Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Renditja e Shqipërisë në NCSI nuk nënkupton se vendi është i pari në botë për sigurinë kibernetike

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

NCSI mat gatishmërinë e shteteve ndaj kërcënimeve kibernetike, jo nivelin e përgjithshëm të sigurisë kibernetike.

Janë publikuar artikuj që pretendojnë se Shqipëria është e para në botë për kah siguria kibernetike.

Përmbajtjet më këtë pretendim në titull janë publikuar të martën nga disa media në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Lajmi është bazuar në një postim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili ka publikuar imazhin e renditjes së publikuar Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI)

Çka nuk shkon me pretendimet e publikuara në media?

Pretendimi është keqinterpretuar, pasi NCSI mat gatishmërinë e shteteve ndaj kërcënimeve kibernetike, jo nivelin e përgjithshëm të sigurisë kibernetike.

Çka tha kryeministri Rama?

Rama theksoi se Shqipëria ka dalë e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë, duke e paraqitur këtë si rezultat të forcimit të kapaciteteve të sigurisë kibernetike pas sulmit të vitit 2022. Sipas tij, Shqipëria kaloi nga vendi i 54-t në vitin 2023 në të 15-in në vitin 2025 dhe më pas në vendin e parë, falë investimeve në teknologji, forcimit të kapaciteteve institucionale e profesionale, bashkëpunimit me partnerët izraelitë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale për mbrojtje proaktive.

Ai tha se sulmet kibernetike kanë vazhduar, por janë parandaluar me sukses, duke e cilësuar këtë arritje si dëshmi të fuqizimit të Shqipërisë në mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të rëndësisë së aleancave ndërkombëtare. Në fund, Rama theksoi se puna për forcimin e mbrojtjes kibernetike duhet të vazhdojë, pasi në botën e teknologjisë vendi i parë sot mund të jetë i fundit nesër dhe mbrojtja duhet të shtrihet edhe në sektorin privat.


Hibrid.info hulumtoi në uebfaqen e këtij indeksi, i cili hartohet nga e-Governance Academy (eGA), një organizatë jofitimprurëse me bazë në Estoni, dhe verifikoi të dhënat dhe metodologjinë mbi të cilat bazohet renditja.

Të dhënat konfirmojnë pretendimin e Ramës, duke treguar se Shqipëria renditet e para në NCSI me 98.33 pikë, në barazim me Çekinë (shih këtu). Këto të dhëna janë publikuar më 10 gusht (shih këtu).

Çka mat NCSI?

Metodologjia e NCSI-së bazohet në matjen e gatishmërisë së shteteve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve, duke vlerësuar kapacitetet e qeverive qendrore. Indeksi përfshin tri kategori, 12 kapacitete dhe 49 indikatorë, të cilët mbështeten në dëshmi publike, si ligje, dokumente zyrtare dhe uebfaqe institucionale.

Të dhënat mblidhen nga institucionet shtetërore, organizata ose individë, si dhe nga ekipi i NCSI-së, dhe më pas shqyrtohen nga së paku dy ekspertë të indeksit. Rezultati i shtetit shprehet në përqindje nga maksimumi prej 100 pikësh dhe renditja përditësohet vazhdimisht, sa herë që ofrohen dhe verifikohen dëshmi të reja.

Rezultati tregon se Shqipëria ka dokumentuar dhe dëshmuar një nivel shumë të lartë të kapaciteteve që maten nga metodologjia e NCSI-së.


Hibrid.info hulumtoi edhe Global Cybersecurity Index (GCI), të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Aty u gjet se GCI bën dallimin mes masave të ndërmarra nga shtetet dhe rezultateve konkrete në fushën e sigurisë kibernetike. Ndryshe nga NCSI, masat e vlerësuara në GCI plotësohen nga tregues të bazuar në rezultate, si numri i sulmeve kibernetike dhe shkalla e cenueshmërive. Pra, ndërsa NCSI vlerëson kapacitetet e dokumentuara të një shteti, GCI përfshin edhe atë që ndodh në praktikë. (shih këtu).

Kjo do të thotë se siguria kibernetike është një koncept më i gjerë dhe, për këtë arsye, renditja në NCSI nuk mund të interpretohet si një vlerësim gjithëpërfshirës i nivelit të sigurisë kibernetike të një shteti.

Çka tregojnë indekset e tjera?

Hibrid.info hulumtoi tutje edhe të dhënat e indekseve të tjera ndërkombëtare që lidhen me zhvillimin digjital dhe sigurinë kibernetike.

GCI, të publikuar nga ITU, Shqipëria bën pjesë në Tier 2 – “Advancing”. Ky nivel përfshin shtetet që kanë arritur rezultat prej të paktën 85 pikësh dhe që dëshmojnë një angazhim të fortë ndaj sigurisë kibernetike.

Ndërkaq, në Network Readiness Index (NRI) 2025, i cili mat gatishmërinë e ekonomive për të shfrytëzuar teknologjitë digjitale, Shqipëria renditet e 79-ta nga 127 ekonomi, me 45.41 pikë.

Analiza:

Titujt e disa artikujve mediatikë pretendojnë se Shqipëria është e para në botë për sigurinë kibernetike, duke iu referuar renditjes së saj në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI).

Megjithatë, ky pretendim është keqinterpretuar, pasi NCSI mat kryesisht gatishmërinë e shteteve për parandalimin e kërcënimeve kibernetike dhe menaxhimin e incidenteve, përmes vlerësimit të kapaciteteve të qeverive qendrore, por nuk mat në tërësi se sa efektive janë këto masa në praktikë apo sa i ekspozuar është një shtet ndaj sulmeve dhe cenueshmërive kibernetike.

Për këtë arsye, renditja në NCSI nuk mjafton për të përcaktuar se cili shtet ka nivelin më të lartë të sigurisë kibernetike në botë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere