në Drenas.
Sipas informacioneve të deritanishme, nuk ka konfirmim zyrtar se këto dy ngjarje janë të ndërlidhura, as se gjetja e mbetjeve mortore është rezultat i ndonjë deklarimi të të arrestuarit. Po ashtu, pretendimi për “kufoma të civilëve” nuk përputhet me raportimet, pasi është bërë e ditur vetëm për gjetjen e një trupi, për të cilin po zhvillohen hetime për identifikim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.