Publikohen përmbajtje me mbishkrimin dhe titullin “’Kam incizime dhe transkripta, Kurti me Vuçiqin në një dhomë’, Osmani ia qet të palarat ish-partnerit, i tregon çka do ta ‘gjejë’ pas zgjedhjeve”.
Artikujt me këtë mbishkrim dhe titull janë publikuar të mërkurën (13 maj) në Facebook, në faqet e mediave si “GazetaDemos”, “Mitrovica SOT”, “Prishtinapress”, “Gazeta ‘Epoka e Re’” dhe në uebfaqet “MitrovicaSot.net”, “GazetaPapirus.com” e “EpokaeRe.com”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Përmbajtjet kanë paraqitur një deklarim të Vjosa Osmanit, të propozuarës për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Megjithatë, deklarata e saj nuk është paraqitur e plotë, gjë e cila e ka deformuar kuptimin e asaj që Osmani ka shprehur.

Hibridi.info në brendësi të përmbajtjeve të trajtuara, gjeti citatin e deklaratës së Osmanit (shih këtu).
Citati i plotë i Osmanit:
“Gati një vit pas po thojnë: ‘Çka ke fol ti aty?’ Pyetja nuk është çka kam folur unë me një takim që u kanë publik me dhjetëra njerëz. Pyetja është çka ka folur ai veç me Vuçiqin e me Lajçakun në një dhomë. Kurrkush su kanë tjetër aty. Çka ka fol, a e dini ju? As unë se di. Presidente e Republikës së Kosovës, po s’më kanë tregu çka kanë fol. Parlamentin e keni pas. A ju ka treguar juve najherë si opozitë? Kurrë. Pra, a nuk mendoni që e kanë detyrim me dal para qytetarëve? Me një dhomë, veç vet…veç vet, kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë edhe ajo Lajçak Epseteini. Qita tre jon kanë, veç qita tre jon kanë…edhe goxha gjatë. Qikjo është pyetja? Unë e kam transkriptin e asaj që kam diskutu, incizimin… kam me i publiku. Por na, në parlamentin e ardhshëm, komision hetimor parlamentar, me kërku çka kanë diskutu ata. Qikjo është pyetja: ata çka kane diskutu? Ata çka po mshefin?”.
Deklarata e cituar u konfirmua edhe nga një video-material i publikuar në faqen në Facebook të mediumit “Infokus” (shih këtu).
Kjo do të thotë se Vjosa Osmani ka deklaruar se për një takim ku kanë qenë shumë persona (pa specifikuar saktësisht cilin takim), ajo posedon transkript dhe incizim të pjesës së saj të diskutimit dhe ka thënë se do t’i publikojë. Ndërkohë, ajo ka ngritur pyetje lidhur me një tjetër takim, ku sipas saj kanë qenë vetëm kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Miroslav Lajçak, duke theksuar se nuk dihet çfarë është diskutuar aty.
Në këtë rast, mos sqarimi në mbishkrime dhe titujt e mësipërm, se incizimi dhe transkripti lidhen me një diskutim ku Osmani ka qenë vetë pjesëmarrëse, mund të ndikojë që audienca ta perceptojë gabimisht se ajo po pretendon se ka incizime të takimit të Kurtit dhe Vuçiqit.
Analiza:
Mbishkrimi: “’Kam incizime dhe transkripta, Kurti me Vuçiqin në një dhomë’, Osmani ia qet të palarat ish-partnerit i tregon çka do ta ‘gjejë’ pas zgjedhjeve”, nuk e paraqet të plotë deklaratën e ish-presidentes Osmani.
Në deklaratën e plotë, Osmani thotë se posedon transkript dhe incizim të një diskutimi ku ka qenë vetë pjesëmarrëse dhe se do ta publikojë atë material. Ndërkaq, për një takim tjetër mes Kurtit, Vuçiqit dhe Miroslav Lajçakut, ajo vetëm ngre pyetje dhe kërkon hetim parlamentar, pa pretenduar se ka incizime të atij takimi.
Mos sqarimi i këtij dallimi në tituj dhe mbishkrime mund të ndikojë që audienca ta perceptojë gabimisht se Osmani pretendon të ketë incizime të takimit Kurti–Vuçiq.
Bazuar në metodologjinë e vlerësimit, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.