[email protected]
Pretendim i pabazë se disa persona të komunitetit shqiptar sulmojnë një tjetër person në New York
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një video-material ku shihen disa persona duke sulmuar fizikisht një tjetër person, në një hapësirë publike në Brooklyn – New York.

Videoja me pretendim se personat që e kryejnë sulmin, janë të përkatësisë etnike shqiptare, është publikuar sot (13 nëntor) në platformën “X” (ish-Twitter), nga një llogari me emrin “VukFeNix”.

E vërteta e pretendimit

Hibrid.info ka vlerësuar se në këtë përmbajtje nuk vërehen prova dhe dëshmi që vërtetojnë se personat e shfaqur në video, janë shqiptarë.


Pas hulumtimit me anë programit të automatizuar të kërkimit, “InVID”, hibrid.info e ka gjetur të publikuar nga disa llogari në rrjetet sociale me pretendime të ndryshme.

Videoja është gjetur e publikuar në dy raste (datat 9 dhe 12 nëntor), me pretendimin se i sulmuari, i përket komunitet hebre dhe sulmohet nga mbështetës të Hamasit dhe anti-semitë (shih këtu dhe këtu).

Por, publikimet më të hershme të gjetura të kësaj videoje, janë të datës 8 nëntor, në përshkrimet e të cilave shprehet shqetësimi për atë që ka ndodhur në Brooklyn – New York, pa saktësuar identitetin etnik të protagonistëve të pamjeve të shfaqura (shih këtu dhe këtu).

Në bazë të gjitha përshkrimeve, kuptohet se ngjarja ka ndodhur në Brooklyn – New York, por në bazë të asaj që shihet, është vështirë të përcaktohet identiteti kombëtar i personave që shfaqen në video.


Analiza:

Pretendimi se personat që shihen në një video duke e sulmuar një tjetër person në Brooklyn – New York, i takojnë komunitetit shqiptar, është i pabazë.

Hibrid.info ka gjetur se nuk ka fakte që vërtetojnë pretendimin e trajtuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” e “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »